Majko: Degradimi pasoi krizën, rrezikohet kaosi
Kriza politike në Shqipëri mund të çojë në kaos. Të paktën ky është interpretimi publik i figurave të njohura të opozitës socialiste, siç është edhe ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili ka arritur në këtë përkufizim teksa komentoi deklarimet e kreut të Komisionit parlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan. “Së bashku me atë libër aq të rëndë për Shqipërinë dhe shqiptarët, Berisha vuri në tavolinën e BE-së edhe krizën, e cila me të drejtë nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Ballkanin u përcaktua si degradim. Pra, nëse dikur flitej për krizë, tani flitet për degradim dhe ju siguroj që faza e tretë është kaosi”, u shpreh për “Alsat” ish-kryeministri i Shqipërisë. është vetë përkufizimi i fjalës kaos që nuk lë keqkuptime rreth këtij parashikimi, por edhe paralajmërimi që vjen gjithnjë e më fort nga Partia Socialiste. Mjafton që për këtë t’i referohesh fushatës së zhvilluar nga kjo e fundit, për të kuptuar se në vetvete kaosi i lindur brenda politikës do pasqyrojë veten në një reaksion zinxhir, që si lëndë të parë ka varfërinë dhe arbitraritetin e pushtetit. Protestat e paralajmëruara nga opozita mund të jenë një katalizator i situatës, që edhe për shkak të treguesve ekonomikë nuk mund të pranohet më si e paqtë. Përndryshe, deklarimi i ish-kryeministrit të Shqipërisë vjen nën një përgjegjësi të madhe politike, por edhe simbolike, sepse paralelizon në kohë me dorëzimin nga Shqipëria në Bruksel të pyetësorit për liberalizimin e vizave. Një aspekt i rëndësishëm i deklarimit të Majkos ka qenë edhe ai lidhur me përbërjen e delegacionit shqiptar në Bruksel. Sipas tij, Kryeministri ka përvetësuar si të vetën një ngjarje që në të vërtetë ka të bëjë me të gjithë shqiptarët. Nga ana tjetër, mungesa në delegacion e ministrit të Jashtëm Ilir Meta është vlerësuar nga deputeti socialist si shenjë e dominimit të plotë të vendimmarrjes qeveritare nga kreu i saj. “Ai është një dokument që nuk duhej të shkonte si një dokument i një qeverie dhe si një protokoll i një individi dhe madje do të thosha dhe i një partie. Më bëri përshtypje që në delegacion nuk ishte ministri i Jashtëm, i cili është institucioni që e ka koordinuar këtë histori dhe që në çdo vend normal do ta kishte në delegacion”, tha Majko.
#