E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD bien dakord për Kodin Zgjedhor



Eljona Ballhysa
Dy partitë e mëdha parlamentare, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, duket se kanë rënë dakord për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Burime informacioni kanë bërë të ditur se palët kanë rënë dakord për pikat kryesore që do të ndryshohen në Kodin Zgjedhor. Sipas burimeve, diskutimet kanë vazhduar jo vetëm në nivel ekspertësh midis dy palëve, por dhe në nivel politik. Dy bashkëkryetarët e Komisionit të posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor, Fatmir Xhafaj i PS-së dhe Ilir Rusmali i PD-së, kanë zhvilluar disa takime informale dhe kanë hedhur piketat e para, të cilat priten të diskutohen së shpejti në këtë komisionin parlamentar.
Drafti
Sipas burimeve bëhet e ditur se drafti paraprak për ndryshimet në Kodin Zgjedhor tashmë është bërë gati nga ekspertët e dy partive të mëdha. Palët kanë rënë dakord për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, për hartimin e listave të zgjedhësve dhe për votimin. Sipas burimeve, është përcaktuar që data e zgjedhjeve të përcaktohet në periudhat nga data 15 mars deri me 30 qershor dhe nga data 15 shtator deri më 30 nëntor. Gjithashtu, mësohet se është rënë dakord edhe për listat e zgjedhësve, që është dhe një nga çështjet më të debatueshme në çdo proces zgjedhor. Palët kanë rënë dakord që listat të hartohen në bazë të Regjistrit Kombëtar elektronik të Gjendjes Civile dhe se votuesit do të votojnë vetëm aty ku banojnë, përjashtuar disa kategori, si ata që vuajnë heqjen e lirisë, ushtarakët dhe pacientët e shtruar në spital. Për një nga çështjet që ka ndezur një debat mjaft të ashpër në gjirin e të majtëve, krijimi i koalicioneve të përbëra, dy partitë e mëdha duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Kështu sipas burimeve, ekspertët e Partisë Demokratike dhe ata të Partisë Socialiste kanë rënë dakord që të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me koalicione të përbëra. Gjithashtu mësohet se palët kanë ende çështje që pritet të diskutohen së shpejti në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pritet të vendoset për çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve, ndarjen e mandateve, përbërjen e komisioneve vendore zgjedhore, përbërjen dhe kompetencat e Komisionit Qendror Zgjedhor etj.
Deklarata
Vetëm pak ditë më parë bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor, Ilir Rusmali, bëri të ditur për gazetën “Albania”, se ky komision do të mblidhet këtë javë për të diskutuar mbi ndryshimet që do të pësojë ky ligj i rëndësishëm. “Unë mund t’ju them se puna ka vazhduar gjatë gjithë kësaj periudhe. Me ndryshimet në Kod është marrë një ekip i posaçëm ekspertësh. Unë nuk kam shumë informacion, por mund t’ju konfirmoj që do të ketë më shumë se një mbledhje të komisionit”, - është shprehur Rusmali.

Seanca parlamentare, pozita dhe opozita, akuza dhe premtime për bashkëpunim

Ka nisur dje pasdite punimet në seancë parlamentare Kuvendi i Shqipërisë. Pozita dhe opozita kanë konfirmuar gjatë fjalimeve të mbajtura nga krerët e grupeve parlamentare angazhimin për bashkëpunimin midis palëve për të miratuar reformat e rëndësishme. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së saj, e ka cilësuar të suksesshme sesionin e kaluar parlamentar dhe ka kërkuar angazhimin e palëve për këtë sesion të ri. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ndërsa ka vënë theksin në modelin e ri të opozitarizmit që ka treguar PS-ja, ka kritikuar mënyrën e drejtimit të seancave nga kryetarja Topalli dhe indiferencën e Berishës, i cili nuk ka marrë pjesë në interpelancat e thirrura nga opozita. “Braktisja e sallës nga kryetarja e Kuvendit në kohën kur raportonte prokurorja e Përgjithshme është dëshmi e primitivizmit. Kryetarja ka dëshmuar shpeshherë se ngatërron rolin e spikeres me rolin e nënkryetares së PD-së. Ndërsa kryeministri ka 9 muaj që nuk raporton në Kuvend, pavarësisht kërkesave për interpelanca prej opozitës”, - është shprehur Leskaj.
Ajo ka kërkuar llogari për lënien në heshtje të tragjedisë së Gërdecit. Sipas saj, kryeministri Berisha duhet t’i përgjigjet opozitës për tragjedinë e Gërdecit. Më tej Leskaj u shpreh se PS-ja është e gatshme të japë kontributin e saj për realizimin e reformës zgjedhore dhe bëri thirrje që kjo reformë të realizohet brenda periudhës së përcaktuar. Sipas saj, qeveria duhet të prodhojë dhe t’i pajisë sa më parë qytetarët me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Leskaj, gjithashtu, ka prekur dhe ligjin e ri të Prokurorisë, i cili është duke u hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Ajo u shpreh se ky ligj duhej të diskutohej midis partive politike. “Ne nuk prisnim që qeveria të hartonte një draft vetëm për Prokurorinë. Ne presim që qeveria të mbështesë Komisionin e Ligjeve dhe në një proces të hapur, të konsultuar me partnerët ndërkombëtarë, të diskutohej reforma në Drejtësi. Asnjë ligj për Prokurorinë, që nuk forcon pavarësinë e këtij institucioni, nuk do të votohet nga PS-ja”, - është shprehur Leskaj.
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka shprehur vullnetin për miratimin me konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe të ligjit për Prokurorinë. Ai gjithashtu kërkoi bashkëpunimin e opozitës për miratimin e ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. “Duhet të vijojë me ritme më të shpejta për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Ne shprehim angazhimin dhe impenjimin tonë maksimal për realizimin e këtyre reformave. Është gabim të thuash që ligji i ri për Prokurorinë ka lidhje me Gërdecin. Nuk është serioze që një ligj, siç është ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, ne ta kthejmë në një gur Sizifi. Socialistët të kontribuojnë për projektin për pastërtinë e figurës ë zyrtarëve të lartë. Maxhoranca ka prirje për të kërkuar kompromisin në mënyrë që të miratojmë këtë ligj. Është normale që fushata zgjedhore do të ngrejë temperaturën politike. Por debati politik nuk duhet të na ndalojë dhe të na pengojë nga reformat e mëdha”, - është shprehur Patozi.

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›