Kosova dhe Serbia përballen për pavarësinë në Hagë
Blerina Olldashi
Para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ka nisur procesi për shqyrtimin e çështjes së legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pala serbe ka nisur e para, në orën 10, prezantimin e qëndrimit rreth pavarësisë së Kosovës. Përfaqësuesi i Serbisë Dushan Batakoviç, i cili është ambasador i Serbisë në Francë, tha se shpallja e pavarësisë ishte e paligjshme. Ai e quajti Kosovën “djepi historik i Serbisë”. Ndërkohë delegacioni i Kosovës ka nisur paraqitjen orën 15. Ministri i jashtëm Skënder Hyseni tha se Serbia nuk tha asgjë gjë të re në këtë rast. “Ajo që dëgjuam ishte vetëm rikonfirmim i së drejtës së rastit të Kosovës dhe të pavarësisë së Kosovës”- u shpreh Hyseni përpara gazetarëve menjëherë pasi Serbia paraqiti fjalën e saj në seancën e djeshme. “Ne jemi të sigurt se gjykata në fund do ta rikonfirmojë vullnetin e Kosovës për të qenë e pavarur dhe vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”,- tha Hyseni. Ministri në fjalën e tij e ka cilësuar deklaratën e pavarësisë si një “manifestim dhe realizim të vullnetit të popullit të Kosovës dhe ky vullnet, tha ai, shkon shumë vite prapa”. Ai tha se Kosova është e përkushtuar që të ecë përpara dhe të shikojë nga e ardhmja. “Tani, më në fund, ka paqe dhe siguri në Kosovë dhe në rajon, jemi të vendosur që ta ruajmë këtë paqe”,- tha Hyseni dhe përmendi gjithë shkaqet dhe faktorët që çuan drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në bashkëpunim siç tha edhe me faktorin ndërkombëtar. Ndërsa ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, tha në Hagë se Serbia me kërkesën për të shqyrtuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka dhënë një “kontribut historik për qëndrueshmërinë në Ballkan”. Ai tha se Serbia ka “bërë histori duke vendosur që t’i përgjigjet shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës duke përdorur mjete paqësore, diplomatike dhe ligjore. Dita e sotme do të mbahet në mend si një ditë kur paqja është shtrirë në Ballkan edhe në rastin kur çështjet e vështira janë vënë në tavolinë dhe kur mendime të ndryshme po konfrontohen”,- tha Jeremiç. Seancat dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë filluar me paraqitjen prej afro 3 orësh të palës serbe dhe argumenteve të saj kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Delegacioni serb në Gjykatë ka deklaruar se çështja e paraqitur para Gjykatës është e një rëndësie jetike për shtetin serb, meqë sipas ambasadorit të Serbisë në Paris, Dushan Batakoviç, Kosova është “djep i Serbisë”. Ai kërkoi nga Gjykata, që të vendosë, siç tha, drejtësinë duke i dhënë të drejtën Serbisë mbi Kosovën. Ministri Jeremiç, tha se pret nga Gjykata që të japë një mendim që është në përputhje me qëndrimin që Serbia ka paraqitur në Gjykatë dhe ka shfaqur besimin e tij se “Gjykata nuk do të përligjë ndarjen me forcë të një pjese të një vendi anëtar i OKB-së”. Ai tha se pas vendimit në favor të Serbisë, të dyja palët duhet të ulen dhe të negociojnë e të gjejnë kompromis. Tri orët e pasdites ndërkaq iu rezervuan përfaqësuesve të Kosovës dhe argumenteve te tyre për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së saj.
ǒështë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që njihet ndryshe dhe si gjykata botërore, është një gjykatë e përhershme e OKB-së me seli në Hagë. Ajo e ka filluar punën në vitin 1946, kur zëvendësoi Gjykatën e Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë që kishte funksionuar që nga viti 1922. Po si funksionon Gjykata dhe nga nga ndryshon ajo prej gjykatave të tjera? Cili është misioni i GJND-së? Kjo gjykatë ka dy funksione: Merr vendime në raste mosmarrëveshjesh, kur një shtet e kërkon një gjë të tillë. Jep opinione kur i kërkohet nga organizma apo agjenci të OKB-së siç është për shembull kërkesa e Asamblesë së përgjithshme e vitit 2003 për ligjshmërinë e barrierës që Izraeli ka ndërtuar në Bregun Perëndimor. Gjykata përbëhet nga 15 gjykatës, të kombësive të ndryshme, që zgjidhen për një mandat 9-vjeçar nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit. Anëtarët e GJND-së nuk përfaqësojnë qeveritë e vendeve nga vijnë, por janë gjykatës të pavarur. GJND-së mund t’i drejtohen vetëm e njohura ndërkombëtarisht të cilat mund të aplikojnë dhe të paraqiten para Gjykatës. Gjykata mund të dëgjojë një çështje para saj vetëm në rast se shtetet e përfshira në të, e kanë pranuar juridiksionin e saj. Një çështje nis me paraqitjen dhe shkëmbimin me me shkrim të argumenteve nga palët, e pasuar nga disa seanca dëgjimore.
Pas seancave dëgjimore, anëtarët e gjykatës e shqyrtojnë çështjen dhe pastaj gjykata shpall vendimin publikisht. Vendimi është i formës së prerë dhe nuk apelohet. Nëse një nga shtetet e përfshira nuk e zbaton atë, atëherë pala tjetër mund ta çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Që nga viti 1946, gjykata ka dhënë të paktën 93 vendime në raste mosmarrëveshjesh që variojnë nga mosmarrëveshjet kufitare dhe sovraniteti territorial, deri tek mospërdorimi i forcës, mosndërhyrja në çështjet e brendshme të shteteve, raste pengmarrjesh, të të drejtës së azilit politik e kombësisë. Këshillat e gjykatës kanë karakter konsultativ, nuk janë të detyrueshme për palët e përfshira.
2 Dhjetor 2009