Për të marrë pronën tenton të vetëflijohet bashkë me tre fëmijët
Laureta Rryçi
Ferit Haxhiaj, pas shumë vitesh nëpër dyer gjykatash e institucionesh shtetërore, ka zgjedhur tentativën për vetëflijim për të rimarrë të drejtën e pronës. Akti i tij për pak sa nuk ka marrë përmasa tragjike, pasi me vete kishte marrë dhe tre fëmijët e mitur për t’u hedhur nga kati i gjashtë i një pallati përballë Ministrisë së Drejtësisë. Fatmirësisht, pas 40 minutash negociata me policinë, Haxhiaj është bindur të largohet nga vendi i rrezikut duke iu premtuar se çështja e tij do të shqyrtohej me prioritet. Ka qenë ora 13:00 kur Haxhiaj, së bashku me tre fëmijët e tij kishte hipur re në tarracën e pallatit përballë Ministrisë së Drejtësisë në bulevardin “Zogu I” duke tentuar të hidhej. Ngjarja e rëndë u evitua brenda pak minutash nga policia, që me anë të një negociatori dhe RENEA-s të bindte Haxhiajn, banor i qytetit të Durrësit, të largohej nga buza e tarracës së pallatit 6-katësh. Dyshohet se personi në momentin që tentoi të kryente aktin ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike për shkak të një çështjeje të pazgjidhur të pronave. Pasi është marrë në pyetje mësohet se 52-vjeçari bashkë me tre fëmijët janë shoqëruar drejt shtëpisë së tyre në Shkozet të Durrësit.
Ngjarja
Në mesditë, turma të shumta njerëzish u mblodhën të alarmuar në bulevardin “Zogut I” pasi vunë re tre fëmijë të mitur, dy djem dhe një vajzë, të moshës 5-8 vjeç, buzë tarracës së një pallati 6-katësh përballë Ministrisë së Drejtësisë. Fëmijët ishin të shoqëruar me një të rritur që gjatë gjithë kohës mbante në vesh një telefon dhe fliste në mënyrë të paqartë. Policia e vënë në dijeni konfirmoi brenda pak minutave se burri ishte shtetasi Ferik Haxhiaj, i moshës rreth 52 vjeç, nga qyteti i Durrësit, ndërsa të miturit ishin fëmijët e tij. Dëshmitarë pohuan se personi, ndërsa mbante 3 fëmijët, lexonte një letër ku u dëgjuan qartë fjalët: “Dua pronat e mia! Askush nuk mi merr pronat e mia”. Burri ka qëndruar disa minuta buzë tarracës, ndërsa një negociator nga efektivat blu përpiqej ta bindte të largonte fëmijët dhe veten nga tarraca. Babai ndërkohë fliste me dikë në telefon. Me sy të lirë vihej re se asnjë prej fëmijëve nuk mbahej me forcë, por ata ndiqnin babanë në çdo veprim që ai kryente. Pas disa minutash negociatori e bindi babanë të largonte fëmijët nga zona e rrezikshme për t’i futur ata në brendësi të tarracës dhe pak minuta më pas për ta bindur plotësisht 52-vjeçarin të zbriste fëmijët dhe veten nga tarraca e pallatit. E angazhuar në aksionin për shpëtimin e familjes ishin dhe forcat e RENEA-s.
Shoqërimi
Pas përfundimit të aksionit të shpëtimit, babai është shoqëruar nga policia dhe dyshohet se do të vizitohet nga psikologë, pasi dyshohet se ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike. Ndërkaq, drejt fëmijëve menjëherë u dërgua një psikolog për të mitur, për të cilët policia konfirmon se janë tronditur nga ngjarja.
Më pas, policia, në një komunikatë zyrtare, ka zbardhur disa detaje mbi shtetasin që kërcënoi se do të vetëflijohej bashkë me fëmijët. Pak minuta pasi tre fëmijët, së bashkë me babanë u larguan nga pallati 6-katësh, policia konfirmoi se personi Ferit Haxhiaj ka në pronësi 25 mijë m2 tokë që është privatizuar. Nga marrja në pyetje e Haxhiajt mësohet se ai ka kërkuar më shumë se një herë kompensim për tokën, por, me sa duket, kërkesat kanë rënë në vesh të shurdhër. Dyshohet se ngjitja në tarracën e pallatit dhe kërcënimi se do të hidhej së bashku me 3 fëmijët ka qenë një mënyrë për t’i tërhequr vëmendjen Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e pazgjidhur të pronësisë.
Reagimi pas ngjarjes
Ministria e Drejtësisë: Hetim administrativ për pretendimet e qytetarit
Ministria e Drejtësisë reagoi për ngjarjen e rëndë disa minuta pasi Ferit Haxhiaj, bashkë me 3 fëmijët e tij kërcënoi vetëflijimin në protestë për pronat e tij në Durrës. “Në lidhje me ngjarjen e sotme ndodhur para Ministrisë së Drejtësisë, ku qytetari Ferit Haxhiaj kërcënoi se do të vetëvritej, persona nga administrata e Ministrisë së Drejtësisë morën kontakt me qytetarin, i cili pretendonte se ishte përjashtuar nga e drejta e parablerjes së një objekti të privatizuar në vitin 1993”, - theksohet në deklaratë. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë sqaron pretendimet e Haxhisë duke theksuar se në vitin 2002 ai i ishte drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte hedhur poshtë kërkesën e këtij të fundit. Pas kësaj, Haxhiaj nuk e kishte apeluar dhe ankimuar më tej vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. “Në këto rrethana, administrata e Ministrisë së Drejtësisë i kërkoi Ferit Haxhiajt t’i adresonte asaj një ankesë me shkrim si dhe të depozitonte zyrtarisht të gjitha dokumentet që disponon rreth objektit që ai pretendon në mënyrë që të fillojë një hetim administrativ, kjo përsa u takon kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.
Box
Flet i vëllai: “Kemi vite që s’po i marrin dot pronat që na takojnë”
Duke sqaruar se nuk kishte dijeni për veprimet e vëllait të tij, Idriz Haxhia sqaron se ai vetë nuk është marrë me çështjen e pronave, me to është marrë vëllai i tij më i vogël, që nga dëshpërimi tentoi të hidhej sot nga tarraca e një pallati përballë Ministrisë së Drejtësisë. “Tokat, që me të drejtë na takojnë, i kemi qysh në kohën e italianit, pastaj shteti na i mori për nevojat e tij. Unë nuk jam marrë drejtpërdrejt me çështjen e pronave, vëllezërit e tjerë po, pasi jemi 7 vëllezër. Kemi humbur shumë gjyqe dhe kjo mbase ngaqë ata që na kanë zënë pronat janë më të fortë se ne. Vëllezërit i kanë të gjitha dokumentet”, – sqaron Idrizi, vëllai Ferit Haxhisë. Ai tregon gjithashtu se kërkojnë medoemos që t’u kthehen pronat që u takojnë me të drejtë. Ndërsa në lidhje me veprimin e vëllait të tij sqaron se ende nuk ka mundur të flasë me të. “Historia jonë nëpër gjyqe ka vite që zgjat, por ende nuk kemi mundur t’i marrim pronat. Ne, 7 vëllezër siç jemi, kemi 50 dynymë tokë. Nuk di ç’të them më shumë për veprimin e vëllait, pasi nuk e kam takuar fare atë”, – përfundon Idriz Hazhia.
Bashkëshortja: “E dija që burri do të vetëflijohej”
Marjana Haxhiaj, bashkëshortja e 52-vjeçarit nga Durrësi, është shprehur se kishte dijeni për aktin që do të ndërmerrte i shoqi. “E dija që burri do të vetëflijohej me fëmijët, por nuk dija ditën se kur do të ndodhte. Ngjarjen e kam mësuar nëpërmjet televizionit”. Sipas saj, bëhet fjalë për tokën në Shkozet, për të cilën ata nuk kanë lënë dyer institucionesh shtetërore pa trokitur, por më kot, askush nuk i ka dhënë zgjidhje.
8 Prill 2010