E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, 97 punonjës shkarkohen nga detyra për t’u futur në konkurs

SHKRUAN: Jonida Tashi 01-10-2011 12:38

Nis operacioni “fshesa” në spitalin më të madh të vendit, “Nënë Tereza”. Brenda 24 orëve nga marrja e vendimit për shkarkimin nga detyra të 86 kryeinfermierëve dhe 11 kryelaborantëve, drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) shprehen se kjo kategori duhet t’i nënshtrohet konkursit për të mbajtur vendet e tyre të punës, ndërsa mohojnë se këto largime kanë lidhje me skandalin e ndodhur pak ditë më parë tek Onkologjiku. Përsa i përket kritereve të reja, përveç diplomës, kusht do të jetë një përshkrim më i qartë i detyrave të kryeinfermierit dhe laborantit, të cilët duhet të bëjnë një administrim të mirë të punës së tyre, por edhe të gjithë shërbimit. Drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, ka dalë dje në një konferencë për shtyp, për të shpjeguar detajet në lidhje me urdhrin më të fundit të firmosur prej tij për shkarkimin e tyre nga detyra. Sipas drejtorit të QSUT-së, ky urdhër ka për qëllim zgjedhjen e kryeinfermierëve të rinj në funksion të performancës së shërbimeve shëndetësore në QSUT, proces i cili vjen menjëherë pas zgjedhjes së shefave të shërbimeve. Gjatë fjalës së tij, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziu, ka pohuar se “Dje është firmosur një urdhër për lirimin e të gjithë kryeinfermierëve dhe kryelaborantëve në QSUT. Arsyeja është në vazhdimin e procesit të reformimit të këtij institucioni. Tashmë të gjithë e dini dhe jeni njohur me përfundimin e procesit të zgjedhjes së shefave të shërbimeve. Këto zgjedhje të reja do të sjellin performancë të shkëlqyer të shërbimeve, do të realizohen me një proces transparent, ku askush nuk do të përjashtohet, por me një aspekt përfshirës. Kjo do të thotë të gjithë ata infermierë apo laborantë që janë liruar sot nga detyra me anë të këtij urdhri nga funksioni, do të kenë të drejtën e aplikimit për zgjedhjet e reja. Tashmë të gjithë e dimë që ky institucion është drejt një reformimi dhe kuptohet që kjo kategori e bluzave të bardha janë një element i rëndësishëm i punës sonë, për të bërë një administrim më të mirë, por mbi të gjitha për të ofruar një cilësi shërbimi sa më të lartë për këtë institucion”. Tashmë, 97 kryeinfermierët dhe kryelaborantët, të cilët që prej ditës së djeshme nuk i mbajnë më gradat drejtuese, për të mbajtur vendin e punës do të duhet t’i nënshtrohen një konkursi, nga i cili do të varet kthimi i tyre në punë ose jo. Ndërkohë që më shumë mundësi për të vazhduar punën e mëparshme duket se do të kenë ata që kanë pasur një marrëdhënie të mirë me shefat e shërbimeve përkatëse, pasi këta të fundit, brenda datës 5 tetor, duhet të dërgojnë në Drejtorinë e QSUT-së propozimet për komandimin në detyrën e kryeinfermierit-kryelaborantit deri në përfundim të procedurave. Propozimet duhet t’u dorëzohen zv.drejtorëve të përgjithshëm sipas shërbimeve në varësi dhe pas kësaj procedure do të merren vendimet nëse të liruarit do të ripunësohen ose jo. Në fakt, e njëjta lëvizje në QSUT u bë edhe para katër vjetësh, kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Nard Ndoka. Asokohe, pothuajse me të njëjtin urdhër, u ndryshuan kryeinfermierët, por thelbi i lëvizjeve qëndronte tek emërimi në detyrë i njerëzve të afërt me drejtuesit e shëndetësisë si dhe me shefat e shërbimeve. Përsëritja e kësaj situate nuk është aspak e dyshimtë, në kohën kur shefat e rinj të shërbimeve të sapoemëruar në QSUT, që në fakt janë pothuajse të gjithë ata që kanë qenë edhe më parë, të kërkojnë punësimin e kryeinfermierëve dhe kryelaborantëve të rinj. Shtuar këtu faktin se një kryeinfermiere që specializohet 4 vjet te Kardiologjia, tani mund ta çojnë tek Infektivi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›