Universiteti: Nuk kërkojmë rritje tarifash
Ministria e Arsimit po përllogarit tashmë tarifat e reja të shkollimit për vitin e ardhshëm akademik, por nuk ka asnjë propozim për rritjen e tyre nga ana e Universitetit të Tiranës. Rektorati i universitetit më të madh në vend bëri të ditur dje për “standard” se nuk ka kryer asnjë propozim për çështjen e tarifave dhe nuk do të kërkojë ndryshimin e tyre, por do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të vendosë, në bazë të përllogaritjeve të kryera nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave.
Universiteti ka dërguar në ministri kostot e studimit për çdo studentë në të gjitha degët, prej nga do të vendosen tarifat e reja, që në çdo rast nuk pritet të kenë ndryshime të konsiderueshme në krahasim me vitin e kaluar.
Nuk kërkojmë rritje
Universiteti i Tiranës bëri të ditur se ka dërguar në Ministrinë e Arsimit vetëm koston e studimeve dhe jo propozim tarifash. Sipas drejtorit të Komunikimit në UT, z. Ervin Demo, është tërësisht jashtë kompetencave të universitetit propozimi i tarifave të reja, të cilën e vendos Këshilli i Ministrave. Sipas tij, deri më tani nuk është kërkuar as zyrtarisht e as indirekt ndryshimi i tarifave.
“Ne nuk kërkojmë asnjë rritje tarife për studentët e universitetit. Është në dorë të Këshillit të Ministrave të vendosë nëse do të ulen, do të rriten apo do të qëndrojnë njësoj tarifat. Ne kemi dërguar në ministri koston e studimeve, ashtu siç ndodh çdo vit dhe në bazë të kësaj kostoje të përllogaritur, ministria vendos se sa do të subvencionojë vetë dhe sa do të paguhet nga studentët nëpërmjet tarifës. Në çdo rast, ne nuk kemi kërkuar rritje tarife”, – deklaroi z. Demo.
Qëndrueshmëria
Në dy vitet e fundit tarifat e shkollimit nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Kështu, të gjitha degët në këto dy vite kanë pasur tarifë që varion nga 15 mijë lekë të reja në 30 mijë. I vetmi përjashtim përbën dega e Regjisë së Filmit në Akademinë e Arteve. Një maturant që dëshiron të vazhdojë studimet në këtë degë, do të duhet të fuste dorën thellë në xhep, pasi një vit studimi kushtonte plot 80 mijë lekë të reja.
Ndërkohë që degët më të parapëlqyera kanë pasur tarifë 30 mijë lekë të reja. Mjekësia, Drejtësia, Arkitektura dhe degë të tjera që çdo vit kanë më shumë se 2 mijë kërkesa nga ana e maturantëve, do të jenë edhe këtë vit degët më të shtrenjta. Ndërkohë, përgjithësisht në universitetet e rretheve tarifat varionin vitet e kaluara nga 150-200 mijë lekë të vjetra.
Vendimi për tarifat e studimeve pritet të merret në fund të muajit qershor ose në muajin korrik nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Arsimit.
MASH
Bazë të dhënash për mësuesit e shkollave
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nisur realizimin e një database me të dhënat përkatëse për stafet pedagogjike që ofrojnë mësim në institucionet arsimore publike të vendit. Në realizim të këtij qëllimi, MASH ka shpërndarë në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit një udhëzim të veçantë, ku është kërkuar që mësuesit të plotësojnë një formular, i njohur ndryshe si “Kartela individuale”, ku ata duhet të deklarojnë të dhënat e kualifikimet për ecurinë e karrierës së tyre. Ky formular tashmë është shpërndarë nëpër shkolla dhe secili mësues është i detyruar ta plotësojë dhe ta dorëzojë atë pranë eprorëve të tyre deri në datën 24 prill 2009. Për plotësimin e kësaj kartele personale është kërkuar që jo vetëm mësuesit e shkollave, por dhe ata të kopshteve, të deklarojnë me përgjegjësi të gjitha të dhënat individuale. Kartela përmban nëntë pjesë ku vendoset i gjithë informacioni lidhur me ecurinë e karrierës profesionale të mësuesit të realizuar ndër vite. Në pjesën e parë dhe të dytë të kartelës mësuesi duhet të hedhë të dhënat për gjeneralitetet e tij si dhe ato të institucionit ku punon, duke specifikuar veçanërisht lëndën që jep dhe llojin e emërimit të marrë. Më pas vjen pjesa e tretë e formularit, që duhet të plotësohet me të dhënat për arsimimin e mësuesit, çka përfshin nivelin më të lartë të shkollimit (si dhe dokumentet verifikuese), njohuritë për gjuhët e huaja. Një pikë e veçantë e kartelës janë dhe njohuritë që këta të fundit duhet të dorëzojnë lidhur me teknologjitë e informacionit. Në kartelë kërkohet specifikimi edhe i kualifikimeve të tjera që kërkon vendi i punës, të dhëna për trajnime e specializime të kryera. Pjesa e fundit përbëhet nga të dhënat për rolet profesionale, që detajojnë pozicionin e punës me nxënësit si dhe kontributin e mësuesve në hartimin e dokumenteve të nevojshme arsimore (tekste, broshura etj.), duke e përmbyllur me klasifikimin e çmimeve të marra nga këta të fundit apo titujve të ndryshëm.