KLSH: Ministria e Mjedisit u ka dhënë leje kompanive në dëm të qytetarëve
Ervin KOCI
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar gjatë inspektimit të kryer më Ministrinë e Mjedisit shkelje që kanë ndikuar direkt në jetën e qytetarëve. Për vitet 2007-2008, kohë gjatë të cilit është kryer kontrolli, ka rezultuar se kjo ministri nuk ka hartuar programin kombëtar të monitorimit të mjedisit. "Mungesa e hartimit të këtij programi ka bërë që monitorimi i treguesve të mjedisit për vitet 2007- 2008 të kryhet në kundërshtim me ligjin. Përveç kësaj, janë konstatuar edhe shkelje të tjera",- thuhet në raportin e KLSH-së.
Ky institucion rendit një listë shkeljesh në lidhje me dhënien e lejeve mjedisore në shumë rrethe të vendit. Lejet u janë dhënë bizneseve të ndryshme pa respektuar kriteret e ligjit dhe parametrat mjedisorë. Në shumë prej tyre nuk janë përcaktuar materialet që do të përdoren gjatë prodhimit dhe efektet e tyre në mjedis. Një tjetër lloj shkeljeje e evidentuar nga KLSH është në mos zbatimin e kontratave të lidhura me institucionet e ngarkuara për monitorimin e mjedisit. Ndërkohë edhe në vjeljen e gjobave ka pasur probleme të mëdha pasi vitin e parë janë vjelë katër për qind, ndërsa vitin e dytë vetëm shtatë për qind. KLSH-ja ka depozituar në ministri edhe një listë me detyra që duhen kryer për përmirësimin e situatës.
Ndikimi në mjedis
Një pjesë e mirë e vendimeve të marra për aktivitete të ndryshme, nuk janë shoqëruar me studime të ndikimit në mjedis dhe mungojnë analizat mbi efektet dhe rezultatin që jep aktiviteti privat. Mbi të gjitha, ministria për një kohë të gjatë ka punuar pa pasur Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, sikurse e parashikon ligji. Duke mos pasur një program të tillë, drejtoritë e Politikave të Parandalimit të Ndotjes dhe Politikave të Monitorimit të Natyrës, kanë kryer një sërë shkeljes, jo vetëm në dëm të buxhetit të shtetit, por edhe mbi shëndetin e popullatës. Sa i takon gjobave ndaj subjekteve private, KLSH konstaton raste klientelizmi, trajtim i diferencuar, kurse e arsyet e ndëshkimit nuk janë bindëse. Në përfundim, KLSH ka nxjerrë përgjegjës disa zyrtarë të ministrisë, duke kërkuar ndëshkimin e tyre sipas ligjit. Për disa shkelje të evidentuara nga KLSH, ministria nuk ka shprehur asnjë kundërshtim.
Leje pa studim
Gjatë periudhës 1 janar 2007-30 gusht 2008, ministria ka marrë në shqyrtim 489 kërkesa për të pajisur me leje mjedisore subjektet private, në fushën e karrierave lumore, gurë gëlqerore, prodhim energjie e rinovueshme, çimento, prodhim tullash, etj. Nga të gjitha kërkesat, 20 nuk u miratuan, kurse 43 janë shtyrë për rishqyrtim. Nga kontrolli i ushtruar, mësohet se Drejtoria e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis ka pranuar nga Agjencitë rajonale të Mjedisit, dokumentacionin përkatës të subjekteve private dhe kërkesën për t’u pajisur me leje mjedisore, pa i protokolluar, sikurse e parashikon ligji. “U konstatua se inspektorët e mjedisit në rrethet Kavajë, Lushnjë, Krujë, Pogradec dhe Sarandë, kanë marrë atributet e Agjencisë Rajonale të Mjedisit. Disa inspektorë kanë pranuar dokumentacionin, dhënë mendim dhe përcjellë në ministri, pa e shqyrtuar dhe miratuar nga Agjencia Rajonale e Mjedisit. Drejtoria e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis ka dhënë leje, pa marrë mendimin dhe vlerësimin e anëtarëve të komisionit, duke mos pasur asnjë program rreth rehabilitimit të sipërfaqeve që do të dëmtohen”, thekson në raportin e KLSH-së. Sipas tij, komisioni ka marrë vendime për leje mjedisore pa zhvilluar mbledhje, të paktën në 4 raste. Kontrolli konstatoi mungesën e pasqyrimit të mbledhjeve në procesverbal, si dhe shumë vendime nuk janë zbardhur si duhet. “Në dosjet e paraqitura nga subjektet për t’u pajisur me leje, mungojnë të dhënat e përputhjes së projektit me planet kombëtare të zhvillimit ekonomik, me planet e rregullimit të territorit, etj. Shkelje ka për dhënien e tokave bujqësore për qëllime të ndryshme (prodhim tulla, fraksion guri dhe shfrytëzim argjile). Edhe te lejet për shfrytëzimin e lumenjve (karrierave), një pjesë e vendimeve është dhënë pa pasur dokumentacionin e plotë.
Kontrolli
Në morinë e lejeve të dhëna nga qeveria “Berisha” për ndërtim fabrikash çimento, disa prej tyre nuk kanë respektuar standardet e mbrojtjes së mjedisit. KLSH rezervon të japë emrat e subjekte, por thekson se, në lejen mjedisore për prodhim çimento, nuk janë të përcaktuara sipërfaqet që do të rehabilitohen me gjelbërim. Duke u ndalur te një rast (Balldren, Lezhë), KLSH thotë se, “në lejen mjedisore nuk janë pasqyruar sasia e mbeturinave të rrezikshme që do të përdoren gjatë fazës së ndërtimit, si karburant, vajra, etj. Nuk pasqyrohen materialet që do të përdoren gjatë prodhimit në vazhdimësi, por që konsiderohen potencialisht të rrezikshme, si acetilen, gazra, tretës, bojëra, rrëshira, etj. Si dhe masat për parandalimin e ndotjes”.
25 Shtator 2009