E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimi në Tiranë, ja zonat e reja ku mund të ndërtoni

Edhe pse në Tiranë janë ndërtuar pallate shumëkatëshe, një pjesë e madhe e zonës mbetet ende e paprekur dhe me mundësi të mëdha ndërtimi, çka do të thotë, që tokave përreth në një farë mënyre u rritet edhe vlera 

TIRANE-Edhe pse në dukje Tirana shfaqet si një qytet tejet i dendur me pallate e godina të reja, Plani Rregullues ka përcaktuar zonat prioritare të zhvillimit urban. Sipas specialistëve, një nga pjesët ku ka mundësi të mirë për dendësim është ajo rreth aeroportit të vjetër. Edhe pse në të janë ndërtuar pallate shumëkatëshe, një pjesë e madhe e zonës mbetet ende e paprekur dhe me mundësi të mëdha ndërtimi, çka do të thotë, që tokave përreth në një farë mënyre u rritet edhe vlera.
Veriu i Tiranës sipas planit, ofron një potencial të shkëlqyer, duke nisur nga stacioni i Trenit, përgjatë lumit të Tiranës dhe zonave industriale. Lindja dhe jugu janë zona më të kufizuara në pikëpamje të ndërtimeve të reja. Në lindje nuk mund të parashikohen objekte të mëdha pa fuqizuar gradualisht rrjetin rrugor ndërmjet ndërtimit të segmentit lindor të Unazës së madhe. Referuar planit, dhe pjesa jugore e qytetit të Tiranës nuk ofron shumë mundësi për ndërtime të reja, megjithatë në fazën e parë të zhvillimit do të bëhet e mundur ndërtimi i Unazës së re, financimi i së cilës sipas Bashkisë është gjetur. Duket se çelësi i zhvillimit në këto dy pjesë është pikërisht ndërtimi i Unazës së Madhe, e cila do i japë përparësi zhvillimi këtyre dy zonave.
Një nga prioritetet e planit rregullues është edhe pengimi i zhvillimit të ndërtimeve në kodrat e buta. Duket si një pikë thjesht plotësuese sepse pjesa më e madhe e kodrave rreth Tiranës, kryesisht në Komunën e Farkës dhe Dajtit janë zënë nga ndërtime të larta, por të paktën në këtë plan përcaktohet lartësia e objekteve.

(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›