E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, i dehuri vret me armë të afërmin, qëllon dhe ndaj policisë

/>Korça tronditet nga një ngjarje e rëndë, ndërsa plumbat e kallashnikovit kanë shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur në këtë rreth. Një baba i depresionuar pas vdekjes së të birit ushtar, ka vendosur të çmendë fshatin Podgorie rreth 20 kilometra larg Korçës, ndërsa ka ekzekutuar një të afërmin e tij si dhe një bashkëfshatare kalimtare. Autori në gjendje të dehur i kësaj ngjarje është përleshur me armë me forcat e policisë duke pasur shkëmbime të forta zjarri pasi një operacioni që ka zgjatur për orë të tëra.
Ngjarja
Ngjarja kriminale ka ndodhur rreth orës 17:00 në fshatin Podgorie të komunës Vreshtas, në rrethin e Korçës. Një 53- vjeçar i quajtur Reshit Adri, banor i këtij fshati ka dalë nga shtëpia në gjendje të dehur, i armatosur me një kallashnikov, ndërsa ka nisur fillimisht të qëllojë në ajër, teksa plumbat kanë lënë të vdekur një 41- vjeçar nga ky fshat për më tepër dhe i afërm i viktimës. Gjatë breshërisë së armëve, katër plumba e kanë kapur në kraharor Lulëzim Lazen, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Banorët e Podgories janë tmerruar nga 53- vjeçari që prej disa muajsh pas vetëvrasjes me automatik të të birit ushtar në Gardën e Republikës, ishte shndërruar krejtësisht duke qëndruar vazhdimisht në gjendje të dehur. Ai, pasi ka ekzekutuar 41- vjeçarin Lulëzim Laze, një i afërm i tij, ka lënë të plagosur dhe një grua, banore e këtij fshati identiteti i të cilës nuk është bërë i njohur nga policia. Më pas ai është larguar nga fshati. Forcat e policisë së Korçës të cilat kanë mbërritur vetëm 30 minuta pas krimit janë vënë në kërkim ta protagonistit vrasës të kësaj ngjarjeje, i cili ka lënë fshatin Podgorie dhe është larguar në drejtim të malit më të afërt të zonës. Në këto kushte, situata është rënduar së tepërmi dhe autori ka vazhduar të qëllojë në drejtim të  forcave të policisë. Vrasja e një 41- vjeçari dhe plagosja e një banoreje tjetër po nga fshati Podgorie kanë iniciuar një operacion të gjerë për kapjen e shumë të kërkuarit Rushit Adri. Me dhjetëra efektiva policie të ardhura për ndihmë edhe nga rrethet fqinjë si nga Pogradeci dhe Devolli kanë marrë pjesë në operacionin e drejtuar nga kreu i policisë së qarkut të Korçë, Emri Vata. Adri është tërhequr nga fshati duke u strehuar në një mal pranë fshatit të tij, ndërsa ka pasur shkëmbime të shumta zjarri për më shumë se një orë kundër policisë. Kjo e fundit i ka bërë thirrje të dorëzohet, ndërsa ka kërkuar dhe të negociojë për të mos shkaktuar dhe viktima të tjera. Operacioni i arrestimit të Reshit Adrit i kthyer në personin më të kërkuar të 24 orëve të  fundit për blutë e Korçës ka vazhduar gjatë, ndërsa janë kërkuar dhe përforcime nga forcat Renea, të cilat janë nisur me urgjencë në drejtim të juglindjes nga kryeqyteti.  Fill pas krimit, policia vendore ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij krimi që ka përgjakur një nga fshatrat më të mëdhenj të komunës Vreshtas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›