Një adoleshent identifikohet si autori i dytë i grabitjes së familjes kosovare
Kukës - Policia e Kukësit deklaroi dje se e ka identifikuar autorin e dytë të ngjarjes që ndodhi dy ditë më parë në afërsi të qytetit, kur u sulmua me armë një automjet me udhëtarë kosovarë, me pasojë plagosjen e 28-vjeçares, nënë e dy fëmijëve. Pas ndalimit të shtetasit K. S., 15 vjeç, një nga autorët e akuzuar të kësaj ngjarjeje, policia e Kukësit ka identifikuar dhe bashkëpunëtorin e tij të dyshuar, që sipas saj, është gjithashtu një adoleshent. “Është identifikuar autori i dytë, edhe ai adoleshent, por emri i tij nuk bëhet i ditur për shkak të sekretit hetimor”, -tha dje zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, Irena Laknori. Sipas saj, kërkimet për ndalimin e tij janë shtrirë në një zonë të gjerë, ndërsa krahas forcave të policisë së qarkut të Kukësit janë angazhuar dhe forca të ardhura nga Shkodra, të cilat kanë patrulluar e vazhdojnë të kontrollojnë aksin kryesor rrugor që lidh Kosovën me Shqipërinë.
Ngjarja për të cilën akuzohen dy adoleshentët ndodhi rreth orës 03:00 të së martës, kur në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Uzinës” ata tentuan të grabisin udhëtarët kosovarë që qarkullonin me një automjet në drejtim të plazheve të Shqipërisë. Në pamundësi grabitjeje, për shkak të kundërshtimit të udhëtarëve, ata qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre, duke plagosur në këmbë shtetasen Makfine Berisha, 28 vjeç, nga Prishtina.
9 Korrik 2009