E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Incidenti me listat, opozita po pengon procesin”

24/03/2011  Reagimi i Metës për listat e zgjedhësve

Përplasjet e disa deputetëve të Partisë Socialiste në disa njësi minibashkiake të kryeqytetit për listat e zgjedhësve është cilësuar nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, si një shfaqje e dëshpërimit që ka kapur partinë më të madhe të opozitës për rezultatin humbës të zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe u kërkoi kundërshtarëve të tij politikë të bëjnë kërkesa në respektim të ligjit. “Kemi të bëjmë me një fushatë incidentesh në kuadër të një dëshpërimi që lidhet me rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit. Sigurisht që kjo është rruga më e gabuar dhe më e dëmshme. Unë e theksoj se më e rëndësishme se çdo gjë është procesi dhe standardet e tij, se kjo është më e rëndësishme për vendin. Në fund të fundit, këto janë zgjedhje lokale, zgjedhje vendore, ndaj i ftoj të gjithë që të respektojnë ligjin. Kërkesat e drejta që kanë t’i bëjnë në mënyrë të tillë që të respektojnë kuadrin ligjor, kodin që kanë bërë vetë”, - tha Meta. Duke i cilësuar ato përpjekje për incidente, kreu i LSI-së garantoi se përgjigjja ndaj tyre do të jetë me qetësi, si rrugën e duhur për t’i izoluar këto incidente. Në fakt, qëllimi i konferencës së djeshme për shtyp e Metës kishte në qendër angazhimin e BE-së për përmirësimin e klimës politike në vend. “Në emër të LSI-së vlerësoj se është shumë e rëndësishme që edhe klasa politike t’i përgjigjet në mënyrë shumë konkrete këtij preokupimit të BE-së. Por natyrisht do të ishte shumë e vështirë përpara 8 majit që të përmbusheshin 12 prioritetet e parashtruara, por natyrisht që disa prej tyre mund të zgjidheshin shumë shpejt në bazë të një vullneti pozitiv, sikurse është zgjedhja e Ombusmanit, miratimi i Gjykatës Administrative dhe njëkohësisht angazhimi konstruktiv për të arritur standarde më të larta për zgjedhjet e përgjithshme vendore të 8 majit”, - vijoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›