E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, përfundon renditja sipas cilësisë

07/07/2011  Maturantët para listimit të fakulteteve do mësojnë se kush janë programet cilësore në publik e privat

Mbetet jashtë këtij procesi Universiteti i Tiranës, që rezulton të jetë dhe më i preferuari

Para plotësimit të formularit të preferencave për degët e universiteteve ku duan të vijojnë studimet e larta, maturantët do të njihen edhe me raportin e cilësisë që ofrojnë strukturat e arsimit të lartë që janë përfshirë në procesin e renditjes së cilësisë (rankimi). Aktualisht agjencia gjermane ka përfunduar procesin e verifikimit të standardeve të cilësisë për të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat që i janë përgjigjur procesit të renditjes në katër programet studimore të caktuara. Shpallja e rezultateve për të gjitha këto programe pritet të bëhet publike gjatë javës së ardhshme, kohë në të cilën maturantët (pas marrjes së rezultateve për lëndët me zgjedhje) do të iniciojnë edhe procedurat zyrtare të aplikimit për pranimet në universitete.

Rezultatet

Lidhur me këtë proces burimet pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë konfirmojnë se raporti i detajuar për monitorimin dhe renditjen e universiteteve sipas cilësisë së diplomave që ato ofrojnë për maturantët ka përfunduar dhe do të shpallet më datën 12 korrik. Nxjerrja e rezultateve në këtë periudhë, sipas tyre, bëhet për shkak se ekspertët gjermanë dhe drejtuesit e dikastereve tona që janë marrë me këtë proces kanë rënë dakord që ky raport të bëhet publik përpara se maturantët të plotësojnë formularin A-2 për degët ku duan të vijojnë studimet e larta për vitin e ardhshëm akademik. Në këto kushte, të rinjtë kanë më shumë mundësi që të bëjnë zgjedhjen e duhur të programeve që ofrojnë diploma më të pranueshme nga tregu i punës.

Përplasjet mes publikut e privatit

Megjithatë, në procesin e rankimit nuk janë përfshirë shumë struktura të arsimit të lartë, një pjesë e të cilave nuk ofrojnë studime në katër fushat e testuara, si dhe të tjera që kanë bojkotuar këtë proces. Një ndër to është edhe Universiteti i Tiranës me tetë fakultete përbërëse, që rezultojnë të jenë ndër degët më të preferuara nga maturantët për të vijuar shkollën e lartë vit pas vitit. Kohë më parë, kur nisi procesi, drejtuesit e këtij institucioni deklaruan se nuk do të përfshihen në këtë proces, nëse më parë nuk bëhej akreditimi i të gjitha universitete publike e private. Kjo me qëllim që në garën e cilësisë të gjitha strukturat e arsimit të lartë të konkurrojnë në kushte të barabarta, për të shmangur kështu favorizimet që mund t’i bëhen sektorit privat. Megjithatë, ekspertët e arsimit kanë bërë me dije se kundrejt këtyre institucioneve nuk do të ketë penalizime, duke qenë se renditja për këtë vit është bërë si projekt-pilot vetëm në katër programe studimi. Megjithatë, pritet ende verdikti i Ministrisë së arsimit se çdo të ndodhë me këto institucione që nuk janë përfshirë në renditje. Sipas tyre, do të jenë vetë maturantët që do të bëjnë selektimet e tyre, duke lënë të nënkuptohet se më shumë në këtë proces përzgjedhjet do të bëhen mbi strukturat e arsimit të lartë privat, duke qenë se shumë struktura të publikut nuk janë përfshirë në rankim. Për strukturat që nuk kanë marrë pjesë në këtë proces bëhet me dije se s’do të ketë penalizime, por seleksionimi do të bëhet nga vetë maturantët, që do të zgjedhin më të mirin dhe diplomën më të sigurt që ofrohet në tregun e punës. Nga 62 institucione të arsimit të lartë publik e privat vetëm 35 prej tyre i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për t’u përfshirë në procesin e rankimit (renditjes) në katër fushat e caktuara tashmë. Procesi i renditjes së universiteteve sipas cilësisë që ofrojnë i paraprin procesit të akreditimit, për të cilin deri tani nuk ka aplikuar asnjë pranë Agjencisë së Akreditimit. Sipas të dhënave të bëra publike, aktualisht i vetmi universitet publik që ka mbaruar këtë proces është universiteti ushtarak “Skënderbej”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›