E Diel, 1 Nëntor 2026

Një muaj nga zhdukja e Bleona Matës, ende asnjë gjurmë



KUKËS - Një muaj më parë, në atë pasdite të 22 majit, u zhduk në rrethana misterioze Bleona Mata, vajza 6-vjeçare nga fshati Zapot i Kukësit. Prej asaj dite asgjë nuk dihet për vogëlushen përveç shpresës për gjetjen e saj. Kërkimet nuk kanë munguar nga ana e forcave të rendit, ndërkohë që ato janë shtrirë edhe në Interpol. Fotoja e fëmijës është shpërndarë në të gjitha pikat kufitare, por pas një muaji vajza konsiderohet sërish e zhdukur. Familja e vajzës në fshatin malor nuk ka reshtur së kërkuari dhe apeluari për ndihmë. Gjatë intervistave të dhëna nëna apelon se do të falë çdo gjë, madje dhe organet e saj për transplantim, vetëm vajza mos t’i preket. Babai shprehet se vajzat, kushërirat e Bleonës, mund të fshehin diçka. Zemrat e tyre mbeten pezull teksa ditët që prej 22 majit largohen vazhdimisht, duke mos sjellë asnjë lajm për të voglën Bleona. Në gjetjen e saj janë angazhuar edhe prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë marrë në pyetje banorët e fshatit në afërsi të kufirit me Kosovën. Natyra malore përbri fshatit hodhi dyshimet fillimisht se vajza mund të jetë “rrëmbyer” nga kafshë të egra, por banorët shprehen se kurrë në afërsi të fshatit nuk ka ndodhur më parë diçka e tillë. Policia realisht është përqendruar në pistën e grabitjes me qëllim trafikimi ose adoptimi jashtë vendit. Bleona e vogël kishte insistuar të shkonte në bjeshkë pasditen e 22 majit, ku kullotnin bagëtitë kushërirat e saj. Më pas u zhduk. Xhupi i 6-vjeçares do të mbetej si e vetmja provë në të cilin Bleona kishte qenë e ulur në minutat e fundit.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›