Vitet e Martesës, rikthen në ekran Drita Pelinkun
“Vitet e martesës”, filmi me metrazh të shkurtër që u shfaq në “Kinema Imperial” pa praninë e medias, solli pas një mungese të gjatë në ekran aktoren Drita Pelinku. Filmi me regji të Artan Malajt dhe skenar të Vladimir Priftit, prodhim i Qendrës Kombëtare Kinematografike, paraqet një pjesë të jetës reale të parë me sytë e një çifti të moshuarish. Drita Pelinku, Mërkur Bozgo dhe Sokol Angjeli janë trekëndëshi ku vërtiten ngjarjet. Dy të moshuar dëshirojnë të kremtojnë 40- vjetorin e martesës. Jo në një vend dosido por në lokalin ku janë martuar dhe që në atë kohë quhej “Agimi”. Kohët kanë ndryshuar dhe Tirana s’është më ajo e katër dekadave më parë. Gjatë përçapjes për të gjetur vendin ku kishin lidhur jetët dy të moshuarit zbulojnë se kryeqyteti ka një tjetër pamje, të zhurmshme dhe të dhunshme. Është shndërruar në një vend ku ligjin e bëjnë më të fortët dhe ata që nuk binden kanë një fund jo shumë të mirë. Pas shumë kërkimesh, çifti e gjen lokalin shumë të ndryshuar. Nga “Agimi” është shndërruar në “Continental”.Dy pleqtë bëhen dëshmitarë të vrasjes së pronarit (Sokol Angjeli) nga “të fortët”, që e kishin ndihmuar të privatizonte lokalin. Frika se mos zbulohen dhe kanë të njëjtin fund i bën që të heshtin para policisë për autorët e krimit.