E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Opozita ti drejtohet rrugës ligjore për problemet

Deklarata Diplomacia, konferenca islamike i kërkon Harxhit: Firmosni kartën e re të organizatës

Dorëzimi i pyetësorit për liberalizimin e vizave dhe hapat e rinj në drejtim të integrimit duket se nuk kanë ndikuar në uljen e toneve politike në Shqipëri. Madje, përkundrejt mesazheve gjithnjë e më të tensionuara të opozitës socialiste, shumica në pushtet ka bërë të qartë për opinionin se e gjithë kjo situatë mund të peshojë negativisht, por se ajo nuk cenon aspak në vendimin për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. “Për çështjen e liberalizimit të vizave mendoj se parimi ka qenë shumë i qartë dhe mbetet i qartë; i gjithë ky proces është në parim i mbështetur në plotësimin e kushteve dhe të standardeve teknike dhe unë duhet t`ju them se Shqipëria ka bërë një progres spektakolar...”, u shpreh dje në një bashkëbisedim me gazetarët ministri i Jashtëm, Ilir Meta. I vlerësuar si një interes i dyfishtë, si për qeverinë ashtu edhe për qytetarët, liberalizimi i vizave po transformohet në një kartë veprimi politik, që sipas gjasave nuk do të kushtëzohet nga kriza politike e tanishme. Kjo e fundit mund të shërbejë për shtyrjen e vlerësimit për marrjen e statusit të vendit kandidat, por në optikën e interesave elektorale, lëvizja e lirë po shërben më shumë në favor të shumicës aktuale. Mesazhet e djeshme të ministrit të Jashtëm shqiptar kanë bërë të qartë se në këtë drejtim politika nuk mund të influencojë më, edhe pse një thirrje për bashkëpunim është ripërsëritur qoftë edhe si një detyrim i qeverisë për të mbajtur në vëmendje shqetësimet që vijnë nga opozita dhe e kanë nxjerrë këtë të fundit në rrugë. “Ju keni dëgjuar që në 30 prill do të hapen kutitë. Dëgjuat edhe që do hapeshin në nëntor dhe se do të përmbysej qeveria... është vërtet jo pozitive që ekziston ende filozofia e imponimit në mënyrë jo të arsyeshme dhe e sfidës ndaj institucioneve... Unë përsëri do të shprehja dëshirën që të ndiqej rruga e institucioneve, që është e vetmja rrugë që i çon të gjithë përpara, pa dyshim edhe opozitën”, u shpreh numri dy i qeverisë shqiptare. Vizita e fundit e zv.ministres së Jashtme, Edit Harxhi, në Sesionin e Zyrtarëve të Lartë të Organizatës së Konferencës Islamike në Xheda të Arabisë Saudite, ka shtruar para palës shqiptare një kërkesë zyrtare për firmosjen dhe ratifikimin e Kartës së re të kësaj organizate. E miratuar në 14 mars 2008, dokumenti i ri parashikon forma të reja vendimmarrjeje dhe hap rrugën e dialogut ndërfetar në plan ndërkombëtar. Kërkesa i është bërë Harxhit nga sekretari i Përgjithshëm i KI-së, Ekmeleddin Ihsanoglu, i cili ka pranuar ndër të tjera ftesën e bërë në emër të Kryeministrit Sali Berisha për një vizitë të afërt në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›