E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, Malstrom takon ministrin Basha

Vizat

Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, si dhe komisionerja për çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë e Komisionit Europian, znj.Cecilia Malstrom, kanë vlerësuar progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe kanë siguruar ministrin e Brendshëm, z.Lulzim Basha, se për këtë çështje do të ecet shumë shpejt drejt një vendimmarrjeje pozitive. Ministri Basha ishte i ftuar sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, ku paraqiti arritjet e Ministrisë së Brendshme në kuadër të liberalizimit të vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit kufitar, rendit publik dhe sigurisë e rezultatet në luftën kundër kriminalitetit. Europarlamentarët vlerësuan progresin e Shqipërisë si shumë të kënaqshëm dhe deklaruan mbështetjen e tyre të plotë për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. “është impresionuese, është bërë shumë progres. Unë do të finalizoj raportin dhe do ta diskutoj me shtetet anëtare dhe Parlamentin para propozimit. Përfundimisht, çështja e vizave është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe jam e impresionuar nga puna e qeverisë shqiptare. Kriteret janë transparente, janë të lehta për t’u vlerësuar dhe kjo është mënyra për të ecur përpara. Shpresoj se ne do kemi shumë shpejt një vendimmarrje pozitive”, deklaroi komisionerja Malstrom pas takimit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›