Aldo Bare hesht para dëshmisë së Gramoz Selmanit
Aldo Bare, i cilësuar si kreu i bandës së Lushnjës, ka qëndruar i heshtur dje për më shumë se dy orë teksa dëgjonte përse iu ekzekutua i vëllai dhe nisja e vrasjeve zinxhir në shenjë hakmarrjeje. Gjakftohtë dhe i qetë, Bare nuk tentoi qoftë edhe për një çast të mohonte thëniet e Gramoz Selmanit. Ky i fundit ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit për të rrëfyer të njëjtat krime që pati dëshmuar disa ditë më parë për pjesën tjetër të bandës. Burime pranë Gjykatës për Krime të Rënda pohuan se gjatë ditës së djeshme, Selmani, miku i ngushtë i Artur Dajës, ka përsëritur në dëshminë e dhënë pak ditë më parë, por këtë herë në prani të të akuzuarit kryesor të kësaj bande, Aldo Bare. Selmani ka ngritur pretendimet se është dëshmitar i shumë vrasjeve dhe atentateve të urdhëruara nga Aldo Bare. Selmani ka rrëfyer momentet kur është vrarë Genci Kashari, mik i Artur Dajës, dhe në të njëjtën ditë edhe Ramadan Shkurti, vëllai i Bares, ndërsa ka rrëfyer dhe për vrasjen e Nimet Zenelit në afërsi të Lushnjës. Mësohet se kundërshtari i tij, Aldo Bare, nuk ka reaguar ndaj krimeve të dëshmuara gjatë 1997-s nga Selmani.
Në seancën paraardhëse dëshmia e Selmanit ka shkaktuar reagimin e avokatëve për të cilët ai dyshohet se është përfshirë në akte kriminale. Por prokuroria deri tani nuk ka formuluar asnjë akuzë konkrete ndaj mikut të Artur Dajës.
Burgjet, ndryshon skema e sigurisë për të dënuarit
Me qëllim përmirësimin e masave të sigurisë në burgje e paraburgime, janë bërë rikonstruksione në 10 institucione, me një vlerë totale prej 142 milionë lekësh. Në kuadër të kësaj nisme për sistemin e burgjeve u realizua ngritja e rrjetit për komunikim në VHF e UHF për grupin e Transferim-Shoqërimeve dhe institucioneve gjatë lëvizjes së të dënuarve në të gjithë vendin. Ky link ka sistemin GPS për ndjekjen e makinave dhe transmetimin e mesazheve të ndryshme që janë të nevojshme për t’u përcjellë. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pohojnë se është realizuar gjithashtu edhe sistemi i mbrojtjes së rrjetit dhe komunikimit telefonik me katër institucionet e Tiranës për të cilat është vënë në funksion centrali i ri i kriptuar. Investim i rëndësishëm për rritjen e elementeve të sigurisë dhe krijimin e një sistemi modern me teknologji të lartë është realizuar në IEVP Durrës dhe Fushë-Krujë. Sistemi i kamerave në Durrës është një projekt i sigurisë së lartë me kamera dixhitale rrjeti soft i regjistrimit me periudhë kohore mbi 3 muaj. Ky sistem siguron zhvillimin e seancave gjyqësore online. Sistemi i kamerave në Fushë-Krujë ka sistem regjistrimi me kamera analoge. Regjistron për një periudhë kohore 30-ditore dhe me kamerat kontrollon të gjitha ambientet kryesore të institucionit. Gjithashtu, është realizuar sistemi VOIP, lidhje online e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me 12 institucione në varësi. Është në implementim e sipër sistemi i komunikimit dixhital trankut për grupin e transferim-shoqërimit i kriptimit dixhital në kushtet e NATO-s, pasi frekuencat që merren nga AKEP testohen dhe vihen në punë në një moment të mëvonshëm. Për momentin është lidhur trank me Vlorën dhe Dajtin, ku mbulohen zonat e Tiranës, Fushë-Krujës, Durrësit, Kavajës dhe Fierit. Elementet e sigurisë kanë qenë objekt kontrolli nga Drejtoria e Policisë. Gjatë muajve janar-mars 2010 janë kryer 85 kontrolle ku janë konstatuar disa të meta dhe janë rekomanduar masat e menjëhershme që duhet të merren për përmirësimin e tyre.
8 Prill 2010