Berisha: Do stimulojmë ndërtimin e HEC-ve të vogla
Qeveria duhet të nxisë me stimuj konkretë ndërtimin e një numri sa më të madh hidrocentralesh të vogla. Kështu është shprehur dje gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Berisha. Kryeministri ka kërkuar që të shikohet me përparësi sistemi i kreditimit ndaj këtyre ndërtuesve, duke i konsideruar ata sipërmarrës të vegjël. “Nëpërmjet nxitjes dhe zbutjes së interesave, ndaj tyre do të mbahet i njëjti qëndrim, që mbahet kudo në botë, për sipërmarrjet e vogla”, u shpreh ai. “Ministria të studiojë dhe stimuj të tjerë. Kjo nuk është një praktikë e re shqiptare, kjo është praktikë e shumë vendeve, por numri i tyre në Shqipëri mund të jetë ndër më të mëdhenjtë, sepse i tillë është terreni dhe sasia ujërave”, ka theksuar kreu i qeverisë. Duke kërkuar stimuj të tjerë, në ndihmë të ndërtuesve të hidrocentraleve të vogla, kryeministri tha se shteti duhet të garantojë lidhjen e HEC-it me rrjetin lokal dhe kombëtar të ujërave. Ndërkohë, sipas Kryeministrit, duhet të shqyrtohen të gjitha sistemet e vaditjes ekzistuese dhe ato që do të ngrihen, në mënyrë që të funksionojnë me dy qëllime.