E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, reforma e pensioneve: Do të rritet mosha, jo kontributet

Reforma e pensioneve duket se do jetë një nga më të rëndësishmet që qeveria pritet të ndërmarrë gjatë këtij viti. Sinjalin në këtë drejtim e ka lëshuar kryeministri i vendit, Sali Berisha, dje, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, ku është shprehur se, reformimi i sistemit të pensioneve është bërë domosdoshmëri. Për herë të parë, Kryeministri ka pohuar, se skema aktuale e pensioneve është bërë një gangrenë për buxhetin, duke i marrë më shumë se 15 miliardë lekë çdo vit nga arka e shtetit, të cilat nuk mbulohen nga sigurimet. “Në rast se ne u detyruam të punojmë, të operojmë në kushtet më të vështira për pensionet, sot, ne fusim nga buxheti i shteti, 1% të GDP-së, nëse defiçiti buxhetor është 3%, 1/3 e tij ose 33%, vijnë vetëm nga derdhja që bëjmë ne në fondin e pensioneve, nga buxheti i shtetit, nga taksat e taksapaguesve, por ne duhet të bëjmë, që gjenerata tjetër të mos derdhë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, por kjo të mbulohet nga kontributet, ne do ta bëjmë këtë”, - tha Kryeministri para deputetëve demokratë. Ai tha se, krahas krizës së borxheve, disa vende do të kërcënohen nga kriza e fondeve të pensioneve. Duket se, hapi i parë në këtë drejtim, do të nisë me rritjen e moshës së pensionit. “Do të vendosim një sistem të atillë, dhe nuk do të rrisim kontributet e punëtorëve, por do të bazohemi në një rishqyrtim tërësor të kontributeve dhe do të bëhet e mundur, që gjenerata që vjen pas 15 vitesh a 20 vitesh, të mos ketë më detyrimin për të derdhur nga buxheti i shtetit, fonde të mëdha”, - tha Kryeministri. Kryeministri, ka sinjalizuar rritjen e moshës së pensionit, në krye të reformës. “Jetëgjatësia po zgjatet, po zgjatet në mënyrë të ndjeshme, mosha 65 vjeç për pensione të caktuara, në një kohë kur, jetëgjatësia mesatare ka qenë 70 vjeç, kur sot, jetëgjatësia mesatare po shkon rreth 78 vjeç”, shtoi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›