E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Durrësit; Rrezikohet godina, debat për pronësinë e tokës



Rrezikohet seriozisht ndërtimi i godinës së Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, pasi disa persona pretendojnë pronësinë mbi truallin ku sot ndodhet kinoklubi i portit detar. Nëntë vjet më parë, të njëjtët persona, morën një sipërfaqe toke prej 2656 metrash katrorë në bregdetin e Durrësit, mbi të cilën janë ndërtuar kullat binjake, që kanë vënë në rrezik realizimin e projektit të godinës së re të universitetit “A. Moisiu”. Sërish ata po pretendojnë të marrin edhe truallin mbi të cilin është parashikuar ndërtimi i kësaj godine duke e çuar problemin në gjykatën e shkallës së parë në Durrës. Realisht, fati i godinës së re të Universitetit ndodhet në duart e gjyqësorit. Në muajin gusht të vitit 2008, Kryeministri Sali Berisha deklaroi: “Ish-Klubi i Kulturës së Portit Detar do t’i kalojë në pronësi Universitetit ”A. Moisiu” me qëllim ndërtimin e një godine shtesë për këtë universitet”. Aktualisht, çështja ndodhet në proces gjyqësor, edhe pse deri në fund të viteve ’30, kjo sipërfaqe toke ka qenë det dhe për rrjedhojë nuk ka pasur pronarë. Ish-Klubi i Kulturës së Portit Detar të Durrësit është ndërtuar mbi një sipërfaqe toke prej 2350 metrash katrorë. Ai ndodhet në zonën bregdetare pranë sheshit “Iliria” ose ngjitur me kullat binjake. Klubi i Kulturës ka dalë jashtë përdorimit pas viteve ’90 dhe tashmë është krejtësisht i amortizuar. Në muajin gusht të vitit 2008 Kryeministri Sali Berisha pati një takim me drejtuesit e Universitetit ”A. Moisiu” Durrës. Pasi u njoh me problemet e këtij institucioni, Berisha deklaroi kalimin e ish-Klubit të Kulturës së Portit në pronësi të Universitetit me qëllim ndërtimin e një godine të re. Kjo do të mundësohej me fondet që do të dërgonte MASH-i për këtë projekt. Edhe pse kanë kaluar 7 muaj që nga ajo kohë MASH-i nuk është bërë i gjallë në një kohë që projekti është në rrezik. Trualli, mbi të cilin janë ngritur dy kullat binjake si dhe ish-Klubi i Kulturës së Portit Detar, deri në fund të viteve ’30 të shekullit të shkuar ka qenë sipërfaqe detare. Ajo u bonifikua me qëllim zgjerimin e portit detar, kështu që nuk ka pasur asnjë pronar përveç shtetit. Për këtë zonë ekzistojmë dokumente me shumicë në zyrat urbane.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›