E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti Shtetëror i Tetovës pa shtëpi studentore

Shkup, 7 gusht - Në konkursin të cilin e ka shpallur Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për vendosjen e studentëve nëpër shtëpitë studentore publike, ka interes të madh, por jo edhe nga studentët shqiptarë. Zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski, thotë se nëpër shtëpitë studentore publike, për këtë vit akademik mund të konkurrojnë 5.651 studentë, ndërsa për qytetin e Tetovës, thotë se ndërtimi i shtëpisë studentore është kompetencë e vetë Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT).
“Nëpër shtëpitë shtetërore studentore, në konkursin të cilin e kemi të hapur, ka vende të lira për 5.651 studentë nëpër shtëpitë studentore të Shkupit, Manastirit, Ohrit, Shtipit, Prilepit dhe Probishtipit. Në qytetin e Tetovës nuk ka shtëpi studentore, dhe studentët vendosen nëpër shtëpi private. USHT-ja është në ndërtim e sipër të objektit, por nuk e di se deri ku janë punët ndërtimore”, ka thënë Galevski.
Ai gjithashtu tha se konvikt studentësh ka Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), por në të nuk mund të vendosen me siguri ata që studiojnë në USHT.
Sipas tij, studentët të cilët studiojnë në USHT, janë të obliguar të vendosen nëpër shtëpi private. Objekti i shtëpisë studentore të USHT-së, siç mësojmë jozyrtarisht nuk do të jetë gati as për këtë vit akademik. Edhe pas tentimeve për të marrë informata zyrtare nga udhëheqja e USHT-së një gjë e tillë ishte e pamundur.
Përndryshe, me konkursin e MASH-t për vendosjen e studentëve nëpër shtëpitë publike studentore, do të kenë mundësi të konkurrojnë për vendosje të gjithë studentët e rregullt. Afati për paraqitjen e studentëve të vitit të dytë dhe më lart, ka filluar më 9 korrik dhe do të zgjasë deri më 9 gusht të këtij viti, kurse afati për paraqitjen e studentëve të vitit të parë fillon më 21 gusht, ndërsa përfundon më 28 të të njëjtit muaj. Studentët të cilët duan të paraqiten në Konkurs, duhet të plotësojnë formular në mënyrë elektronike në raspredelba.gov.mk.
Lista përfundimtare e rangimit të studentëve të pranuar për t’u vendosur nëpër shtëpitë studentore të vendit do të shpallet më 10 shtator 2010, nëpër vetë objektet e shtëpive, për të cilat kanë konkurruar studentët në formë elektronike. Studentët e viteve më të larta të studimit nëpër shtëpitë studentore, do të vendosen nga data 1 deri më 10 shtator, ndërsa ata të cilët janë regjistruar në vitin e parë, “brucoshët”, do të vendosen prej 11 deri më 15 shtator.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›