E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfidat e Ina Ramës



Artan Mullaj

Para disa muajsh, një ngjarje makabre iu shtua morisë së ndodhive në Shqipëri, Gërdeci. Në të vërtetë, nuk është se kjo tragjedi përbënte një lloj lajmi të rrallë, bri çudirave të mëdha që kanë ndodhur për vite të tëra në tranzicionin e trishtë shqiptar. Ka pasur kaq e kaq gjëma e bëma, vit pas viti, çudi pas çudie, në këtë vend. Dihen nga të gjithë dhe lista është e gjatë. Krimi në përgjithësi është bërë një gjë e zakonshme dhe hatatë, edhe kur janë të mëdha, edhe kur thikën e mban shteti në dorë, janë kthyer në një rutinë përditshmërie.
Supozimi, por edhe sarkazma, është se si një tragjedi, Gërdecin, në fakt po e fshin harresa. Si në të gjitha rastet, koha është treguar e pamëshirshme në asgjësimin e hollësirave të ngjarjes. Ashtu si vjedhja masive e parave në piramida dhe lufta shumëviktimëshe e ‘97-s, dhuna dhe vjedhjet masive të votave, ikjet masive të shqiptarëve dhe tragjeditë që i shoqëronin ato, njëlloj edhe shpërthimi i hatashëm, duket se e humbi shkëlqimin e interesit të parë dhe la pas veç një tymnajë.
Megjithatë, pas tymnajës që la shkatërrimi dhe kujtimi i tmerrshëm me 26 qytetarë të ikur, ka mbetur diçka tjetër: një elektrizim që e ngre këtë ngjarje mbi ngjarjet e tjera.
Njëherazi duket se Gërdeci ka lënë pas një dinamikë tjetër…, një emancipim të ri.
Shpjegimi i kësaj dinamike duhet gjykuar jo më në faktin se kjo histori la pas dyshime për një pistë korrupsioni që gishttregon drejt familjes së kryeministrit. Si një lajm i lodhur, korrupsioni i pushtetarëve nuk është diçka historikisht e rrallë te ne. Në të gjitha rastet dhe në të gjitha pushtetet, korrupsioni ka qenë dhe është "Bishti i Balonës", një ndjekës i pamposhtur i tyre. Ky shpjegim nuk ka të bëjë as me faktin se kjo çështje është duke u hetuar. Edhe më parë, gjithçka arkivohej në dosjet e prokurorëve. Dihej dhe dihet se më tepër se ngjarjet e kobshme, shkeljet masive të ligjit dhe penalitetet, hetimet ndaj politikanëve të tranzicionit, kanë qenë rutina e rutinës, përsiatje antiligjore, të përziera me buzëqeshje perverse “Delijorgjish” e “Fazlliçësh”.
Në fakt, shpjegimi i kësaj dinamike ka lidhje me diçka më serioze, me përpjekjet për instalimin e një institucioni të ri në vend, atë të shpresës për drejtësi.
Është hera e parë që në Shqipëri po bëhen hetime pavarësisht politikës, sidomos pavarësisht ekzekutivit, ndërsa ka shumë vështrime që drejtohen në plotësimin e këtyre hetimeve, pasi të gjithë përfundimin e duan patjetër. Së paku, kështu duket deri tani.
Pikërisht në këtë përpjekje fillon shpresa, si institucion (ka qenë kaq e egër mungesa e saj në perceptimin shqiptar, sa rikthimi i saj nuk mund të përshkruhet më seriozisht e më ndryshe veç si një dukuri me rëndësinë e institucionit).
E vërteta është dhe të gjithë e dimë se hetohet për Gërdecin, për qeveritarë, për aferat, për trafiqet, për shkeljet e shfrenuara të ligjit, për abuzimet dhe shpërdorimet e fondeve publike. Kulti i drejtësisë, që shqiptarëve u ka munguar dhimbshëm shekullin e fundit, ka gjasa të jetë në një performim të ri, falë përkushtimit të admirueshëm të Prokurores së Përgjithshme dhe ekipit të saj.
…Kryeprokurorja ia ka dalë të paktën deri tani të nisë të depozitojë në llogari të institucionit që drejton një kapital kaq të çmuar sa është besimi i komunitetit. Ajo ç’ka është për t'u qartësuar është vazhdimësia. Besimi është gjysma e qenies, pra është vetëm gjysma e çështjes. Gjysma tjetër është përfundimi.
Madje, në skenën shqiptare të ngjarjeve, instalimi i "shpresës për drejtësi", herë-herë kap përmasat e fenomenit. Kjo mund të thuhet dritazi nëse sillet parasysh që shqiptarët janë sot në një krizë të shqartër vetëdijeje. Kjo pasoi krizën e besimit, që është sëmundja më e madhe e shoqërisë pas korrupsionit. Ndaj, mund të supozohet se motoja e kapshme e Ina Ramës për drejtësi të vërtetë prezantohet pikërisht kur bërja e kësaj fillese qe më e domosdoshme se kurrë.
Për fat të mirë, duket se Ina Rama ka bindur diplomatët e huaj dhe ndërkombëtarët me fisnikërinë e fillimit të aventurës së saj për drejtësi të shëndetshme. Por, sa më shumë kjo mbështetje materializohet e konsolidohet, ndërsa hetimet vazhdojnë, aq më shumë thellohet hendeku mes saj dhe politikës së ditës, nga ana tjetër, dhe kjo është e kuptueshme. Nëse kupola qeverisëse nuk ka arsye të rëndësishme si implikime dhe afera të qeveritarëve, reaksioni ndaj instalimit të drejtësisë mund të ketë shkak xhelozinë kolektive të mazhorancës apo zhgënjimin e saj, që vuri në krye të prokurorisë me dorën e saj një "grerë" që di të pickojë.
Meskiniteti i deklaratave të shumta të kupolistëve të PD-së kundër Ina Ramës, sidomos gjatë zullumit “Fazlliç”, e vërteton qartazi këtë gjë dhe vërteton gjithashtu se ky meskinitet drejtuesish me pushtet është vetëm një hap mediokriteti.
Por, nëse nuk është thjesht zhgënjim për humbjen e një instrumenti, por ekzistojnë arsye dhe çështje të tjera që rrezikojnë implikime pushtetarësh në afera dhe korrupsion, duhet thënë se reagimet e ashpra të disave, deputetë apo gazetarë të djathtë, mund të jenë vetëm maja e ajsbergut, çka do të thotë se disa njerëz fshehin brenda siklete të mëdha dhe strategji të mëdha gjithashtu për t'iu shpëtuar atyre.
A do t'i rezistojë Ina Rama presioneve të mazhorancës? Kjo mbetet për t'u provuar. Është e qartë se mund të supozohet që do të ketë një rritje të presionit mazhoritar dhe kjo për arsyen e thjeshtë se frika mund të jetë më e thellë sa më shumë që zhvillohen hetimet. Kjo energji negative do të jetë e padukshme. Në të gjitha rastet, informacionet mediatike janë veç derivate modeste të ngjarjeve të vërteta. Të vërtetat zhvillohen mbrapa perdesh të errëta, në formë pazaresh, gëlimesh e kontratash milionëprurëse, në kurriz të së drejtës së qytetarëve për të kontrolluar e së paku për t’u informuar për gjithçka ndodh në arenë. Megjithëse aktorët janë naivë, edhe te ne gjithçka ndodh në prapaskenë, si në historitë e Shekspirit.
Por kryesorja është a do ta bëjë si duhet deri në fund punën e saj prokuroria, apo ngrehina e brishtë e institucionit të shpresës sot, do të rrëzohet si një kështjellë rëre nesër?!

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›