Qeveria përjashton Shqipërinë nga paketat “shpëtuese”, nuk marrim fonde anti-krizë
Albert Gjoka
Qeveria Berisha ka përjashtuar Shqipërinë nga të gjitha paketat anti-krizë që kanë dhënë institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare. Prej një jave ka nisur shpërndarja e fondeve për vendet e prekura nga kriza, ku më të privilegjuarat janë vendet e varfra. Vetëm dje, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë njoftuar shpërndarjen e kredive lehtësuese, ndërsa tri ditë më parë, të njëjtën gjë bëri edhe Banka Europiane e Investimeve. Më 24 korrik, Grupi i Bankës Botërore publikoi paketën prej 12.5 miliardë dollarësh për Europën dhe Azinë Qendrore. Më me përfitim është paketa 5-vjeçare prej 17 miliardë dollarësh, e miratuar dje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku kredimarrësit nuk paguajnë interesa deri në vitin 2011.
Tashmë, të gjitha shtetet fqinje në Ballkan po përfitojnë nga kreditë lehtësuese, ndërsa qeveria e Tiranës është orientuar vetëm drejt kredive me interesa tregtare. Madje, burime për gazetën pohojnë se ekzekutivi shqiptar ka refuzuar edhe ndonjë ofertë të favorshme të organizmave financiare që po jepen në këtë periudhë krize. Zyrtarisht, vendi ynë nuk përfiton për momentin nga politikat kredituese të FMN-së pasi ka përfunduar marrëveshja kuadër, dhe nuk ka një tentativë për vazhdimin e mëtejshëm të misionit. Ndërkaq, qeveria shqiptare është në fazën përmbyllëse të bisedimeve me Bankën Botërore për programin e radhës së financimeve.
Kriza, afër apo larg
Kur e gjithë bota është kapluar nga kriza dhe shumica e ekonomie kanë kaluar në recesion, qeveria e Tiranës vazhdon të jetë kokëfortë në lidhje me ndikimet e saj mbi ekonominë shqiptare. Autoritetet shtetërore kanë kontestuar çdo lloj deklarate apo klasifikimi të Shqipërisë në listën e vendeve të përfshirë nga kriza. Kjo ka bërë që të jepen deklarata konfuze në lidhje me rritjen ekonomike të vendit tonë gjatë vitit 2009 dhe në vazhdim. Refuzimi i deritanishëm ka bërë që të përjashtohemi nga të gjitha paketat e ndihmës financiare që kanë ndërmarrë organizatat dhe institucioneve ndërkombëtare më të fuqishme. E vetmja shenjë se Shqipëria po ndjen ethet e krizës u duk nga deklarata e kreut të qeverisë rreth një javë më parë, ku urdhëroi bllokimin e përkohshëm të prokurimeve. Situata është rënduar më shumë nga shpenzimet marramendëse të fushatës elektorale dhe kërkesa e vazhdueshme e qeverisë për marrjen e borxheve të brendshme. Interesat e bonove të thesarit kanë arritur në nivelin 9.22, ndër më të lartit gjatë shtat viteve të fundit. Alarmet e dhëna nga Banka e Shqipërisë për rritje të deficitit buxhetor përtej normave të parashikuara, flasin qartë se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet, duhet të marrë masa drastike. Edhe sektorë të veçantë si ndërtimi, industria fasone, por edhe retaili, po përkeqësojnë treguesit e tyre ekonomikë. Banka Qendrore thotë se ka ulje të ndjeshme të importeve dhe eksporteve gjatë këtij viti.
Paketat e shpëtimit
Banka Botërore ka rritur fondet për Europën dhe Azinë Qendrore gjatë vitit fiskal 2009, pikërisht në kohën kur ndodhemi në një recesion global për shkak të krizës financiare. Burimet zyrtare të këtij i institucioni me qendër në Uashington pohuan një javë më parë se do të jepen në mbështetje të vendeve dhe biznesit privat në Europë dhe Azinë Qendrore rreth 12.5 miliardë dollarë. Sipas tyre, ka një rritje në masën 58 përqind gjatë këtij viti në krahasim me periudhat e kaluara dhe kjo ndodh për shkak të ndikimeve të krizës. E gjithë paketa e ndihmës prej 12.5 miliardë është ofruar nga agjencitë e bankës: IBRD, IDA, IFC dhe MIGA. Tri ditë më parë Banka Europiane e Investimeve firmosi një kontratë me UniCredit për financimin e një shumë prej 1.2 miliardë dollarë në Europën Qendrore dhe Juglindore. Kjo është pjesë e Planit të Përbashkët të Veprimit me BERZH-in dhe Grupin e Bankës Botërore që janë angazhuar për të dhënë hua një shumë prej 24.5 miliardë eurosh për biznesin e vogël dhe të mesëm që është prekur nga kriza ekonomike dhe financiare. Përfitues të paketës prej 1.2 miliardë euro janë të gjitha vendet e rajonit; si Bosnje Hercegovina, Bullgaria, Çekia, Kroacia, Hungaria, Latvia, Polonia, Serbia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Turqia. Në këtë listë vendesh nuk është Shqipëria.
Po dje, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe banka Société Générale firmosën paketën prej 400 milionë euro në mbështetje të ekonomive të Europës Lindore që janë prekur nga kriza ekonomike botëtore. Edhe kjo shumë është pjesë e paketës anti-krizë prej 24 miliardë eurosh të firmosur nga tri prej institucioneve më të mëdha financiare globale; BB, BEI dhe BERZH. Pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm. E gjithë shuma do të shpërndahet nga degët e Société Générale në vendet e rajonit. BERZH ka deklaruar se do të investojë më shumë se 3 miliardë dollarë në mbështetje të sektorit financiar gjatë këtij viti. BERZH ka shtuar në masën mbi 50 përqind paketën e kredive për bizneset private dhe sektorin financiar në Europën Lindore, për t’iu ardhur në ndihmë ekonomive të rajonit gjatë këtij viti të vështirë.
Megjithëse institucionet financiare ndërkombëtare janë treguar të gatshëm që të kreditojnë me kushte lehtësuese Shqipërinë, qeveria ka refuzuar të pranojë deri më tani propozimet e tyre. Të gjithë ekspertët vendas dhe të huaj thonë se për shqiptarët do të ketë një periudhë të vështirë financiare, qoftë për shkak të refuzimit dhe moshartimit të politikave anti-krizë, qoftë edhe për shkak të shpenzimeve përtej planeve të parashikuara të fondeve të buxhetit gjatë vitit zgjedhor.
PAKETAT E FUNDIT
Grupi i Bankës Botërore deklaroi më 24 korrik shpërndarjen e paketës prej 12.5 miliardë dollarë për Europën dhe Azinë Qendrore
Banka Europiane e Investimeve dhe UniCredit firmosën më 27 korrik paktën prej 1. 2 miliardë euro për financimin e biznesit privat në Europën Qendrore dhe Juglindore
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Societe Generale firmosën më 29 korrik paketën prej 400 milionë eurosh në mbështetje të ekonomive të Europës Lindore
FMN miratoi më 29 korrik paketën 5-vjeçare prej 17 miliardë për vendet më të varfra. Deri në vitin 2011 interesi i kredive që jep Fondi është 0%. Më pas kanë terma fleksible
Paradoksi në qeverinë e re, PD nuk njeh krizën, LSI paraqet plan anti-krizë
Qeveria e re që pritet të krijohet në fillimin e muajit shtator do të përballet me një paradoks në lidhje me qëndrimin ndaj krizës financiare dhe efekteve mbi ekonominë shqiptare; në njërën anë PD-ja që mohon faktin që vendi është në krizë dhe në anën tjetër, LSI-ja, aleati kryesor në qeverisje që ka përgatitur një paketë anti-krizë, Prania e kësaj pakete dhe paraqitja e propozimeve konkrete për buxhetin e vitit të ardhshëm u deklarua dje nga zoti Dritan Prifti, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. “LSI-ja po punon për të përmirësuar programin e saj anti-krizë, që në momentin që të mblidhet Parlamenti dhe do të krijohet Qeveria e re, ne të kemi mundësi që të kontribuojmë në këtë qeverisje për t’u shkëputur përfundimisht nga kriza dhe nga efektet e krizës në vend”, - tha zoti Prifti gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Ai ka pohuar se kjo forcë politike ka propozime konkrete për buxhetin e vitit të ri qeverisës 2010, pavarësisht se ai tashmë ka filluar të përpunohet në Ministrinë e Financave dhe ministri të tjera, por me krijimin e Qeverisë së re ne do fillojmë të kontribuojmë për të futur në këtë buxhet disa elementë të nevojshëm që ka LSI-ja në programin e saj. “Ne do të përfshijmë në këtë buxhet disa nga propozimet tona në këtë program, më konkretisht përfshirjen e një fondi të veçantë garancie për sistemin bankar për të rritur kreditimin në sektorin bujqësor dhe në atë energjetik në vend”, - tha Prifti. Sipas nënkryetarit të LSI-së, “në fokusin e vëmendjes duhet të jenë investimet në bujqësi dhe sektori energjetik. Ai deklaroi se “do të ndihmojë fshatin shqiptar të kalojë këtë situatë krize”. “Ne në fillimin e qeverisjes së re do fillojmë të kontribuojmë seriozisht si një forcë e majtë dhe socialiste në një Qeveri të përbashkët me të djathtën për të futur elementë të mbrojtjes shoqërore, për të futur elementë të nxitjes së investimeve, të nxitjes së kreditimeve në mënyrë që ajo pjesë e shoqërisë shqiptare që është e prekur nga kriza të ketë mundësi të ketë dorën e shtetit për të kaluar këtë situate”, - përfundon deklarata e nënkryetarit të LSI-së, forcë e cila që prej shtatorit të këtij viti pritet të jetë në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike. Ndonëse LSI ka deklaruar se ka një plan anti-krizë, një gjë e tillë nuk është pohuar dhe as pranuar nga PD-ja e cila nuk ka deklaruar deri më tani një paketë masash, paçka se bota po përjeton prej një viti momentet më të vështira financiare të 60 viteve të fundit.
Biznesi: Katër kërkesat tona për qeverinë e re dhe shtetin
Vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, komuniteti i biznesit ka parashtruar katër kërkesa kryesore për qeverinë që pritet të krijohet në fillim të muajit shtator. Dhoma e Tregtisë dhe Industrinë ka adresuar për ekzekutivin dhe institucionet e tjera më të larta në vend këto çështje: Të ketë një përshkallëzim të TVSH-së sipas produkteve dhe shërbimeve. Kjo kërkesë konsiston së pari në heqjen e TVSH për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore, dhe të paguhet TVSH vetëm në rastin e ri-eksportimit të këtyre makinerive dhe së dyti të ulet TVSH për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura: së dyti, kërkohet që Banka e Shqipërisë të konsiderojë mundësinë e uljes së normës së interesit duke e bërë më të lehtë kështu përballimin e kredisë nga biznesi, pasi tashmë presionet inflacioniste janë më të pakta; së treti, qeveria duhet të mbylle së me shpejt procesin e legalizimit, pasi kështu futen në treg më shumë asete që mund të lihen peng dhe për rrjedhojë të rrisin mundësinë e kreditimit të operatorëve ekonomikë; dhe së fundi, të hiqet praktika e referencave doganore sidomos për importet nga Bashkimi Evropian ku kontratat nga këto vende dihet që janë të pa manipulueshme.
30 Korrik 2009