E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju lutem, vazhdoni të promovoni vendin tonë



Nga Ing. Zak TOPUZI

Ju lutem, vazhdoni të promovoni vendin tonë, krizë apo jo, njerëzit detyrimisht do të lëvizin për pushime apo punë. Sigurisht shansin e kanë. destinacionet e sigurta dhe të afërta. Kjo do të ishte këshilla më e mirë që do t’i jepja qeverisë sime. Tirana nuk është më larg se dy orë nga aeroportet evropiane. Shifrat flasin për 455 milionë vizitorë që kanë për destinacion Evropën ose 45% e turizmit global. Shfrytëzoni ketë mundësi! Mos u ndal nga ata që shajnë apo nxijnë realitetin. Mos u ndal nga ata që bërtasin: Janë shpenzime të mëdha për ne, spotet televizive në Euronews etj. Turqia ka buxhetin e promocionit turistik 140 milionë euro. A e shikoni, ju skeptikët dhe...!

Sipas ekspertëve të ECTAA-s (Shoqata Evropiane e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike), Turoperatorët raportojnë 12-20% rënie të prenotimeve për pushime gjatë vitit 2009. Transporti ajror raportoi 20% rënie për periudhën nëntor-dhjetor 2008. Udhëtimet në Business-class pësuan 20-40% rënie. Arsyeja: Reduktimi i kostove të kompanive dhe bizneseve. Greqia është përfshirë nga kriza në biznesin turistik. Analiza e Ministrisë së Turizmit vlerësoi se Kroacia dhe Mali i Zi janë konkurrente potenciale, pasi politikat fiskale të tyre janë bërë të fuqishme (TVSh-ja për hotelet në Greqi është 9%, Mali i Zi 7%). Turqia që nga janari 2008 TVSH-në e hoteleve e ka ulur në 8% dhe me këtë lëvizje pretendon të zërë vendin e pestë në botë për sa u përket të ardhurave dhe mbërritjeve. Greqia e ka ulur TVSH-në për hotelet në ishujt e Egjeut në 6%.

Po ne, do të qëndrojmë në vend? A do ta ulim dhe ne TVSH-në për hotelet dhe restorantet? Do të vazhdojmë të mbetemi me çmimet më të larta në rajon? Bashkitë po rritin deri 100% taksat e gjelbërimit dhe me 20% tarifat e pastrimit. Ndërkohë që taksa për fjetjen në hotel është deri 5%. Bashki si Tirana aplikojnë maksimalen 5% të çmimit të dhomës, bashki si Pogradeci më të moderuar 3%. Evropa e ka 0%. Mali i Zi 60 cent. Një ekspert turizmi ndërkombëtar që po fliste për taksat në turizëm, përmendi Kinën si ekstrem. Kur i përmenda që në Shqipëri hotelet paguajnë taksa deri 42% të çmimit, tha: “Tek ju qenka çmenduri”!

Shifrat e turizmit në Shqipëri janë optimiste. Me një rritje të stabilizuar prej 19% në krahasim me 2007-n ose dyfishim nga viti 2004. Turizmi ka një ndikim të madh në eksportet e vendit. Ai gjeneron 43% të të gjitha eksporteve, duke kaluar me 27% eksportin e mallrave. Impakti ekonomik i turizmit (përfshi dhe investimet) vlerësohet në 14,7% e PBB-së. Sipas INSTAT-it, numërohen 12.000 biznese të shërbimeve si hotele, bare, restorante, duke zënë vendin e katërt si kategori biznesesh në rang vendi. Rreth 1000 biznese të reja hapen çdo vit. Unë jam skeptik për këto shifra. Them me bindje se janë 30-35% më të larta. Sipas statistikave, doli se në Mal të Zi. një turist kishte konsumuar 30 kg bukë. Si rezultat i taksave dhe tarifave të larta ka shumë informalitet. Sipas raporteve ndërkombëtare, taksat e larta mund të shkaktojnë deri 55% punësim ilegal.

Gjithashtu, dua t’ju kujtoj se jemi faktor në rajon. Shqiptarët, megjithëse me regjim të kufizuar vizash, po vazhdojnë të lëvizin potencialisht jashtë për pushime, punë etj. Në Konferencën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) në Athinë 2008, Greqia raportoi se për nga numri, turistët shqiptarë zinin vendin e tretë (duke futur dhe emigrantët), në Malin e Zi, sipas raportit të vitit 2007, zinim vendin e dytë pas turistëve rusë.

Prandaj më vjen nga brenda t’u drejtohem të gjithëve: Bëhuni faktor të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri. ndihmoni sa të mundni këtë sektor. Ndaloni emisionet televizive denigruese dhe dashakeqe që nuk i përgjigjen realitetit. Stimuloni turizmin lokal e rajonal me spote falas për bashkitë e qyteteve.

Për politikanët do të rekomandoja: Lini mënjanë përdorimin politik të turizmit si kalë beteje. Mos stimuloni ndërtimet pa leje, hapur apo indirekt.

Sa do ta dëshiroja atë ditë, kur forcat politike të bënin një “Pakt kombëtar” për mbrojtjen e turizmit në bregdet dhe në tërësi. Kur të jepnin shembullin e Turqisë që e ka kuptuar dhe zbatuar në praktikë të qenit në një vend të privilegjuar të globit tokësor. Ndihmoni këtë popull të përfitojë dhe të marrë atë që a ka dhënë natyra dhe Zoti. Mos u tregoni ... Mos bëni gabimet që bota i ka bërë shekuj më parë. Rrugën e kanë shtruar të tjerët, neve na mbetet vetëm të ecim drejt, për të arritur sa më parë në destinacion.

Do t’u rekomandoja skeptikëve të BE-së: Mosliberalizimi i vizave nuk e ndihmon Evropën e mbërthyer nga kriza. Nuk ju vjen e keqja nga turistët. Mos i identifikoni terroristët me turistët. Terroristi nuk ka pasaportë, as vizë. Ai ose e ka falso ose e merr në ambasadë.

Sa do të dëshiroja që një ditë të shikonim një turizëm të qëndrueshëm… që thuhet e shkruhet çdo ditë nga ata që e kanë në dorë.

*Kryetar i Sektorit të Akomodimit në Shoqatën Shqiptare të Turizmit

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›