E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peng në Holandë, 2 vila të “VEFA”-s

Një prokurë të cilën ish-bosi i shoqërisë huamarrëse “Vefa Holding”... 

Trazhgim Sokolaj

..., Vehbi Alimuçaj nuk ka pranuar ta firmosë nga burgu ku po vuan dënimin, mban peng dy vila të kushtueshme, që dyshohet se janë në pronësi të tij në Holandë. Në bazë të informacioneve paraprake, Grupi Mbikëqyrës dhe punonjësit e këtij institucioni kanë mësuar se mes perandorisë së pronave të ish-kompanisë “VEFA”, të cilat kishin përfunduar jashtë Shqipërisë, ishin edhe dy vila të kushtueshme e luksoze në Holandë. Menjëherë Grupi Mbikëqyrës ka filluar përpjekjet për marrjen e këtyre pronave në administrim, me qëllim shitjen e tyre e më pas, kthimin e parave në Shqipëri për t’i shpërndarë ato tek kreditorët. Pas angazhimit të Grupit Mbikëqyrës në rrugë zyrtare është mësuar se, për kalimin në administrim të vilave ishte e nevojshme veç të tjerave, edhe një prokurë nga ish-kreu i shoqërisë huamarrëse “VEFA”, Vehbi Alimuçaj. Për këtë shkak, atij i është kërkuar në burgun ku vuan dënimin të firmoste një prokurë, e cila autorizonte kalimin e pronësisë së dy vilave luksoze në administrim të Grupit Mbikëqyrës të Fajdeve. Megjithatë që në momentin e parë kur i është paraqitur një kërkesë e tillë, Alimuçaj ka qenë skeptik dhe nuk ka pranuar të firmosë dokumentin. Në këtë mënyrë dy vilat që dyshohet se i përkasin ish-kompanisë “VEFA” kanë mbetur peng në Holandë për një firmë të Vehbi Alimuçajt. Siç duket edhe tani pas kaq vitesh kur ai po vuan dënimin e dhënë nga gjykata shqiptare, firma e tij ende është e kushtueshme. Megjithatë, burimet zyrtare thonë se vilat që ndodhen në Holandë, përbëjnë vetëm një pjesë të vogël nga pronat dhe pasuritë e ish-kompanisë “VEFA”, të cilat kanë përfunduar jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Përveç detyrimeve të vogla deri në 200 mijë USD që kanë ndaj tij shtetas në Itali apo në vende të tjera si Greqia, ish-bosi i kompanisë “VEFA”, zotëron edhe 51 për qind të aksioneve në agjencinë e Aviacionit Civil të Greqisë, me një vlerë detyrimesh nga ky subjekt, që kap 2.5 milionë dollarë si dhe aksione në hotelin luksoz “Poseidon”, që kapin vlerën e 3 milionë dollarëve. Në kuadër të përpjekjeve për kthimin e parave dhe pronave të fajdeve shqiptare, të cilat para vitit 1997 përfunduan jashtë Shqipërisë, Grupi Mbikëqyrës është angazhuar fillimisht të dokumentojë pronësinë e secilës ish-shoqëri huamarrëse në llogari bankare apo objekte të ndryshme jashtë vendit. Më pas, sipas procedurave ligjore janë administruar dokumentet dhe palës tjetër në bashkëpronësi apo në administrim të pronës i është bërë e ditur se burimi i financimit janë huatë publike nga qytetarët shqiptarë, që ish-skemat piramidale morën nga qytetarë të shumtë deri në fillim të vitit 1997, kur u kuptua edhe falimentimi i ish-skemave piramidale.

Pronat e VEFA jashtë Shqipërisë

• “VEFA Holding”, 9.8 milionë USD në Greqi
• Aksionere me 51 për qind në Aviacionin Civil grek
• Aksionere në hotelin “Poseidon”, Athinë, 3 milionë USD
• Detyrime të firmës “SATIEM”, 8 milionë USD
• Aksionere në hotel “Niagara”, Holandë 550 mijë USD
• “Photographia”, Bolonjë, 4 milionë lekë
• Silvano Sininski, 44 milionë lekë, Itali
• Xhankarlo Kancupeli, 230 mijë lekë, Itali
• “Continental Geniu Com Rice”, 200 mijë USD, Itali
• “Civo Centre”, 3 milionë lekë, Itali
• “Pasco SPK”, 64 milionë lekë, Itali
• “GEV”, 4.6 milionë lekë, Itali  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›