Nuamah: “Qeveria të ketë kujdes me përdorimin e fondeve të BB-së”
Ervin KOÇI
Zyra e Bankës Botërore në Tiranë ka sqaruar pozicionin e saj për rialokimin e fondeve të projektit të tokës drejt zonave të përmbytura. Camile Nuamah, përfaqësuesja e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë tha dje se kjo ka ardhur pas bllokimit të njërit prej komponentëve të projektit nga Ministria e Brendshme. "Njëri nga komponentët e projektit të tokës që menaxhohet nga Ministria e Brendshme deri tani, ka qenë më problematiku. Që nga viti 2007 e deri në janar 2010, nga ky komponent s’ka pasur asnjë kontratë të punimeve civile. Ne i kemi kërkuar Qeverisë të bëjë ndryshimet e nevojshme për përshpejtimin e punës. Sqarojmë se fondet e papërdorura të BB-së kanë një kosto për vendin, sepse bllokohen burimet që mund të përdoren më mirë diku tjetër. Pas këtij bllokimi Banka i sugjeroi qeverisë që mund të konsideroheshin fondet e papërdorura për përmbytjet. Ndërkohë autoritetet morën përsipër të gjejnë burime shtesë për të mbuluar punimet në Berat, Elbasan, Shkodër dhe Kamëz, projektet e të cilave ishin tenderuar ose ishin në proces tenderimi në shumën e 1.6 milionë dollarëve. Ne kuptojmë shqetësimin e bashkive, dhe inkurajojmë një dialog mbi këto çështje, madje një ekip nga Uashingtoni do të mbërrijë në Tiranë për të diskutuar me autoritetet",- deklaroi Camille Nuamah, drejtore e Zyrës së BB në Tiranë.
Rialokimi
Banka Botërore ka të drejtë që të rialokoj fonde nëse nuk vihen në përdorim. Sipas Nuamah qeveria kërkoi në 1 prill që t'i përdorte këto fonde në pjesën veriore të vendit dhe t'ia hiqte bashkive. BB-ja ka reaguar në lidhje me fondin që qeveria do të përdorë në zonat e përmbytura të Shkodrës. Përdorja e këtij fondi solli edhe reagimin e bashkive në vend sipas të cilave, qeveria la përgjysmë investimet në këto qytete, për t´ia kaluar të gjitha Shkodrës. Por Nuamah sqaron se, “BB nuk mund ti përgjigjej kërkesave të Shqipërisë për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, në fushën e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet, pasi ajo nuk siguron burime në formë ndihme”. Prandaj, sipas Nuamah, i është këshilluar qeverisë shqiptare të përdorë fondet e papërdorura të LAMP-it. “BB-ja nuk jep burime në formën e kompensimit/ndihmave për përballimin e situatës, pasi kjo nuk është brenda mandatit të BB-së, por politika e saj e reagimit ndaj emergjencave e lejon Bankën të shqyrtojë mundësinë e rialokimit të fondeve nga projektet ekzistuese të pashfrytëzuara, për të ndihmuar me financim rindërtime emergjente”,- sqaron Camille Nuamah. Sipas përfaqësueses së BB, qeveria shqiptare ka premtuar se projektet e nisura të 4 bashkive në vend, do ti mbulonte me buxhetin e përgjithshëm. Ndërkohë që për të mbuluar bashkitë do të gjenden fonde shtesë nga buxheti. Për sa i përket projektit në zonën e Porto Romanos, Nuamah deklaroi se, “nuk është e vërtetë se ky projekt i është shtuar projektit të fundit për menaxhimin e zonës bregdetare por janë përfshirë në një projekt dy projekte të veçanta”.
Kreditë
Përfaqësuesja e BB-së në Shqipëri i ka bërë thirrje Shqipërisë të ketë kujdes me kreditë që do të marrë nga BB-ja. Duke filluar nga qershori i këtij viti ato do të jenë jo më me interesa të buta, por me kushte tregtare. Këto kushte kanë kosto që rëndojnë mbi tatimpaguesit janë të mëdha. Sipas përfaqësueses së BB-së në Tiranë, Nuamah qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në strategjinë e re të partneritetit me këtë institucion ndërkombëtar për sa i përket përzgjedhjes së projekteve apo vonesave në zbatimin e tyre. Kjo pasi rrezikohet thellimi i borxhit publik, tregues që ka arritur aktualisht në 59.5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. "Duke qenë se Shqipëria ka kaluar në fazën e thithjes se financimit tregtar nga Banka atëherë Strategjia e Partneritetit të Vendit, është e nevojshme të jetë më selektive në numrin dhe fushën e projekteve, por edhe t'i kushtojmë vëmendje të madhe ritmeve të zbatimit të projekteve",- vijoi Nuamah.
Strategjia e re
Zonja Nuamah ka folur edhe për strategjinë e re të bashkëpunimi mes Bankës Botërore e qeverisë deri në vitin 2014. “Do të doja ta shfrytëzoj këtë rast për të komentuar mbi strategjinë e ardhshme të Partneritetit të Vendit të Bankës Botërore për periudhën nga qershori 2010 deri në qershor 2014. Pas diskutimeve me autoritetet, BB-ja po bën diskutime e rishikime të brendshme, pas së cilave projekt-strategjia do të konsultohet me Qeverinë dhe me aktorët e tjerë. Se fundmi Strategjia do t’i paraqitet Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore në fillim të verës”, - u shpreh përfaqësuesja Nuamah. Që prej vitit 1991, Banka Botërore ka dhënë për vendin tonë mbi 1 miliardë dollarë kredi pa interesa.
Raporti i BB: Shqipëria me kreditë më të shtrenjta
Një raport i fundit i Bankës Botërore, i publikuar vetëm pak ditë më parë, dëshmon se interesat e kredive në Shqipëri janë më të lartat në rajon. Sipas raportit të titulluar, “Ndërtimi i Konkurrencës në Shqipëri”, thuhet se: “kostoja e kredive në Shqipëri është më e larta në Europën Qendrore dhe atë Lindore”. Të dhënat e publikuara në raport tregojnë se bizneset dhe individët janë ngarkuar me kosto shtesë pikërisht për shkak se bankat në Shqipëri kanë mbajtur fitimet më të larta në rajon. Diferenca mes normës së interesit që bankat aplikojnë për kreditë dhe asaj që ato paguajnë për depozitat është në Shqipëri, plot 3 pikë përqindje më i lartë se vendet e tjera të rajonit. Normat e interesit mbeten shumë të larta në monedhën vendase lek, dhe pikërisht për shkak të këtyre kostove të larta, kredia në Shqipëri është orientuar në pjesën dërrmuese drejt valutës, që mbetet një risk konstant për shkak të goditjeve të kursit të këmbimit. Disa ekspertë thonë se normat e larta të interesit që bankat i ngarkojnë biznesit dhe individëve mund t’i atribuohen edhe kërkesës së lartë që ka pasur ekonomia për financime. Të dhënat tregojnë se në që nga viti 2004 kredia për ekonominë ka shënuar bum duke regjistruar norma rritje historike rritjeje, të cilat ranë vetëm vitin e kaluar për shkak të krizës.
Prifti: “Imunitet investitorëve të huaj në vend”
Qeveria ka miratuar një ligj që i jep imunitet të plotë investimeve të huaja, nga çdo pretendim pronësie, duke marrë përsipër të ndërhyjë vetë si palë edhe në proceset gjyqësore. Sipërmarrësit e huaj që investojnë në Shqipëri më shumë se 10 milionë euro do të përfitojnë mbrojtje të veçantë nga shteti. Një dite pas prezantimit në qeveri të projektligjit për statusin e ri të investitorëve të huaj, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka sqaruar se shteti do të dalë garant në rastet kur bizneset kanë probleme pronësie me palë të treta. “Shteti merr përsipër të paguajë të gjithë detyrimet e palës së tretë, në rast se ajo palë fiton të drejtën”,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Ministri bëri të ditur se cilat do të jenë investimet e huaja që do të përfitojnë mbrojtje të posaçme ligjore nga qeveria. “Mund të përfitojnë bizneset që investojnë në infrastrukturë, bujqësi, energjetikë e turizëm dhe vlera e investimit është më e madhe se 10 milion euro”,- u shpreh Prifti. Një nder pengesat kryesore për kompanitë ndërkombëtare për te investuar ne Shqipëri konsiderohet çështja e pronës. Konfliktet për shkak te pretendimeve nga disa pale kane bere qe sipërmarrës te ndryshëm te pezullojnë projektet duke pritur zgjidhje nga gjykata.
INSTAT: Çmimet e konsumit, 3.9 % më të larta se në 2009
Çmimet e konsumit gjatë muajit mars shënuan një rritje prej 0.1 për qind, krahasuar me muajin e mëparshëm. Një fakt i tillë pohohet në raportim e fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilit ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është realizuar me 3.9 për qind, kur një vit më parë ky ndryshim ishte 1.6 për qind. Konkretisht, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” nuk ka ndryshuar krahasuar me muajin e mëparshëm, por brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 2.5 për qind vërehet në nëngrupin “fruta”. Ndërsa çmimet në nëngrupin “zarzavate” shënuan një ulje prej 2.4 për qind. Sipas INSTAT-it, indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.7 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u rrit me 1.0 për qind; kurse indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.5 për qind. Sa u përket çmimeve të karburantit, gjatë muajit mars ai i naftës u rrit me 1.4 për qind, ndërsa i benzinës u rrit me 3.2 për qind.
9 Prill 2010