E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parainfarkti dhe infarkti, si ti parandalojmë



Stresi, dietat, diabeti, pesha janë ndër faktorët kryesorë, që shkaktojnë infarktin dhe parainfarktin. Mjekët kardiolog shpjegojnë si mund të përballemi me këtë sëmundje dhe cilat janë këshillat më të domosdoshme që duhet të ndiqen nga pacientët e prekur. Parainfarkti dhe infarkti janë dy stade të së njëjtës sëmundje. Të dyja këto shkaktohen nga bllokimi i arteries që furnizon pjesën e muskulit të zemrës, e cila preket nga infarkti dhe parainfarkti. Kjo e fundit është “vuajtje” e muskulit të zemrës, ajo që në gjuhën mjekësore quhet ishemia e miokardit, pra kur nuk furnizohet me sasinë e duhur të gjakut dhe të oksigjenit. Por në qoftë se kjo vuajtje ndërpritet për një periudhë kohe nga 30 minuta deri në 2 orë, ku i sëmuri drejtohet në një qendër kujdesi koronar, atëherë ky muskul shpëton dhe kthehet përsëri në gjendje normale. Ky është parainfarkti ose ishemia e miokardit. Kurse në rastet kur nuk jepet ndihma mjekësore brenda këtij intervali kohor, atëherë kjo ishemi ose parainfarkt do të kalojë drejt infarktit. Shkencërisht infarkti është vdekja e qelizave të muskulit të zemrës, nekroza, e cila ndodh në atë pjesë, që privohet nga bllokimi i arteries përgjegjëse, që furnizon me gjak dhe me oksigjen. Megjithëse kanë pothuajse të njëjtën bazë të përbashkët të emrit, infarkt dhe parainfarkt, ata ndryshojnë nga njëri-tjetri. Parainfarkti mund të kurohet nga mjekët dhe specialistët gjatë një periudhe të shkurtër prej tridhjetë minuta deri në dy orë. Ndërkohë që pacienti duhet të ndjekë vazhdimisht sëmundjen, duke u kuruar dhe duke marrë medikamente. Ndërsa infarkti, sipas mjekëve, nuk ka asnjë lloj shpëtimi. Por ajo që mjekët pohojnë se një person mund të kalojë disa herë një parainfarkt, ndërkohë që një herë të vetme ai mund të jetë shumë më i fortë, aq sa për të marrë jetën e njeriut.
Shfaqja
Kjo nuk është një sëmundje që zhvillohet shpejt, është një sëmundje që fillon prej kohësh, prej vitesh dhe në një moment të caktuar shfaqet. Fillimisht shenjat e para janë dhimbje gjatë ecjes, dhimbje të cilat vijnë duke u shtuar. Këto shenja e lajmërojnë personin për të kryer kontrolle dhe t’i paraprijë sëmundjes. Por ka edhe raste të tjera që shenja e parë e sëmundjes të jetë direkt infarkti, ose edhe kur vdekja ndodh para infarktit, nga një aritmi fatale që mund të pësojë personi në kohën kur fillon infarkti. Ajo që duhet të theksohet në të tilla raste është se jo të gjitha dhimbjet e gjoksit janë dhimbje të zemrës. Përgjithësisht, dhimbjet e zemrës lokalizohen në pjesën e mesme të kraharorit, mund të hipin në pjesën e fytit, nofullën e poshtme, shpërndahen në shpatulla. Po kështu mund të përhapen në krahun e majtë apo edhe të djathtë, nuk është aspak e thënë, deri në dy gishtërinjtë e fundit të dorës.
Shkaktarët
Faktorët e riskut janë shumë, disa janë më kryesorë dhe të tjerë dytësorë, ku disa janë të korrigjueshëm dhe disa të tjerë të pakorrigjueshëm. Të gjithë këta faktorë çojnë në atë që quhet skleroza e arterieve koronare, zhvillimi i pllakës së këtyre arterieve, dhe më pas çarja e tyre bllokon arterien që shkakton parainfarktin ose infarktin. Por cilët janë këta faktorë, që e shkaktojnë këtë gjendje? Pikësëpari është stresi. Ky, së bashku problemet që shoqërojnë një person për një kohë të gjatë, mund të jenë burim i një sëmundjeje zemre. Faktor tjetër është duhani, i cili është shumë riskant, kur pihet në sasinë mbi 20 cigare në ditë për një kohë të gjatë, pasi ndihmon në zhvillimin e arterosklerozës në arterien koronare. Por duhani është një faktor i korrigjueshëm. Tjetër faktor është mbipesha, dhe kjo e mund të korrigjohet. Gjithashtu, kësaj liste mund t’i rendisim nivelin e lartë të yndyrës në gjak. Një nga faktorët që mund të korrigjohet disi është hipertensioni, ose siç e njohin të gjithë tensioni i lartë i gjakut. Edhe diabeti renditet si një nga faktorët që mund të shkaktojë parainfarktin, i cili është një faktor kompleks rreziku tek njerëzit mbi peshë. Tek njerëzit mbi peshë futen burrat, që kanë një perimetër barku mbi 105 centimetra dhe gratë me 103 centimetra. Por edhe dietat futen tek shkaktarët dhe faktorët që mund të japin një parainfarkt.
Mosha
Përveç faktorëve të mësipërm, mosha dhe seksi janë shkaktarët e tjerë që ndikojnë në shfaqjen e parainfarktit. Kështu burrat janë më të prirur në krahasim me gratë. Nga studimet e kryera ka rezultuar se raporti burrë-grua nga infarktet është dy me një. Kurse për sa u përket moshave, të prekurit nga infarkti janë përgjithësisht mbi 45 vjeç. Por gjatë viteve të fundit vihet re një tendencë uljeje dhe sëmundja shfaqet në mosha më të reja. Kurse tek gratë në këtë moshë nuk ka shenja të parainfarktit, por sëmundja fillon të shfaqet kryesisht me fillimin e menopauzës. Kjo, sepse hormonet tek gratë sa janë me cikël menstrual të rregullt janë mbrojtës dhe hasen shumë pak. Kurse mbas moshës 55 vjeç fillon edhe shtohet hasja e infarktit tek gratë. Për të ardhur në një moshë pastaj tek 60 deri në 65 vjeç, ku pak a shumë përsëri dominojnë burrat dhe sëmundja haset shumë më tepër. Pastaj mbi moshën 75 vjeç ritmi i prekjes nga kjo sëmundje fillon dhe të bjerë. Por një tjetër faktor që ndikon është edhe raca, ku nga të dhënat rezulton se “të bardhët” janë më të prekur dhe sidomos popujt e vendeve veriore dhe kryesisht të ftohta.
Këshillat
Duke qenë tepër të rrezikuar për të pësuar një goditje infarkti pas asaj të parainfraktit, mjekët japin këshillat më të domosdoshme që duhet të kenë parasysh personat që kanë kaluar një parainfrakt. Sipas mjekëve, këshillat më të domosdoshme që mund të ketë një i sëmurë janë vizitat tek mjeku pas çdo shqetësimi që do të ndiejnë në trup. Një tjetër këshillë e domosdoshme do të ishte mënjanimi i të gjithë faktorëve të rrezikut, të cilët janë duhani, që duhet pakësuar apo ndaluar tek njerëzit që ndiejnë shqetësime. Duhet korrigjuar hipertensioni arterial, sheqeri në trup, si dhe yndyrat. Po kështu edhe pesha e trupit duhet të jetë normale, si dhe këshillohet një dietë mesdhetare, e përbërë me prodhime deti, me vaj ulliri dhe me drithëra, si dhe me një gotë verë të kuqe në drekë, si antioksidant. Por edhe mishi i bardhë i pulës është i këshillueshëm, sepse nuk ka yndyra. Ndërsa që duhet të theksohet është, një jetë aktive, ku të ecet nga 4 deri në 8 kilometra në ditë. Këshillohet ose vrap apo një ecje e shpejtë, e cila mund të përfshijë një orë aktivitet fizik. Ndërsa për pjesën mjekësore këshillohet që personat mbi 50 vjeç të pinë një gjysmë aspirine në ditë, e cila bën të mundur hollimin e gjakut.

Këshillat për të eliminuar parainfarktin

Vizita tek mjeku dhe ekzaminime pas çdo shqetësimi në zemër
Lënia e duhanit për personat që kanë probleme në zemër
Mosabuzimi me alkoolin për personat që kalojnë parainfarkt
Korrigjim të hipertensionit të gjakut, duke u kuruar
Kontroll të sheqerit dhe mbajtjes së tij në të njëjtat nivele
Eliminim të yndyrës, si në mish, ashtu edhe në gatime
Peshë konstante, sipas gjatësisë dhe jo mbipeshë
Dietë mesdhetare me drithëra, vaj ulliri dhe prodhime deti
Çdo drekë duhet të konsumohet një gotë me verë të kuqe
Aktivitet fizik, vrap apo ecje e shpejtë për 4 deri në 8 kilometra
Personat mbi 50 vjeç të pinë gjysmë aspirine në ditë, pas dreke

Faktorët që shkaktojnë parainfarktin
Stresi i vazhdueshëm shkakton parainfrakt
Pirja e duhanit është faktor kryesor për një sëmundje zemre
Pirja e alkoolit shkakton probleme dhe parainfarkt në zemër
Mbipesha predisponon gjithmonë një parainfarkt
Mosha, kalimi i të pesëdhjetave është ndër faktorët e parainfarktit
Seksi mashkull është më i prekur nga kjo sëmundje
Hipertensioni dhe moskurimi i tij shkakton infarkt
Moskurimi i diabetit bëhet shkak për një infarkt
Dietat e forta shkaktojnë probleme në zemër
Kushtet atmosferike luajnë një rol të madh në punën e zemrës

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›