E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, sot listat përfundimtare të fituesve

Listat zyrtare pritet që ditën e sotme të dorëzohen pranë Ministrisë së Arsimit, dhe më pas kjo e fundit do t'i shpërndajë nëpër fakultetet dhe gjimnazet i vendit. 

TIRANE- Agjencia e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë,(APRIAL), ka përfunduar shpërndarjen e fituesve përfundimtarë në degët që janë në 11 universitetet e vendit.

Listat zyrtare pritet që ditën e sotme të dorëzohen pranë Ministrisë së Arsimit, dhe më pas kjo e fundit do t'i shpërndajë nëpër fakultetet dhe gjimnazet i vendit. Sipas drejtorit të APRIAL-it, Frederik Shalësi: "Listat janë bërë gati dhe sipas aftit të përcaktuar, më 25 shtator do t'i dorëzojmë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencave, më pas është kjo e fundit që do t'i dërgojë nëpër universitete dhe gjimnaze". Shalësi ka përcaktuar se këtë vit, studentët që do të ulen në auditorë kanë një cilësi më të mirë, dhe kjo duket nga fakti se diferencat e pikëve përfundimtare për një degë me vitin e kaluar janë më të larta.

Në fazën e parë të regjistrimeve mbetën 2207 vende të paplotësuara. Automatikisht këto vende janë rifutur sërish në garë, duke u dhënë shpresë maturantëve të tjerë të cilët nuk kanë arritur që të dalin fitues në fazën e parë. Listat e kuotave të paplotësuara, në të gjitha fakultetet e universiteteve publike të vendit janë dorëzuar pranë Agjencisë së Pranimit në Universitete (APRIAL), ku dhe do të përpunohen sërish të dhënat. Por, nuk do të futen ata studentë emrat e të cilëve kanë rezultuar fitues, por nuk janë regjistruar.

Listat përfundimtare të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike, do t'u dorëzohen institucioneve të arsimit të lartë në datën 25 shtator 2008 nga MASH-i. Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht dhe do të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Por, edhe pas kësaj faze të dytë, mbeten ende shpresa për maturantët që nuk kanë rezultuar fitues në asnjë degë. Kjo, pasi rishpërndarja e kuotave që do të mbeten bosh pritet të bëhet me anë të një formulari të tretë, A3, të Maturës Shtetërore, ku ata kandidatë që nuk kanë fituar asnjë degë, do të plotësojnë preferencat e tyre. Më pas, ata do të renditen në vendet e mbetura bosh dhe do të thirren për regjistrim.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›