E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, kushtet për t’u pranuar në publik

03/06/2011  MASH përcakton rregullat për maturantët mbi përzgjedhjen e duhur të degëve për studimet e larta

Formula e plotë e llogaritjes, si dhe rastet kur ajo ndryshon. Pesha e notave të provimeve dhe koeficientëve

Për të mos rrezikuar ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike gjatë këtij viti, maturantët dhe kandidatët e tjerë duhet që të marrin rezultatet kaluese në të katër provimet e maturës. Këto rezultate lejojnë që të vijohet procedura e mëtejshme nëpërmjet formulës tradicionale të llogaritjes mbi përzgjedhjen e degëve ku duan të vijojnë studimet e larta publike. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në këto struktura publike të arsimit të lartë, si dhe në kuadër të këshillimit të karrierës, ekspertët e Ministrisë së Arsimit kanë hartuar udhëzuesin e plotë me informacionet për t’u njohur me parimin meritë-preferencë, i cili qëndron në thelb të procesit për shpërndarjen e fituesve në fakultete publike. Ky parim përcaktohet nga pikët e grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi të caktuara: arte, sporte, arkitekturë etj., si dhe në bazë të plotësimit të kritereve të veçanta të propozuara për këto struktura universitare. Ndërsa parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese, midis 10 ose më pak referencave të zgjedhur prej tyre. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë të gjithë materialin e përgatitur nga ekspertët mbi rregullat që duhet të ndiqen nga maturantët për të mos gabuar në përzgjedhjen e degëve ku duan të vijojnë studimet e larta.

Treguesit e formulës tradicionale për llogaritjen e rezultatit për universitetet. (Çfarë duhet të kuptojmë me konceptin “meritë”?)

Maturanti që dëshiron të vazhdojë studimet në universitetet publike duhet të ketë fituar 5 rezultate: notën mesatare të 4 ose 5 viteve të studimit në shkollën e mesme, 2 nota të shkallëzuara në provimet e detyruara, letërsi dhe matematikë, dhe 2 nota të shkallëzuara në dy provimet me zgjedhje. Në bazë të këtyre notave, për secilin maturant llogariten pikët që ai fiton dhe që shërbejnë për të konkurruar për studime në programe të ndryshme studimi në universitet. Formula e thjeshtë dhe e përdorshme për llogaritjen e pikëve është: [( D1 + D2 + MES)KSH + Z1xKZ1 + Z2xKZ2] x 100 ku D1, D2, MES, Z1, Z2 janë respektivisht notat e shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore të letërsisë, matematikës, mesatares së shkollës, të lëndës së parë dhe të dytë me zgjedhje. KSH - është koeficienti i shkollës. Për secilin lloj shkolle, universitetet kanë propozuar koeficientin përkatës. E thënë më thjesht, fakultetet për programet e studimit me drejtim natyror preferojnë maturantët me më shumë prirje në shkencat ekzakte dhe për këto shkenca propozojnë koeficientët më të lartë. E gjitha kjo bëhet që fakultetet të thithin kontingjentet e përgatitura më mirë në drejtimin e kërkuar nga programet e studimit që ofrojnë. Koeficientët tashmë janë miratuar e gjenden në adresën e internetit ëëë.mash.gov.al, tek seksioni i veçantë kushtuar maturës shtetërore.

Rastet kur formula e llogaritjes do të ndryshojë

Formula e përgjithshme ndryshon pak për rastin e shkollave social-kulturore dhe profesionale. Në rastet kur maturanti ka mbaruar këto lloj shkollash, marrin pjesë dhe koeficientët KD1 dhe KD2. Këta koeficientë nuk janë gjë tjetër, veçse përqindja (pesha) që zënë lënda e letërsisë (D1) dhe e matematikës (D2) në formulë. Edhe ky informacion gjendet po ashtu në faqen zyrtare të kësaj ministrie. Më poshtë japim interpretimin e këtyre koeficientëve: “Për shkollat e mesme profesionale, provimi i detyruar Letërsi zë 15 për qind të peshës, ndërsa provimi i detyruar Matematikë zë 25 për qind të peshës. E kundërta ndodh për shkollat e mesme social-kulturore, ku Letërsia zë 25 për qind të peshës dhe Matematika 15 për qind të peshës. Në këto raste formula do të jetë:

{[D1(KD1/0.2) + D2(KD2/0.2) + MES]KSH + Z1xKZ1 + Z2xKZ2} x 100.

Për të gjitha llojet e shkollave të tjera, pesha e secilit provim është 20% dhe për këtë arsye ato nuk shfaqen në formulën e thjeshtë të paraqitur më sipër.

Formula e llogaritjes për programet me konkurs pranimi

Për rastet kur maturantët kërkojnë të studiojnë në programet e studimit që parashikojnë konkurse si Arkitektura, Edukimi Fizik, Artet, Pedagogji e specializuar etj., formula e llogaritjes së pikëve merr parasysh edhe rezultatet e konkurseve sipas peshës së tyre.

Së fundmi, duhet të theksojmë se llogaritja e pikëve për secilin maturant bëhet sipas profilit të shkollës së mesme dhe preferencave të tij për programe të ndryshme studimi.

Kështu secili maturant në përfundim të shkollës së mesme dhe katër provimeve të Maturës Shtetërore ka grumbulluar një sasi pikësh, që përbëjnë meritën e tij.

Përzgjedhja e programeve të studimit

Çfarë duhet të kuptojmë me konceptin “preferencë”?

Duke filluar që nga viti 2007, në dispozicion të maturantëve vihet lista e programeve të studimit që ofrojnë universitetet, e cila përbëhej nga 232 programe studimi në vitin 2009 dhe 265 programe studimi në vitin 2010. Të gjitha programet e studimit shpallen në Formularin A2. Me plotësimin e Formularit A2, maturanti shpreh dëshirën për të studiuar në një nga 10 ose më pak programet e studimit të preferuara prej tij, dhe shpallet fitues në preferencën më të lartë të grupit të preferencave ku shpallet fitues (pra arrin pikët e nevojshme). Kjo do të thotë që maturanti duhet të jetë shumë i kujdesshëm në plotësimin e preferencave.

Çfarë do të thotë të përzgjedhësh dhe të renditësh preferencat?

Një maturant me rezultate shumë të larta, me pikët që grumbullon mund të jetë fitues në të dhjetë preferencat e zgjedhura prej tij, por sistemi atë e shpall fitues në preferencën e parë. Një maturant me rezultate shumë të dobëta nuk shpallet fitues në asnjërën prej preferencave të tij. Nëse maturanti është me rezultate mesatare, shpallja e tij fitues varet nga rezultatet e grupit të maturantëve që kanë kërkuar po ato programe studimi sikurse dhe ai. Sikurse duket qartë, faktori kryesor dhe përcaktues është merita, sasia e pikëve të grumbulluara.

Si duhet të plotësohet Formulari A2?

Këtë vit Formulari A2 do të shpërndahet pasi maturantët të jenë njohur me të katër rezultatet e provimeve të tyre. Në faqen e internetit të MASH, në seksionin e maturës janë hedhur dhe do vijojnë të hidhen lista e programeve të miratuara për të 11 universitete publike, kuotat e miratuara nga qeveria, dy llojet e koeficientëve për shkollën e mesme e fakultetet, si dhe formula e llogaritjes sipas një tabele në excel.

Duke vendosur notat dhe koeficientët, secili maturant mund të llogarisë pikët për secilën prej preferencave. Po ashtu aty do të gjeni edhe pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në katër vitet e fundit (2007-2010). Në këtë mënyrë, pasi njihet me listën e programeve të studimit, secili maturant mund të bëjë një listë edhe me më shumë se 10

programe studimi, ku dëshiron të studiojë, në cilindo universitet të Shqipërisë.

Më pas mund të llogarisë pikët për secilin prej programeve të studimit të listës që ka hartuar. Pas kësaj maturanti duhet të krahasojë pikët e fituara prej tij me pikët e fituesit të fundit në secilin prej programeve të studimit të listës së hartuar prej tij. Kështu secili mund të gjykojë se në cilin prej programeve të studimit ka shanse të fitojë. Kuptohet që në renditje vendet e para do t’i zënë programet e studimit më të preferuara prej maturantit, edhe nëse janë më të vështira për t’u fituar. Më konkretisht, nëse vendosni si preferencë të parë një program studimi në të cilin jeni të sigurt që fitoni, por nuk ju pëlqen shumë, mund të ndodhë që prej sistemit informatik të shpalleni fitues në këtë preferencë, edhe pse në preferencat e vendosura më poshtë keni grumbulluar pikët e mjaftueshme për t’u shpallur fitues. Pra, konsultimi me tabelën e pikëve të fituesve të fundit është element shumë i rëndësishëm ndihmës para plotësimit të Formularit A2.

Vetëm pasi të keni kryer veprimet e mësipërme, mund të rendisni 10 preferencat e kërkuara.

Si duhet plotësuar formulari A2?

Për të fituar të drejtën e pranimit në universitetet e Shqipërisë, çdo maturant që kërkon të vazhdojë studimet e larta duhet të plotësojë Formularin A2, origjinal, i cili është i personalizuar për secilin maturant, sipas të dhënave që ai ka plotësuar në Formularin A1. Për të marrë Formularin A2, maturanti duhet të ketë kryer pagesën prej 2000 lekësh në një bankë të nivelit të dytë dhe të paraqesë faturën e pagesës së kryer. Ky formular do ndahet në shkolla, ku para se të plotësohet nga maturanti, mësuesi kujdestar duhet të plotësojë me përgjegjësi dhe pa korrigjime notën mesatare. Formulari A2, në pjesën e prapme përmban disa udhëzime të rëndësishme. Në fund të saj janë zonat që do të plotësohen dhe firmosen nga nxënësi, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës, pasi të kenë shkruar emër dhe mbiemër. Çdo formular vuloset me vulën e shkollës. Mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës mbajnë përgjegjësi për formularët e shpërndarë, pasi janë kopje unike dhe nuk mund të ketë një riprodhim të tyre. Për evidentimin e marrjes në shkollë të Formularit A2 nga maturanti dhe dorëzimin e plotësuar me preferencat tek mësuesi kujdestar, do të shërbejë një pasqyrë tip që shoqëron Formularin A2.

Ky formular mund dhe duhet të fotokopjohet nga nxënësit, për t’u ushtruar në plotësimin e saktë të tij, por në shkollë do të dorëzohet Formulari A2 origjinal i plotësuar, pasi fotokopja është e pavlefshme. Në krye të formularit paraqiten: rrethi, qyteti ose fshati, emri i shkollës, emri, atësia, mbiemri dhe datëlindja e maturantit kandidat dhe në të djathtë kodi i tij identifikues. Pra, siç kuptohet, askush nuk mund të marrë një Formular A2, që nuk i përket atij. Poshtë emrit të maturantit është vendosur nota mesatare, e cila duhet plotësuar me shifra dhe me fjalë. Me kujdes dhe përgjegjësi mësuesi plotëson kutitë me shifra arabe. Shifrat duhet të jenë të qarta, pa korrigjime dhe të shkruara me stilolaps me ngjyrë të zezë. Vetëm në rastin e notës 10.00 mbushen të katër kutitë. Në të gjitha rastet e tjera, nota fillon në kutinë e dytë. P.sh. 6.53: shifra 6 shkruhet në kutinë e dytë, kutia e parë mbetet bosh dhe pas pikës shkruhen shifrat 5 dhe 3 në kutitë pasardhëse. Dy kutitë e pjesës dhjetore mbushen detyrimisht, p.sh. nëse nota

mesatare është 7, do të shkruhet 7.00; nëse nota mesatare është 8.2, do të shkruhet 8.20.

• Kujdes! Nota mesatare është mesatarja e notave të katër ose pesë viteve të studimit. Është ajo notë që do të vendoset në diplomën e Maturës Shtetërore për maturantët e këtij viti shkollor. Për nxënësit që kanë mbaruar vitet e kaluara shkollore (2006 – 2010), do të merret nota mesatare e shënuar në Dëftesën e Pjekurisë si notë mesatare e katër ose pesë viteve të studimit. Në këtë përllogaritje nuk do të merren parasysh notat e provimeve të maturës. Në shkolla, janë dëftesat origjinale për ata që kanë plotësuar Formularin A1, të cilat do të shërbejnë për evidentimin e notës mesatare nga mësuesit kujdestarë. •Maturanti kandidat duhet të vihet në dijeni për notën mesatare, që do të vendoset në Formularin A2 të tij.

Provimi i letërsisë, nis sot korrigjimi i testeve

Nis sot korrigjimi i provimit të letërsisë që u zhvillua dy ditë më parë. Korrigjimi do të jetë manual dhe do të kalojë në një vlerësim të trefishtë. Shpallja e rezultateve pritet të bëhet më shpejt sesa ka ndodhur vitet e shkuara, pasi janë shtuar qendrat e korrigjimit, të cilat nga katër kanë shkuar në gjashtë. Sipas zëvendësministrit të Arsimit, Halit Shamata, “në fund të vlerësimit do të verifikohet se cilët nxënës kanë kopjuar dhe sa kanë kopjuar, në çfarë shkolle e mjedis provimesh janë, çfarë rrethi dhe qarku janë dhe kush janë emrat. Pra, database i Agjencisë Kombëtare të Provimeve arrin të identifikojë çdo nxënës që ka kopjuar te një nxënës tjetër”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›