E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagos me sëpatë kushëririn për kullotën e bagëtive



KORÇË - Një sherr për tokën ka lënë një të plagosur, ndërsa dy të tjerë ndodhen nën hetim pas përleshjes me sëpata mes tyre. Policia e Korçës tha se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:15 të ditës së diel, në fshatin Zboq të komunës Libonik. Sherri dhe më pas plagosja ka ndodhur gjatë një konflikt për shkaqe pronësie, (toke kullotë) ku ka mbetur i dëmtuar Bedri Ganollari, 72 vjeç. Sipas policisë, i moshuari është goditur me mykun e sëpatës nga nipi i tij Andon Ganellari. Ndaj 35-vjeçarit Ganellari kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”, si dhe “mbajtje pa leje të armëve të gjahut dhe sportive”. Këto akuza janë ngritur pasi, gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe një armë gjahu pa leje. Gjithashtu policia ka nisur hetimet dhe për djalin e të plagosurit. Sipas të dhënave, ka filluar ndjekja penale në gjendje të lirë për veprën penale “plagosje së lehtë me dashje” për Ajredin Ganollarin, 36 vjeç, pasi ka goditur me mykun e sëpatës kushëririn e tij, Andon Ganellari, për të mbrojtur babanë e tij. Hetimet janë marrë në dorë nga Prokuroria e Korçës.

Zënka mes dy grupeve rivale, mbeten dy të rinj të plagosur

DURRËS - Një i ri ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Durrësit, pasi është qëlluar me thikë gjatë një zënke. Policia e Durrësit tha se një sherr mes pesë të rinjsh ka sjellë dy të plagosur, ndërkohë që agresorët janë shpallur në kërkim. Sipas policisë, rreth orës 15:30 të tri ditëve më parë, në Lagjen Nr. 1 në qytetin bregdetar, te kryqëzimi i Rrugës Tregtare me atë të Vilës së Zogut, të rinjtë M. K., E. D., nga 21 vjeç dhe G. B., 20 vjeç, në kohën kur udhëtonin me një automjet fuoristradë tip “Benz”, me targa DR 4477 E, kanë hasur përballë në një automjet tip “BMW X5” me targa TR 2336 F, në pronësi të Ervis Krasniqit, 25 vjeç, dhe Klevi Çuni, 20 vjeç, që të dy nga qyteti i Durrësit. Por gjatë paradites G. B. kishte pasur një konflikt me të dy këta të rinj. Në momentin kur palët janë afruar për t’u sqaruar, konflikti është rihapur fillimisht me sharje, goditje me grushte. Por më pas janë goditur me thikë G. B. dhe E. D. Dy të dëmtuarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Durrësit, ku pas mjekimit të marrë E. D. ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa G. B. në gjendje të rëndë shëndetësore. Hetimet lidhur me këtë ngjarje janë duke u bërë nga Seksioni i Krimeve Kundër Personit. Ndërkaq, janë shpallur në kërkim Ervis Krasniqi dhe Klevi Çuni. Ata akuzohen për “tentativë vrasjeje me dashje në bashkëpunim”.

Shpejtësia e motoçikletave, 1 i vdekur dhe 4 të tjerë të plagosur
DURRËS/LEZHË – Një person ka gjetur vdekjen dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë 36 orëve të fundit në disa aksidente të ndryshme të ndodhura në rrethet e Durrësit, të Lezhës dhe Krujës. Sipas burimeve zyrtare, “shkak i aksidenteve ka qenë moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor”. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Durrësit njofton se mbrëmjen e së dielës, në vendin e quajtur “Mbikalimi hekurudhor Sukth”, shtetasi Mujo Sabli, lindur dhe banues në fshatin Borakë të komunës së Xhafzotajt, në kohën kur drejtonte një motoçikletë pa targa, tip “Vespa”, është përplasur me traun e postbllokut. Si pasojë e përplasjes 72-vjeçari ka marrë dëmtime të rënda dhe gjatë kohës kur transportohej për në Spitalin e Durrësit ka gjetur vdekjen. Ndërsa ditën e hënë, një motoçikletë i ka prerë rrugën makinës dhe për pasojë drejtuesi i saj është plagosur rëndë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje, rreth orës 10:00, në autostradën Lezhë – Fushë-Krujë, kur një motoçikletë që drejtohet nga shtetasi Ylli Kuqi, i ka dalë para në rrugë automjetit tip kamionçinë me targa të Tiranës. Për pasojë drejtuesi i mjetit dhe i motoçikletës janë plagosur. Makina me targa TR 73 10 J drejtohej nga 31-vjeçari, Petrit Mesi nga Fushë-Kruja. Ndërsa në motoçikletë ka qenë shtetasi Muharrem Dika, 41 vjeç po nga Fushë-Kruja. Po ashtu, shtetasi Gjin Zefi është aksidentuar rëndë dje në orët e paradites në rrethin e Lezhës. Ai ka marrë plagë pasi është përplasur nga një automjet teksa po drejtonte motoçikletën e tij në autostradën Lezhë-Shkodër. Edhe drejtuesi i makinës ka marrë plagë dhe gjendet në spital. Nga ekspertiza e policisë në vendin e ngjarjes mësohet se 50-vjeçari Zefi i ka prerë rrugën automjetit që drejtohet nga Jak Pema, pranë fshatit Balldre. Dy të aksidentuarit, 64-vjeçari Pema dhe 50-vjeçari Zefi janë transportuar për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Kanë nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj 18-vjeçarit B. B., nga Shijaku. Policia tha se procedimi ndaj tij ka filluar pasi rreth orës 12:30 të ditës së diel, në segmentin rrugor Shijak-Hardhishtë, kur drejtonte automjetin e tij tip “Golf” me targa DR 1264 B, ka dalë nga rruga dhe është batuar. Si pasojë është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit i cili ndodhet nën trajtim jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Durrësit.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›