Projektligji i ri për SHKB-në, Nishani në komision: “Nuk ka mundësi politizimi”
Ka nisur dje shqyrtimi i projektligjit për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. I pranishëm gjatë diskutimit në parim ka qenë dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Në mbledhjen e djeshme spikatën qëndrimet e ndryshme të përfaqësuesve të opozitës dhe të përfaqësuesve të maxhorancës dhe të qeverisë. Deputetët e opozitës e cilësuan këtë projektligj të rrezikshëm, pasi, sipas tyre, ka tendencën për të rritur pushtetin e qeverisë ndaj instancave të pavarura. “Projektligji ka përgjegjëse qeverinë dhe nuk është konsensual. Nëpërmjet këtij projekti, Ekzekutivi, duke u fshehur pas ekspertizës ndërkombëtare, synon që të rrisë pushtetin e vet dhe në instancat e pavarura. Ky draft ka dy tendenca të rrezikshme. Së pari, rritet pushteti i kontrollit të brendshëm mbi Policinë e Shtetit dhe së dyti rriten kompetencat e ministrit të Brendshëm”, - është shprehur deputeti Petro Koçi. Ndërsa përfaqësuesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ngritën dyshimin se sipas tyre ky projekt e lejon SHKB-në që të hetojë zyrtarë të lartë pa dijeninë e ministrit. Po kështu, u hodh dyshimi se kjo strukturë mund të politizohej dhe të përdorej për qëllime politike. Por ministri i Brendshëm Nishani hodhi poshtë pretendimet e opozitës dhe të përfaqësuesve të OJF-ve, të pranishme në mbledhjen e djeshme të komisionit. Ai theksoi se ky projekt ka si qëllim krijimin e bazës ligjore për SHKB-në, e cila nuk është gjë tjetër veçse një drejtori në administratën e Ministrisë së Brendshme, që ka si qëllimin të luftojë korrupsionin në radhët e Policisë së Shtetit. Ministri garantoi se projekti nuk i rrit kompetencat e ministrit dhe as ka si qëllim të krijojë një institucion të frikshëm, siç e cilësuan deputetët e opozitës. Aq më tepër, sipas Nishanit, nuk lejohet mundësia e politizimit të kësaj strukture. “SHKB-ja është një agjenci që kontrollon strukturën e Policisë së Shtetit. Çdo hamendësim për një strukturë që del me kompetenca të fuqishme që mund të hetojë këdo, është e pabazuar. SHKB-ja nuk ka objekt hetimi tjetër, përveç Policisë së Shtetit. Ministri është përfaqësues i një force politike, por ligjet kufizojnë mundësinë e abuzimit të tij me pushtetit dhe të politizimit të strukturave të tilla të Ministrisë”, - është shprehur Nishani.
9 Shtator 2008