Raporti i BSH: Në 2009-n, u ngadalësua aktiviteti ekonomik
Ervin KOÇI
Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë vitit 2009 aktiviteti ekonomik në vendin tonë u ngadalësua dhe se ky fakt u vërejt në disa aspekte. Deklarimi u bë i ditur dje nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, gjatë prezantimit që i bëri raportit për politikat monetare dhe gjendjen bankare në vend për vitin 2009. Sipas Fullanit, “gjatë vitit 2009 u vunë re një ulje e eksporteve, një ulje e të ardhurave të emigrantëve duke çuar kështu në rënien e besimit tek institucionet financiare”. Fullani theksoi se kreditë me probleme në vitin 2009 arritën në masën 10.4 për qind, ndërkohë që një vit më parë, pra në vitin 2008 ishin në masën 6.4 për qind. Sa i përket deficitit buxhetor, Fullani nënvizoi se “ai arriti në masën 7 për qind, kurse borxhi publik në masën 59.5 për qind të GDP-së”. Të gjitha këto të dhëna, sipas Fullanit dëshmuan për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik që vjen përgjithësisht si pasojë e krizës globale. Në këto kushte, BSH-ja tha Fullani, kërkon nga qeveria rishikimin e planeve të biznesit gjatë këtij viti, si dhe përsëriti kërkesën për uljen e borxhit si dhe kreditimin e ekonomisë.
Sistemi bankar
Sipas Fullanit, rënia ka qenë e theksuar si në depozita ashtu edhe në kreditim. "Në fund të muajit mars, depozitat ranë me 50 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, krahasuar me 63 për qind shënuar në shtatorin e 2008. Tërheqja e depozitave gjatë tre mujorit të parë të vitit solli ngadalësimin e zgjerimit të masës monetare në ekonomi. Aktiviteti bankar njohu një reduktim të ngadalshëm gjatë tre tremujorëve të ardhshëm. Oferta monetare u rrit mesatarisht me 6 për qind gjatë këtij viti, ose rreth dy herë më pak se një vit më parë",- tha Guvernator i BSH-së. Si një problem i madh nga deputetët është evidentuar marrëdhënia jo transparente e bankave të nivelit të dytë me klientët. Ky fakt është pranuar edhe nga Guvernatori i cili tha se ky problem po përmirësohet. "Banka e Shqipërisë ia ka shtruar tapetin e kuq, sistemit bankar financiar për të monitoruar dhe ulur në një mënyrë sa më eficiente kostot e sistemit, kështu që mbetet sistemi financiar të përshtatet sa më mirë me uljen me efektivitet të këtyre kostove. Unë mendoj që një krahasim më i mirë me bankat e tjera të rajonit ku bankat ndërkombëtare funksionojnë dhe me vendet ku këto kanë mëmat e tyre do të bëjë që ky proces të jetë i monitoruar më mirë dhe të axhustohet në kohë",- vijoi Fullani. Sipas përllogaritjeve të bëra normat e interesit për kreditë në Shqipëri janë rreth 2 për qind më të larta se mesatarja e vendeve të rajonit. Ndërkohë që mbi kreditë aplikohen edhe komisione të tjera nga bankat. Gjatë vitit 2009, bankat shqiptare kanë dalë me 3.5 miliardë lekë fitim, ose me një rënie me rreth 52 për qind.
Parashikimet
Guvernatori Fullani paralajmëroi se ngadalësimi i rritjes ekonomike në Shqipëri do të vazhdojë të paktën gjatë këtij 6-mujori. Sipas Fullanit, rritja e çmimeve që ka nisur të vihet re nuk pritet të ndryshojë shpejt. Megjithatë theksin kryesor në fjalën e tij, Fullani e vuri te problemet e kredive. Sipas Guvernatorit, “as qytetaret nuk kërkojnë shumë informacion, por edhe bankat nuk japin sqarime të detajuara, në lidhje me kostot e shërbimeve që ofrojnë”. Ndërsa deputetët e maxhorancës i kanë kërkuar institucionit më të lartë monetar që të ndikojë brenda hapësirave ligjore për nivelin e lartë të interesave që aplikojnë bankat e nivelit të dytë, ndaj klientëve. Guvernatori Fullani raportoi në komision veprimtarinë e sistemit bankar gjatë vitit 2009, i cili u prek nga efektet e krizës financiare globale. Megjithëatë, parashikimet e BSH-së janë se, në 6-mujorin e dytë ekonomia do të rimëkëmbet.
Alibali: Kompromis për plotësimin e kërkesave të minatorëve
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nis diskutimin me përfaqësues të sindikatave për arritjen e konsensusit mbi projektligjin për statusin e minatorit. Zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali zhvilloi takime të veçanta me përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë dhe përfaqësues të konfederatës së sindikatave të Shqipërisë. Zëvendësministri Alibali tha se, së bashku me sugjerimet e sindikatave do të nxirret një kuadër ligjor sa më i mirë dhe brenda mundësive që ka shteti shqiptar. Ndërkohë edhe krerët e sindikatave e konsideruan këtë takim shumë të rëndësishme për të lehtësuar jetesën e punonjësve. Ky grup pune për të filluar hartimin e këtij projektligji është ngritur me urdhër të kryeministrit Sali Berisha.
Kriza në Greqi, mbërrin ekipi i FMN-së
Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar po qëndron në Athinë në kuadrin e krizës ekonomike që ka prekur vendin fqinj, duke pritur që të ofrojë asistencë teknike në çështje tatimore dhe buxhetore. Kryeministri është informuar që misioni i FMN-së do të kërkojë masa shtesë dhe reforma të reja, si shkëmbim për ndihmën e tij. Por ministri i Financave, Jorgos Papakonstandinu, i përgënjeshtroi këto zëra, duke pohuar se këto deklarata nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe se nuk ka asnjë lëvizje për të ndryshuar termat e marrëveshjes së arritur. Sipas analistëve grekë, është e pamundur që ardhja e ekipit të FMN të mos lidhet edhe me diskutimin e modaliteteve të marrëveshjes së arritur më 25 mars, që parashikon një ndihmë të koordinuar, me pjesëmarrjen e BE-së dhe të FMN-së, në rast se kjo kërkohet nga Greqia.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 06.04.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.85%
12M 12-mujor 7.50%
6M 6-mujor 6.49%
3M 3-mujor 5.48%
1M 1-mujor 5.14%
1Ë njëjavor 4.69%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.88%
1Ë njëjavor 6.10%
o/n njëditor 5.83%
12M 12-mujor 9.10%
6M 6-mujor 7.93%
3M 3-mujor 7.19%
8 Prill 2010