E Diel, 1 Nëntor 2026

Infrastruktura e dobët, kompanitë kosovare i kthejnë sytë nga porti i Selanikut



Superinvestimi për korridorin Durrës-Kukës-Morinë që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën, duket se nuk do t’ia arrijë qëllimit. Shkak për këtë duket se do të jetë devijimi që po i bëjnë këtij aksi kompanitë më të mëdha të biznesit në Kosovë, të cilat po i drejtojnë sytë nga porti i Selanikut në Greqi apo dhe nga Bullgaria. Shkak për këtë mungesë të papritur interesi është bërë bllokimi i kohëve të fundit i tunelit të Thirrës, si dhe vonesa në zgjerimin e Portit Detar të Durrësit. Sipas kompanive më të mëdha të biznesit në Kosovë, kapacitet përpunuese në Portin Detar të Durrësit janë mjaftë të vogla në krahasim me portet e rajonit. Disa prej kompanive kosovare të mineraleve kanë deklaruar kohët e fundit se për importet e tyre të qymyrit ka më shumë leverdi financiare dhe teknike të përdorin Portin e Selanikut se sa atë të Durrësit. Kjo gjë që e nxjerr rrugën patriotike Durrës-Kukës, jashtë loje në fushën e importeve të lëndëve të para. Sipas këtyre kompanive, “Porti i Durrësit ka kapacitet të ulët, gjë që sjell edhe rritjen e kostos së transportit të mallrave me det”.

Aktiviteti

Kompanitë e mineraleve në Kosovë importojnë qymyr nga Malajzia dhe Indonezia (dy prodhues të rëndësishëm të qymyrit në botë) dhe e dërgojnë atë në Portin e Selanikut para se ta transportojë me tren në Kosovë përmes Maqedonisë. Prodhimet e këtyre fabrikave eksportohen në tregun ndërkombëtar gjithashtu përmes Selanikut. "Transporti nga Azia Juglindore mbetet më i lirë kur kryhet përmes Greqisë për shkak se Shqipëria dhe Mali i Zi nuk kanë kapacitete portuale për të transportuar sasi të konsiderueshme mineralesh", kanë thënë përfaqësuesit e kompanive minerare kosovare. Sipas tyre, "portet e Shqipërisë mund të marrin vetëm 10 mijë tonë qymyr ndërkohë që portet greke mund të marrin 50 mijë tonë, nga të cilat 10 mijë shkojnë vetëm në një kompani kosovare dhe pjesa tjetër merret nga kompanitë e tjera".

Konkurrenca

Shqipëria ndërtoi gjatë dy viteve të fundit një autostradë me vlerë mbi 1 miliard euro, për të lehtësuar daljen e Kosovës në detin Adriatik, por ky investim i stërmadh, që vuri në siklet financat publike të vendit, duket se nuk i ka zgjidhur shumë punë Kosovës. Porti i Durrësit gjendet në pothuajse të njëjtën largësi nga Prishtina me Portin e Selanikut, i cili është një nga portet më të rëndësishme të Mesdheut. Për më tepër, Porti i Selanikut ka kapacitet pesë herë më të madh se ai i Durrësit dhe në transportin ndërkombëtar të mallrave, madhësia e anijeve është vendimtare për sa i përket kostove. Qeveria shqiptare pati besuar se rruga Durrës-Kukës do t‘i nxjerrë investimet pasi një pjesë e importeve të Kosovës me vlerë rreth 2 miliardë euro në vit, do të kalonin nëpër territorin shqiptar. Ky skenar duket se nuk vlen më. Porti i Selanikut, përveç faktit që është shumë më i madh se sa Durrësi, ka edhe lidhje hekurudhore në drejtim të Turqisë, Bullgarisë e Rumanisë. Dhe ndërsa shifrat janë kokëforta, qeveria e Kosovës ka hyrë në negociata me qeverinë shqiptare për të marrë nën përdorim Portin e Shëngjinit, i cili ka një kapacitet dhjetë herë më të vogël se ai i Durrësit. Alternativa tjetër mbetet ndërtimi i një porti të madh në Vlorë, për të cilin qeveria shqiptare i ka dhënë një kontratë koncensionare një kompanie të vockël të regjistruar në Zvicër. Por problemi më i madh nuk qëndron vetëm te mungesa e porteve, por edhe te fakti se Shqipëria ka vetëm një lidhje hekurudhore ndërkombëtare me Malin e Zi dhe nuk ka asnjë plan për lidhje hekurudhore me Greqinë, Maqedoninë apo Kosovën. Mungesa e porteve duket se do ta kthejë rrugën Durrës-Kukës thjesht në një aks turistik.

Mbyllja e tunelit në Thirrë bllokon aktivitetin në port

Mbyllja e tunelit të Kalimashit ka shkaktuar pasoja të menjëhershme në portin detar të Durrësit, e konkretisht në sektorin e konteinerëve. Volumi i mallrave që transportohen me konteinerë në drejtim të Kosovës ka rënë 8-10 herë. Nëse para 1 muaji në drejtim të Kosovës niseshin 20 konteinerë me mallra, ky numër sot është 2 deri 3 në një ditë. Pas hapjes së tunelit të Thirrës, biznesmenët grosistë nga Kosova nisën t'i importonin mallrat e tyre me konteinerë, si një metodë moderne dhe më e lirë në kosto. Por, mbyllja e tunelit për shkaqe objektive jo vetëm që është shoqëruar me uljen e volumit të mallrave, por ka rikthyer në skenë rrugët që kalojnë nga Greqia, Mali i Zi apo nga Maqedonia. Një situatë e tillë ka dhënë ndikimin e saj në uljen e fitimeve të kompanive spedicionere (shpërndarëse) nga Durrësi në Kosovë. Po ashtu këtë ndikim e kanë ndjerë edhe subjektet e tjera, të cilat kanë lidhje me biznesin e transportit të konteinerëve. Sapo tuneli u mbyll për shkak të shembjes së dheut, menjëherë në port në sektorin e konteinerëve situata ndryshoi. Brenda pak ditëve grafikët e volumit të punës u ulën, duke u rikthyer në nivelet përpara hapjes së tunelit të Thirrës. Drejtuesit e kamionëve të tonazhit të rëndë e kanë të pamundur teknikisht të shfrytëzojnë rrugën mbi tunel, për vetë parametrat dhe cilësinë e saj. Në këto kushte, mallrat e destinuara për Kosovë, ose kalojnë nëpërmjet porteve greke apo të Malit të Zi, ose kur mbërrijnë në Durrës, udhëtojnë në drejtim të Maqedonisë. Një situatë e tillë ka ndikuar në uljen e fitimeve të trageteve, të kompanive që merren me përpunimin e konteinerëve, në uljen e fitimeve të kompanive spedicionere, si dhe të të gjithë rrjetit të bizneseve në funksion të këtij transporti.

Energjia, Kosova heq dorë nga ndërtimi i TEC-it “Kosova e Re”

Qeveria e Kosovës deklaroi kohët e fundit për agjencinë e lajmeve "Reuters" se është detyruar të heqë dorë nga projekti i dhënies me koncesion të ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, me fuqi të instaluar 2 mijë MË, si pasojë e mungesës së interesit nga investitorët dhe shqetësimeve ambientale. Justina Shiroka-Pula, ministre e Energjisë dhe Minierave tha se, një tender i ri për të ndërtuar një termocentral me kapacitet më të vogël mund të hapet vitin e ardhshëm. "Arsyeja kryesore për një vendim të tillë qe ndikimi i krizës financiare botërore, si dhe shqetësimet financiare",- tha ajo. Kosova pati shpresuar se do të gjente investitorë të gatshëm për të investuar 3.5 miliardë euro, gjë që do ta kthente republikën më të re të Europës në një eksportues energjie, ndërsa të ardhurat mund të përdoreshin si levë financiare për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës. Dy konsorciume të përbëra nga “CEZ”-i e Republikës Çeke dhe “AES”-ë e Shteteve të Bashkuara, si dhe “ENEL” i Italisë dhe Korporata Publike Greke, patën kërkuar nga Prishtina të përmirësonte ofertën për koncesion. "Plani i ri është që të japim me koncesion ndërtimin e një termocentrali me kapacitet 1 mijë MË, të përbërë nga dy njësi nga 500 megavat", tha ministrja Pula.

30 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›