Albin Kurtit i bastiset zyra, tërhiqet prokurori
Në seancën e gjashtë të gjykimit të EULEX-it kundër Albin Kurtit, dha dorëheqjen avokati mbrojtës i caktuar “ex officio” nga EULEX-i, Avni Gjakova, ndërsa u bastisën zyrat e aktivistit të “Vetëvendosjes”. Në seancën e kaluar, Avni Gjakova i bëri një kërkesë panelit gjykues të EULEX-it, që përbëja e këtij trupi të ishte e gjitha shqiptare. Kryesuesi i panelit, Ferdinando Buatier de Mongeot, ia kishte përcjellë kërkesën e tij Presidencës së Gjyqtarëve të EULEX-it. Në përgjigjen që kishte kthyer kjo presidencë, kishte specifikuar se kjo është e pamundur sipas ligjit ekzistues, me ç’rast u theksua se përbërja e panelit duhet të kishte shumicën e përbërjes ndërkombëtare, sepse rasti i Albinit është definuar si i ndjeshëm dhe i ndërlikuar. Përveç kësaj, De Mongeot tha se kishin bërë përpjekje edhe më herët për rekrutimin e gjyqtarëve shqiptarë, por se kinse paska qenë e vështirë për gjetjen e tyre. Pas kësaj, fjalën e mori Avni Gjakova, i cili bëri të ditur se meqë kërkesa e tij nuk ishte realizuar, ai nuk do të mund të ishte pjesë e këtij procesi gjyqësor, i cili e pamundëson drejtësinë dhe paanshmërinë. Gjithsesi, Avni Gjakova nuk e tha në mënyrë eksplicite nëse dha dorëheqje përfundimtare dhe të parevokueshme si avokat mbrojtës i Albin Kurtit në këtë gjyq politik.
#