E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitet, standarde shtetërore për cilësinë

25/03/2011  MASH miraton kriteret për akreditimin e studimeve “Bachelor”, “Master” e “Doktoraturë”

Programet në strukturat publike e private duhet të synojnë të plotësojnë nevojat e tregut të punës

Aprovohen standardet shtetërore të cilësisë, me të cilat do të vlerësohet puna e universiteteve, qofshin këto publike apo private. Ministria e Arsimit ka miratuar tashmë listën e plotë të standardeve dhe kritereve që do të duhet të plotësojnë të gjitha institucionet e arsimit të lartë për ofrimin e studimeve në të tri nivelet: bachelor, master dhe doktoraturë. Çdo institucion i arsimit të lartë duhet të përmbushë të gjitha këto standarde e kritere në mënyrë që pasi të bëhet vlerësimi i tyre (që përfshinë të gjithë veprimtarinë e një universiteti), të bëhet edhe klasifikimi i institucioneve që mund të ofrojnë shërbime në arsimin e lartë. Standardet shtetërore të cilësisë përfaqësojnë tërësinë e kërkesave, kritereve që plotëson një institucion dhe shërbejnë si një sërë rekomandimesh, që ndihmojnë këto struktura të arrijnë një nivel të caktuar zhvillimi. Ndërkohë kriteret specifike përbëjnë elemente standarde, të arritshme dhe të verifikueshme, të përcaktuara qartë, mbi të cilat mbështeten institucionet për përmbushjen e misioneve të tyre dhe nëpërmjet të cilave jepet një vlerësim, bëhet një klasifikim etj. Universitetet duhet të ofrojnë programe studimesh cilësore, të qëndrueshme dhe të krahasueshme me sistemet arsimore evropiane të arsimit të lartë. Struktura organizative e këtyre strukturave përcaktohet në varësi të llojeve të programeve të studimeve që ato ofrojnë dhe të cikleve të studimeve që organizojnë duke filluar nga niveli i parë te niveli i tretë. Duke respektuar këtë paketë standardesh, që gjendet e detajuar për të tria ciklet e studimit në faqen zyrtare të internetit www.mash.gov.al, universiteti do të ketë një vizion të përgjithshëm të funksionimit të tij dhe autonomi më të madhe në politikën e menaxhimit. Kështu, institucioni do të përdorë procesin e vetëvlerësimit për qëllimet e veta si një mjet të vërtetë të matjes dhe progresit për të treguar imazhin që do ta bëjë të dallohet midis institucioneve të tjera. Për më tepër, raporti i vlerësimit të brendshëm që do të ketë hartuar do t’i mundësojë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) të vlerësojë aftësinë e institucionit për të provuar se i plotëson detyrimet dhe përgjegjësitë e veta dhe është i vetëdijshëm për mundësitë e tij.

Programet e studimeve synojnë të plotësojnë nevojat e tregut të punës në përputhje me synimet strategjike të zhvillimit ekonomik Kombëtar.

Institucioni për vlerësimin e nevojave të tregut të punës kryen një studim tregu, i cili përfshin:

a. mundësitë e punësimit të studentëve në tregun vendas ose atë rajonal, kombëtar e ndërkombëtar;

b. kërkesat e punëdhënësve;

c. një parashikim të përafërt për numrin e pritshëm të studentëve që mund të regjistrohen në këtë program;

d. numrin e të regjistruarve në programe të ngjashme në institucionet simotra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›