Universiteti i Tetovës, Dr. Honoris Causa për Topin
Presidenti i Republikës, prof.dr.Bamir Topi, u prit dje në Tetovë nga kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, ndërkohë që në rrugët e qytetit, qindra qytetarë tetovarë përshëndetën kreun e shtetit dhe në hare e me dashamirësi i uruan ngrohtësisht mirëseardhjen. Zoti Bexheti e falënderoi Presidentin e Republikës për këtë vizitë të rëndësishme në qytetin e Tetovës, i cili për herë të parë pret zyrtarisht kryetarin e shtetit shqiptar. Kryetari i Bashkisë së Tetovës i shprehu gjithashtu Presidentit Topi mirënjohjen për mbështetjen e shtetit shqiptar ndaj Maqedonisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian. Për Presidentin Topi, kjo pritje ishte “shumë e ngrohtë dhe vëllazërore”. Kryetari i shtetit vuri në dukje se shteti shqiptar është tepër i vëmendshëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni e kudo ndodhen dhe ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që kanë të bëjnë me jetën, mirëqenien dhe ardhmërinë e tyre për zhvillim. Presidenti vlerësoi rolin moderues dhe konstruktiv të faktorit shqiptar për një rajon të qetë e të stabilizuar, me një ekonomi të zhvilluar dhe vuri në dukje se brezat e rinj aspirojnë të jetojnë në paqe e në harmoni, në shoqëri të zhvilluara, me institucione të qëndrueshme dhe që gjenerojnë progres e drejt këtyre synimeve duhet orientuar puna e gjithsecilit qytetar. Pas këtij takimi, Presidenti Topi vizitoi Universitetin Shtetëror të Tetovës. Për nder të laurimit të tij me titullin më të lartë “Dr. Honoris Causa”, ishte organizuar një ceremoni solemne me praninë e drejtuesve më të lartë të këtij institucioni akademik, drejtues të partive politike shqiptare, përfaqësues të qeverisë maqedonase dhe të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve të tjera akademike, kulturore të Maqedonisë dhe nga Shqipëria, profesorë të nderuar e studentë të këtij universiteti, udhëheqës fetarë, përfaqësues të medias etj. Gjithashtu, gjatë qëndrimit në qytetin e Tetovës, Presidenti Topi vizitoi dhe Xhaminë e Larme në këtë qytet, si dhe kompleksin “Arabati Baba Teqe”. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, përshëndetën dje forumin ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar, të mbajtur në Shkup, me pjesëmarrjen e një grupi të rëndësishëm të biznesit të dy vendeve fqinje. Topi, në fjalën e tij përshëndetëse u shprehu mirënjohjen sipërmarrësve të vendit fqinj dhe të gjitha strukturave shtetërore dhe private ekonomike dhe financiare maqedonase për kontributin që kanë dhënë dhe japin në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal. Në të njëjtën kohë, Presidenti vuri në dukje se ka ende nevojë për të punuar në drejtim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-maqedonas në ato standarde ku aktualisht gjendet bashkëpunimi politik bilateral. Duke vënë në dukje resurset e rralla natyrore që kanë dy vendet tona, kryetari i shtetit shqiptar u shpreh se ne duhet të tregohemi mjaft të kujdesshëm dhe rigorozë në hartimin dhe zbatimin e strategjive që do të mundësonin zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e ekosistemit në këto zona.
#