E Diel, 1 Nëntor 2026

Robert Budina: TIFF 09, një test për kinematografinë shqiptare



Prej katër ditësh është hapur edicioni i shtatë i “Tirana International Film Festival”. Kësaj here ky festival vjen ndryshe për publikun tonë. Regjisori i njohur Robert Budina, i cili është pjesë e jurisë kombëtare tregon për risitë dhe vlerat që ka sjellë ky festival në edicionin e tij të shtatë. Sipas tij, TIFF është një ndër festivalet e veçanta në këtë moment pasi në një të ardhme këto takime dhe bashkëpunime mund të shërbejnë për krijime të reja. Më tej Budina theksoi se, “kinemaja nuk u hap thjeshtë në formimin artistik, u hap dhe në pikëpamje teknike, ne u përballëm me skema që për të ndërtuar një film duhej të kaloje disa shkallë. Në kuptimin artistik unë them që kemi vlera të mëdha, ndërsa në kuptimin e orientimit kemi mangësi jo si rezultat i asaj që nuk dimë por i pamundësisë. TIFF është një ndër festivalet që të krijon mundësi”.

Çfarë mendoni që ka sjell TIFF ‘09?
Është një aktivitet i cili ndihmon shumë krijuesit në kinema. TIFF ndihmon jo vetëm krijuesit por ndihmon shumë publikun që të përcjell një mendim i cili nuk është thjesht, ndihmon të hap botën shpirtërore në dimensione që jeta e përditshme nuk ta ofron. TIFF është një ndër festivalet e veçanta në këtë moment pasi në një të ardhme këto takime mund të shërbejnë për krijime të reja. Duket si një gënjeshtër, si një ideologji por po të shikosh por nga këto takime lindin projekte të cilët më vonë kushtojnë miliona dollarë, që jo vetëm i jep shteti shqiptarë por vijnë nga jashtë dhe investohen në Shqipëri. Shpesh kinemaja tek ne shihet si një harxhim, por nuk është ashtu sepse shteti shqiptarë në filmat që prodhon harxhon një pjesë të caktuar të lekëve dhe pjesën tjetër e harxhojnë bashkëprodhimet. Kështu që nuk është thjeshtë një fitim kulturor por është edhe një fitim ekonomik. Prandaj kinemaja duhet parë me një sy më të mirë, sepse si rezultat i prurjeve që vijnë nga jashtë zgjerohet mundësia për punë, dhe duke u zgjeruar mundësia për punë, zgjerohet dhe mundësia për bashkëpunim më të madh kulturor. Për këtë moment që jemi TIFF është nga të vetmet aktivitete që kryen deri në fund efektin e vet. Natyrisht që publiku mund të ishte akoma më i madh por ka të bëjë me perceptimin që ne kemi për jetën. Kënaqësinë emocionale që të dhuron një vepër artistike duke e frekuentuar, them se do ishte akoma më e bukur në qoftë se njerëzit do të ishin akoma më prezent. Vlen të theksohet se është viti që ka vëmendjen e duhur nga njerëzit që punojnë nga shteti, ka një specializim më të organizuar, momenti i bashkimit dhe i transmetimit nga televizionet përbën maksimumin, sepse kinemaja në vetvete nuk mund ta bëj dot. Duhen patjetër të futen televizionet të cilat i kanë mjetet e komercializimit, televizionet ta shpërndajnë dhe më tej vlerën duke mos e lënë thjesht si kinema.
Si mendoni si është pritur TIFF nga publiku?
Tashmë kinemaja është futur në konkurrencë më shumë gjëra, me internetin, mbas këto janë arsyet që publikun e kanë larguar. Shkurtimi në masë i kinemave në Shqipëri ka bërë që të mos ketë më leverdi që transmetohet filmi në kinema, prandaj gradualisht publiku largohet dhe nuk është i përqendruar. Për mua të ndjekësh një vepër në kolektiv është një emocion që transmetohet vetëm në kinema. Duhet të shkohet te publiku bashkë me vlerën jo duke u shkëputur prej saj. Unë jam me mendimi që mund të gjejmë për ti shkuar publikut për ti treguar bukur atë që ai vuan çdo ditë.
Sa efikase janë politikat kulturore që janë ndjekur deri tani?
Mendoj që nuk ka pasur politika kulturore përfshirë edhe mua, nuk kam qenë ndonjëherë një aktor kaq i denjë sepse ne e kemi shumë vështirë të luajmë një pjesë të gjithë bashkë. Çdo gjë është parë në mënyrë profesionale. Të gjithë pushtetarët vijnë dhe ikin, ato që ngelemi jemi ne komuniteti. Ky komunitet është akoma i pjekur që të luftojë për të drejtat e veta.
Ku qëndron e meta e kinemasë Shqiptare?
Duhet të kemi parasysh një gjë, duhet ta kapim më thellë çështjen, ne kemi atë historinë që kemi, ne kemi qenë të mbyllur. Kineastët tanë, si Pirro Mikani dhe Çashku ishin të fundit që mbaruan jashtë shtetit, u mbyllën dhe u izoluan, nuk patën kontakte me botën. Në një mënyrë apo në një tjetër sigurisht që prodhonin vlera të mira artistike në vende të caktuara por nuk kishin ballafaqim. Tani që kinemaja u hap, dhe nuk u hap thjeshtë në formimin artistik, u hap dhe në pikëpamje teknike, ne u përballëm me skema që për të ndërtuar një film duhej të kaloje disa shkallë. Në kuptimin artistik unë them që kemi vlera të mëdha, ndërsa në kuptimin e orientimit kemi mangësi jo si rezultat i asaj që nuk dimë por i pamundësisë. TIFF është një ndër festivalet që të krijon mundësi. Unë mund të them që më atë mundësi që kemi pasur ne kemi bërë filma shumë të mirë, dhe bashkë me jetën ecën dhe kinemaja. Prandaj TIFF është një tribunë që kështu duhet ti bëjmë gjërat, sepse në fund të fundit përcjellim kulturë dhe nuk përcjellim tensione.
Si e shikoni bashkëpunimin te filmi “Muajt e Mjaltit”, përshtypjet tuaja?
Ajo nuk ishte thjeshtë një vepër e mirë, ishte një marrëdhënie shoqërore e shkëlqyer. Ai, Gorjan Paskaljeviç shembi të gjitha muret, erdhi u ofrua bashkëpunoi me ne, na pa si qenie njerëzore dhe ne komunikuam. Ai e mendoi një energji pozitive dhe mori gjithë grupin dhe realizuan një film që ne e kemi parë.
Çfarë mendoni për brezin e ri të aktorëve?
Të them të drejtën ne ishim një brez që mësuam disiplinën dhe skemën e re, ndërsa brezit të ri ju mungon eksperienca e kohëve të vështira që jetuam ne, por mendoj që këta kanë marrë përgjegjësi për të jetuar me këtë zanat, kjo është një sfidë që ne nuk e kishim. Në këtë sfidë ato dinë edhe të ballafaqohen me realitetin dhe të jetojnë me zanatin e tyre, po arrite këtë kombinim atëherë je artistë.
Çfarë projekti teatror po përgatit?
Unë jam duke punuar një pjesë teatrale me Ramsolin, një pjesë që e ka shkruar vetë ai. Është një tregim tragjikomik, i ka të gjitha brenda, dhe po merremi me atë që ta përgatisim në sezonin janar-shkurt në një turne në të gjithë Shqipërinë, sepse jam i mendimit që teatri nuk mund të bëhet për karrigen bosh.
Çfarë mund të na thoni për kinemanë kineze të viteve ’70?
Kinemaja kineze e viteve të asaj kohe bëhet mirë që kujtohet në këtë momente, për faktin se duhet kuptuar se çdo të thotë kinemaja e propagandës. Bëhet mirë që vihet në skenë sepse të rikujton se çfarë duhet të bësh.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›