E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i vendos qeverisë “Berisha” nëntë kushte për aplikimin e anëtarësimit në BE



Shaban Sulçe

Kuvendi i Shqipërisë do të kërkojë nga qeveria plotësimin e disa kushteve dhe kritereve përpara se ajo të paraqesë aplikimin për kalimin e Shqipërisë si vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në Projektrezolutën e Kuvendit për anëtarësimin në BE, të miratuar dje në Komisionin e Integrimit nga qeveria aktuale, kërkohet realizimi i një programi pune, i cili duhet të ketë afate konkrete dhe rezultate të matshme. Për këtë arsye, qeverisë i kërkohet në radhë të parë ngritja e infrastrukturës dhe garantimi i zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen më 28 qershor. Më pas, kërkesat vijojnë me
forcimin e kapaciteteve administrative për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim; intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave; adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE-së; respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, të drejtës së pronës dhe lirisë së mediave.

Raportimi

Kriteret e përcaktuara në Projektrezolutën e Kuvendit kanë qenë po ato që Bashkimi Europian i ka rekomanduar Shqipërisë për të realizuar anëtarësimin. Në projektrezolutë theksohet që qeveria shqiptare të raportojë në Kuvend mbi ecurinë e negociatave. “Kuvendi i Shqipërisë inkurajon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që, në momentin e përshtatshëm, në konsultim me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Eurupian, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë Organizëm dhe të raportojë për këtë në Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e negociatave”, - thuhet më tej në projektrezolutë, në të cilën i janë bashkuar dje edhe disa sugjerime të paraqitura nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

Projektrezoluta

Në Projektrezolutën e Kuvendit, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian vlerësohet si vendosmëri për përmbushjen e një aspirate historike. Gjithashtu shprehet bindja se komunitetet europiane përbëjnë bërthamën e vlerave të demokracisë, lirisë, bashkëjetesës në paqe, harmonisë, stabilitetit të qëndrueshëm dhe mirëqenies. Në projektrezolutë shprehet bindja dhe besimi se integrimi europian do të krijojë një shoqëri të begatë nëpërmjet konsolidimit të ekonomisë së tregut dhe forcimit të vlerave të shtetit të së drejtës dhe se do të ndikojë në stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit të Ballkanit. Duke u bazuar në Nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian, lidhur me procedurat dhe kushtet e kandidimit e më pas të anëtarësimit, Kuvendi i Shqipërisë me anë të kësaj rezolute shpreson që vendet anëtare të Bashkimit Europian të marrin parasysh kërkesën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar. “Kuvendi i Shqipërisë shpreson dhe mirëpret që Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë dhe aspiratës së popullit të saj për integrim europian, ashtu sikundër ato shprehen edhe në frymën e kësaj Rezolute”, - thuhet në Projektrezolutë.

Kushtet e Kuvendit për qeverinë

1-Ngritja e infrastrukturës zgjedhore dhe garantimi i zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen në datën 28 qershor;
2-Forcimi i kapaciteteve administrative për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Associimit dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim;
3-Intensifikimi i luftës kundër korrupsionit;
4-Intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar;
5-Intensifikimi i luftës kundër pastrimit të parave;
6-Adresimi i detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE-së;
7-Respektimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor;
8-Respektimi i të drejtës së pronës
dhe lirisë së mediave.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›