E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, vizat në fund të gushtit

Mbyllen regjistrimet, konsullatat do t’u përcjellin kërkesat universiteteve, më pas do të thonë kush mund të vijë në Itali

Mbyllen pararegjistrimet në universitetet italiane për studentët jokomunitarë që jetojnë jashtë Italisë. Në shumë konsullata nuk pranohen më kërkesa, të tjera do të vazhdojnë ta bëjnë edhe për pak ditë. Në Tiranë, Ambasada Italiane ka pranuar kërkesat deri më 20 qershor. Të gjitha përfaqësitë diplomatike duhet të kenë një kuadër të qartë të situatës deri në mes të korrikut, për t’ua përcjellë kërkesat universiteteve. Studentëve të ardhshëm nuk u mbetet veçse të presin, pasi vetëm në gusht do të mësojnë nëse do të mund të shkojnë në Itali e të kalojnë provimin e parë, atë të gjuhës apo edhe ndonjë tjetër për fakultetet me numër të mbyllur. Kalendari i përgatitur nga Ministria e Universitetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe të Jashtme italiane, parashikon që vizat e hyrjes të lëshohen brenda 24 gushtit. Kjo gjë, sipas atyre që kanë përcaktuar afatin, duhet t’u lejojë të gjithë studentëve të jenë në Itali brenda 1 shtatorit, datë kur parashikohet të mbahet provimi i gjuhës italiane. “Koha është e paktë, praktikisht sot të japin vizën, nesër duhet të nisesh. Nuk ke kohë as të organizohesh e shpesh arrihet vonë, kur provimi është dhënë apo kur kanë skaduar afatet për të kërkuar bursën e studimit”, - thotë Arta Nikaj, kryetare e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Firences, ASUF. Nikaj ka ardhur në Itali në vitin 2003, pikërisht duke ndjekur rrugën e pararegjistrimit. Ajo duke treguar eksperiencën e saj personale shprehet se në krahasim me vitet e shkuara situata është përmirësuar disi, por ende ka mangësi informacioni për çdo hap të procedurës. “U besojmë fjalëve të njëri-tjetrit, të bazuara në ato pak lajme që dalin nga Konsullata Italiane. Shpesh çojmë në konsullatë vetëm një pjesë të dokumenteve e zbulojmë që nevojiten të tjerë. Është një vajtje-ardhje e vazhdueshme”, - shprehet Nikaj. Sipas saj, edhe kur mbërrihet në Itali gjendja nuk përmirësohet. “Studentët e huaj braktisen, mbeten si peshku pa ujë, nuk dinë kujt t’i drejtohen e si të veprojnë. Mbështeten te miqtë e të afërmit, deri sa gjejnë një dhomë me qira. Zakonisht ia dalin të marrin një dhomë në konvikt vetëm nga viti i dytë”, - vazhdon të shpjegojë Nikaj. Ndoshta edhe për shkak të vështirësive të tilla, Italia tërheq shumë më pak studentë të huaj se vendet e tjera të industrializuara. Ata përbëjnë vetëm 3% të të regjistruarve, ndërsa mesatarja e vendeve të OSBE-së është rreth 8,5%. Me hyrjen në fuqi të Konventës së Ajës, mes Italisë dhe Shqipërisë mbi Apostilen, kanë ndryshuar disa procedura që duhet të ndiqen nga studentët shqiptar për të marrë vizën për studim/universitet (në veçanti, për sa i përket legalizimit të dokumenteve shkollore). Ambasada italiane në Tiranë sqaron se të gjithë studentët që kanë paraqitur tashmë kërkesën e pararegjistrimit dhe që duhet të dërgojnë në muajin korrik dokumentet për të marrë vizën, duhet t’u referohen instruksionet të reja, të publikuara në faqen e saj zyrtare www.ambtirana.esteri.it. Nga data 1 deri në datën 31 korrik, studentët që kanë bërë kërkesën për pararegjistrim, duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes Albanian Courier, dokumentacionin e nevojshëm për kërkesën për vizë.

Në fazën e dytë nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë: të interesuarit do të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës më të afërt të Albanian Courier. Nëse studentët plotësojnë kërkesat e parashikuara nga normativa, Ambasada italiane do të lëshojë vizën për studim/universitet.

Shkollat italo-shqiptare, diploma e vlefshme edhe në Itali

Ministri i Arsimit nënshkruan me ambasadorin italian marrëveshjen përfundimtare për shkollat dygjuhëshe

Nxënësit që do të ndjekin gjimnazet dygjuhëshe, italo-shqiptare, në përfundim të arsimit të mesëm do të pajisen me diplomë të vlefshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. Bëhet fjalë për seksionet dygjuhëshe e dykulturore shqiptaro-italiane që janë hapur në vitin 1999 mbi bazën e një marrëveshjeje dypalëshe të nënshkruar nga Ministria e Jashtme e Italisë dhe Ministrisë sonë të Arsimit. Duke filluar nga viti shkollor 2011-2012, seksionet dygjuhëshe do të kenë një strukturë tërësisht të rinovuar, drejtuar gjithnjë e më shumë drejt një shkollimi të nivelit të lartë, të barazvlefshëm me atë të gjimnazit. Falë këtij projekti, të rinjtë e gjimnazeve në tre rrethet e vendit, në Tiranë, Shkodër dhe Korçë, që do të ndjekin dhe lëndët në gjuhën italiane do të mund të pajisen pas tre vitesh edhe me diplomë të kësaj gjuhe. Këta maturantë, nëse do të dëshirojnë të studiojnë në universitetet e shtetit fqinjë, do ta kenë më të lehtë, pasi diploma që atyre u është lëshuar do t’u njihet nga institucionet italiane. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, pas nënshkrimit përfundimtar të marrëveshjes për shkollat bilinguale me Italinë, u shpreh: “Në përfundim të shkollës së mesme, të kenë një diplomë të gjimnazit plotësisht të njohur edhe në Itali. Statistikat tregojnë se më shumë se gjysma e studentëve të huaj që studiojnë në universitetet italiane janë nga Shqipëria”. Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia, tha se rreth 50 mijë nxënës shqiptarë mësojnë gjuhën italiane nëpërmjet lëndëve apo librave që atyre u ofrohen në shkollat shqiptare, ndërkohë që rreth 20 mijë studentë shqiptarë studiojnë në universitetet italiane. Ambasadori italian ka bërë të ditur se projekti i shkollave bilinguale do të shtrihet dhe në qytete të tjera të vendit. Seksionet shkollore dygjuhëshe (bilinguale) janë shkolla të cilat ofrojnë shkollimin e nxënësve në dy gjuhë (gjuhë amtare dhe gjuhë e huaj) në raportet afërsisht 1:1. Kohëzgjatja e seksioneve shkollore dygjuhëshe është 3 vjet në përputhje me strukturën e arsimit të mesëm. Nga klasa e 10-të deri në klasën e 12-të parashikohet zhvillimi i një kurrikule 50% në gjuhën shqipe dhe 50% në gjuhën italiane. Krahas mësimit të gjuhës dhe letërsisë italiane, zhvillohet në gjuhën italiane edhe mësimdhënia për lëndët: histori e qytetërimit botëror, matematikë, fizikë, biologji dhe histori e artit me programe dhe tekste italiane, të miratuara nga MASH.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›