E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat e makinave që importohen, ligji shqyrtohet nga KE



Para së të kalojë në tavolinën e Këshillit të Ministrave, drafti me ndryshimet e propozuara në regjimin e taksave të automjeteve të përdorura që importohen në vend nga BE është duke u analizuar nga zyra e Komisionit Europian në Tiranë nisur edhe nga qëllimi për të cilin ai është hartuar. Burime zyrtare nga Ministria e Financave konfirmojnë marrjen në shqyrtim të ndryshimeve në ligj nga zyra e Komisionit Europian në Tiranë për të parë përputhshmërinë e tij me kushtet e përcaktuara në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të cilën vendi ynë e ka nënshkruar në vitin 2006. Pas marrjes së konfirmimit për përputhshmërinë e tij me kushtet e MSA-së, drafti pritet të shqyrtohet në mbledhje qeverie për të kaluar me pas për miratim në Kuvend. Sipas dispozitave të përcaktuara në marrëveshje deri në vitin 2011 Shqipëria duhet të zerojë taksat doganore për një serë mallrash që importohen nga Bashkimi Europian. E detyruar nga kjo marrëveshje, qeveria shqiptare ka hartuar një draft me disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare ku ndër të tjera parashikohet heqja e taksës fikse ose siç thirret rëndom "dogana", për automjetet e përdorura që sillën nga BE. Me ndryshimet e propozuara në ligjin për taksat kombëtare qeveria përmbush detyrimet e përcaktuara nga MSA-ja duke hequr taksën fikse për automjetet e përdorura që importohen nga vendet e BE-së, por synon të aplikojë një regjim të ri taksash të cilat rrisin edhe më tej detyrimet e blerësve. Kjo, nisur edhe nga pritshmëritë që MF-ja ka pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Sipas të dhënave të MF-së të ardhurat nga importi i makinave gjatë vitit 2009 arritën në 2.9 miliardë lekë ndërkohë që regjimi i ri i taksave pritet të rrisë edhe më tej të ardhurat në buxhet. Regjimi i ri i taksave synon të demoralizojë edhe importin e makinave të vjetra në vend. Si një nga përbërësit kryesorë të llogaritjes së taksës, vjetërsia e makinës do të rriste në mënyrë të ndjeshme detyrimet e importuesit ndaj shtetit duke ndaluar në një farë mënyrë futjen në vend të makinave të amortizuara. Sipas draftit të ri, taksa doganore për makinat do të zëvendësohet nga një taksë e re e përbërë më së shumti nga "taksa e karbonit". Shuma që importuesi i një automjeti do të duhet të paguajë do të jetë produkt i një shumëzimi të madhësisë së motorit, vjetërsisë së automjetit dhe llojit të karburantit që ai përdor. Për sa i përket vitit të prodhimit, është propozuar që ato të shumëzohet me një koeficient fiks ku për rastin e autoveturave për çdo vit përdorimi do të jetë 0.5. Për sa i përket taksës fikse për llojin e karburantit, parashikohet që ajo të jetë 20 lekë për automjetet e që punojnë me benzinë dhe 25 lekë për ato me naftë. Përveç shlyerjes së këtyre detyrimeve në momentin e hyrjes në vend, drafti i ri parashikon taksimin e autoveturave edhe gjatë shitjeve në vend. Plus taksave në doganë në momentin e shitjes tek një tjetër përdorues, automjetit do t'i llogaritet koha që ka kaluar në vend, e cila do të shumëzohet me cilindratën e motorit dhe llojin e karburantit, duke nxjerrë edhe taksën që duhet paguar përsëri pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Rrugor.

Formula e përllogaritjes së taksës
1. Automjetet
Vjetërsi X 0.5 X fuqi motorike X 20 lekë (benzinë) ose 25 lekë (naftë)

2. Mjetet e tjera
Vjetërsi X 0.25 X fuqi motorike X 20 lekë (benzinë), 25 lekë (naftë)

9 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›