Rastet kur një ish-ushtarak mund të aplikojë për pension të parakohshëm
Laureta Rryçi
Vendimi për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe për pensionet suplementare të ushtarakëve merret nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore. Në vendimin për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe të pensioneve suplementare të ushtarakut caktohet lloji i pensionit dhe afati i pagesës. Vendimi bazohet në dokumente të sakta të lëshuara vetëm nga organet kompetente, në formën e caktuar dhe pa korrigjime. Veprimet dhe parimi i kërkesës së dokumenteve, shqyrtimi dhe plotësimi i vendimit për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe të pensioneve suplementare
të ushtarakut kryhen nga inspektorët e sigurimit suplementar të ushtarakëve. Kur dokumentet janë të rregullta dhe plotësojnë të gjitha kushtet, kryhen veprimet për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të
ushtarakut në fletën e posaçme të përllogaritjes. Pas këtyre veprimeve plotësohet vendimi për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të
ushtarakut në fletën e posaçme të vendimit të caktimit të pensionit, me të gjitha kërkesat që ka formati përkatës. Ish-ushtarakët që kanë dalë në rezervë ose kanë ndërprerë karrierën ushtarake për arsye shëndetësore dhe duan të përfitojnë pension para kohe mund të depozitojnë një kërkesë të tillë. Vetëm se në këto raste duhet të mbahet parasysh se kur aplikohet për pension të parakohshëm nuk e përfiton masën e plotë të pensionit që do ta kishin përfituar nëse do të kishin mbushur moshën. Madje nëse bëhet një kërkesë e tillë, personat që përfitojnë pension të parakohshëm iu humb e drejta që në momentin që mbushin moshën të bëjnë kërkesë për pension të plotë.
Vendimi
Vendimi merr numrin e regjistrit të kërkesës në regjistrin e kërkesave për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar të ushtarakut, ndërsa si datë shënohet ajo e plotësimit të vendimit. Për pensionet suplementare familjare të ushtarakëve, në pjesën e posaçme të vendimit shënohen fëmijët e lindur dhe të rritur deri në moshën 8 vjeç ose anëtarët e familjes që përfitojnë pension suplementar familjar të ushtarakëve. Në vendim caktohet dhe afati i pagesës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ose pensionit suplementar të ushtarakut si vijon: Për pensionet e parakohshëm për vjetërsi shërbimi deri në plotësimin e moshës për pension pleqërie sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Për pensionet suplementare të pleqërisë dhe për pensionet suplementare familjare të ushtarakut në rastet kur anëtari i familjes që përfiton është mbi moshën që përcakton Ligji Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, caktohet i përhershëm. Pensioni suplementar invaliditeti të ushtarakut deri në datën e mbarimit të afatit të caktuar, të vlerësimit të aftësisë për punë, me vendim të KMCAP. Për pensionet suplementare familjare të ushtarakut për jetimet, afati i pagesës deri në datën kur jetimi më i madh plotëson moshën 18 vjeç dhe për ata që janë mbi moshën 18 vjeç dhe vazhdojnë shkollën deri më datën e fillimit të vitit të ri shkollor, por në asnjë rast me tej se data e plotësimit të moshës 25 vjeç.
Familja
Kur anëtarët e familjes që gëzojnë pension suplementar familjar të ushtarakut kërkojnë që ai të ndahet dhe të paguhet i veçantë, nuk merret tjetër, por në vendimin e marrë bëhen shënimet për ndarjen e pensioneve. Në këto raste nuk hapet dosje e veçantë, por vetëm plotësohet kartelë, urdhër pagese e librezë pensioni suplementar të ushtarakut e veçantë për aq sa është ndarë ky pension. Këto mbajnë të njëjtin numër të pensionit
suplementar familjar të ushtarakut me fraksione “a”, “b” etj.
Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pensionit suplementar të pleqërisë, suplementar të invaliditetit ose njëri nga anëtarët e familjes që merr pension suplementar familjar banojnë në një rreth tjetër dhe kërkon që ky pension t`i paguhet ne atë rreth, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të rrethit përkatës që ka caktuar pensionin, me kërkesën me shkrim të të interesuarit bën ndarjen e tij, plotëson kopjen e vendimit për caktimin e pensioneve, të firmosur e vulosur sipas rregullave dhe ia dërgon Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të rrethit ku banon i interesuari. Vendimi për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të ushtarakut nënshkruhet nga inspektori i sigurimit suplementar të ushtarakut, përgjegjësi i përfitimeve suplementare, miratohet nga drejtori, njëkohësisht vuloset dhe
me vulën e Drejtorisë. Ne vendim nuk lejohet të bëhen korrigjime.
Pas miratimit vendimi regjistrohet në regjistrin themeltar të pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensioneve suplementare të ushtarakëve, plotësohet urdhër pagesa, kartela personale dhe libreza e pensionit të parakohshme për vjetërsi shërbimi ose libreza e pensionit suplementar të ushtarakut. Pas kryerjes së këtyre veprimeve dosja kalon për firmë të kryetari i degës së financës. Kur kërkesa për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose për pension suplementar të ushtarakut refuzohet, i interesuari njoftohet brenda 20 ditëve nga marrja e
vendimit duke i kthyer dokumentet që ka paraqitur. Në këtë rast në regjistrin e kërkesave për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe për pensionet suplementare të ushtarakut
shënohet data dhe shkaqet e refuzimit, ndërsa korrespondenca ruhet në një dosje të veçantë sektorit të sigurimit suplementar të ushtarakut.
Regjistrimi i vendimit dhe çelja e dosjes personale të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pensionit suplementar
të ushtarakut
Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, si dhe pensionet suplementare të ushtarakëve që jepen sipas Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” regjistrohen në regjistrin themeltar të pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensioneve suplementare të ushtarakëve, në të cilin shënohet emri, atësia, mbiemri i pensionistit dhe të gjitha të dhënat e tjera që mban
regjistri, numri rendor i regjistrit dhe kodi përkatës që ka pensioni në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Kur pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensioni suplementar i ushtarakut i regjistruar njëherë pëson ndryshime, p.sh., kalon nga një lloj pensioni në një lloj tjetër, lë pensionin e hyn në marrëdhënie pune dhe më vonë i lind e drejta për të marrë pensionin e të njëjtit lloj, nuk regjistrohet me numër të ri, por vazhdon të mbajë numrin që ka pasur. Për të pasqyruar këto ndryshime në regjistër për çdo pension të regjistruar lihen 5 rreshta bosh.
Në dosjen e pensionit ruhen këto dokumente:
*Vendimi i caktimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të ushtarakut.
*Kërkesa me të gjitha dokumentet e regjistruara në të, që kanë shërbyer për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të ushtarakut dhe të gjitha dokumentet që merren here pas here për të provuar vazhdimësinë e pagesës së këtij pensioni.
*Kur pensionisti kalon nga një lloj pensioni në tjetrin, dosja së bashku me kartelën e
pensionit të mbyllur, ruhet në dosjen e pensionit që vazhdon të paguhet. Gjithashtu në dosje ruhen dhe kartelat e tjera që ka mbaruar plotësimi i shkarkimit të pagesës së pensionit.
*Dokumentet në dosje mbahen të sistemuara sipas llojit të renditjes kronologjike. Dosjet e pensionit, librat e regjistrat mbahen në arkiv të posaçme të siguruara sipas rregullave të caktuara, të sistemuara sipas llojit e numrit rendor dhe ruhen përgjithmonë.
Ish-ushtarakët: Qeveria të zbatojë ligjin për pensionet suplementare
Ish-ushtarakët në rezervë i janë drejtuar qeverisë dhe institucioneve të saj përgjegjëse të mos bëhen pengesë për zbatimin e ligjit për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura sepse në të kundërt do të përballen me padi në organin e Prokurorisë. Deklarata u bë dje në një ceremoni përkujtimore që përkon me 14-vjetorin e themelimit të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë. Drafti i miratuar vite më parë iu nënshtrua ndryshimeve nga qeveria, që sipas ushtarakëve cenon të drejtat dhe përfitimet e tyre financiare. Në këto kushte, mjaft shoqata ankimuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese duke e cilësuar atë të papajtueshëm me ligjin themeltar të shtetit. Në nëntor të 2009-s, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të tij. Në ceremoninë e djeshme të organizuar në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ish-ushtarakët kujtuan 14 vitet e formimit të shoqatës së tyre, që numëron mbi 17 mijë anëtarë të shtrirë në të gjitha rrethet, por dhe jashtë vendit. Ata shigjetuan politikën dhe qeveritë e ndryshme, të cilat kanë ndërmarrë reforma pa kritere profesionale në ushtri, por mbi kritere politike duke flakur në rrugë profesionistët e ushtrisë.
9 Prill 2010