E Shtunë, 31 Tetor 2026

Otrantoja, Gjykata e Apelit Leçe ul dënimin për 2 kapitenët

30/06/2011  Mbyllet çështja e bujshme, protestues të shumtë para gjykatës kundër vendimit

VLORE- Pas një sërë shtyrjesh seancash të vazhdueshme Gjykata e Apelit së Leçes mbyll çështjen e bujshme të tragjedisë së Otrantos, duke ulur dënimin për kapitenin e anijes italiane "Sibilla", Fabrizio Laudadio dhe kapitenin e anijes "Kateri i Radës", Namik Xhaferri, të cilët akuzohen për tragjedinë e Otrantos më 28 mars 1997. Ata akuzohen për mbytjen dhe përplasjen e anijes Kateri i Radës, duke shkaktuar vdekjen e 81 emigrantëve shqiptarë

Dënimi

Për komandantin italian Fabrizio Laudadio Gjykata e Apelit dha 2 vjet e 4 muaj burg, nga 3 vjet burg që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë e Leçes, ndërsa për kapitenin shqiptar, Namik Xhaferri gjykata dha 3 vjet e 10 muaj burg, ( nga 4 vjet burg që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë e Leçes). Trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit që ditën e djeshme, ndërkohë që vendimin e dha dje në mëngjes në orën 3.15 minuta. Prokurori i përgjithshëm Giuseppe Vignola kërkoi lirimin e Laudadios duke pretenduar se përplasja mes Sibilës dhe Katerit të Radës ishte shkaktuar nga manovrat e pamatura të komandantit të motovedetës shqiptare, për t’i shpëtuar bllokadës detare në brigjet pulieze. Paralel me këtë çështje gjyqësore janë në proces dhe dy të tjera. Në Gjykatën e Brindisit po zhvillohet procesi civil për dëmshpërblimin financiar për viktimat, si dhe kundër një prej avokatëve të çështjes, avokates Natasha Shehu, e cila akuzohet për përvetësimin e shumë prej dëmshpërblimeve të familjarëve. Ndërkohë, 16 nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut.

Protestat

Ndryshe nga disa seanca të kaluara ku në mbështetje të familjarëve të viktimave kanë mbërritur politikanë nga Shqipëria, këtë herë kanë qenë grupe dhe shoqata mbështetësish italian, të cilët me pankarta në duar i kanë dalë në mbështetje familjarëve të viktimave, madje kanë qëndruar me ta deri në orën 03.15 të mëngjesit deri sa ka dalë vendimi. Protestuesit janë shprehur se shkaktarët e vërtet të tragjedisë janë ushtarakët italianë dhe për këtë arsye janë pikërisht ata që duhet të dënohen dhe jo viktimat shqiptare për të cilët më minimalja është të gjejnë pak drejtësi në këto momente.

TRAGJEDIA

Si vdiqën 81 emigrantët shqiptarë

Në trazirat e marsit të vitit 1997, 115 shqiptarë filluan rrugëtimin që nuk do t’i çonte sërish në tokë, me anijen shqiptare Kateri i Radës. Më 28 mars të vitit 1997, 115 shtetas shqiptar janë imbarkuar në anijen “Katri i Radës”. Rreth orës 15.00 kur anija ka ngritur spirancën dhe i është drejtuar brigjeve italiane, për të shkuar drejt tokës së ëndërruar. Pas rreth 4 orësh lundrim në det kanë mbërritur në kanalin e Otrantos, aty ku dhe ndodhi tragjedia. Ora 19.50 kur gjithçka mori fund. Një goditje e anijes luftarake italiane “Sibila” ka tronditur anijen Katri i Radës. Qindra ëndrra të ndara në mes, duke u përpëlitur në detin e ftohtë të marsit, mes të kanalit të Otrantos, dhjetëra gra e fëmijë nuk patën mundësi të mbijetonin. Dhe bilanci i tragjedisë ishte i rëndë 57 viktima, 24 të humbur dhe të mbijetuarit 34. Rreth 81 familje filluan të kërkonin të drejtën për të afërmit e tyre, duke u sorollatur sallave të gjyqeve. Duke kërkuar me të gjitha mënyrat zgjidhje dhe ende për kujtimin e të afërmve të tyre. Pas 14 vjetësh nuk po gjen ende zgjidhje enigma e tragjedisë së Otrantos, ndërsa seanca e fundit e Apelit ku do jepej vendimi është shtyrë për të disatën herë për në datën 29 qershor të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›