E Diel, 1 Nëntor 2026

Punonte si polic burgu i dënuari me tetë vite heqje lirie në Itali



Artan CENA
ELBASAN - I dënuar me burg që prej vitit 2002 në Itali, një 44-vjeçar punonte si polic në Burgun e Peqinit. Skandali është zbuluar ditën e djeshme kur Policia e Elbasanit ka vënë në pranga Dritan Maçin. Por skandali thellohet dhe më shumë kur mësohet se Maçi ishte i shpallur në kërkim nga policia që nga viti 2003 dhe në vitin 2004 ai kishte nisur të punonte në Policinë e Burgjeve. Arrestimi i tij është bërë vetëm ditën e djeshme. Maçi rezulton të jetë i dënuar me tetë vite burg në Itali për akuzat e “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” dhe “kryerje marrëdhëniesh seksuale më të mitura”. Ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë që më 23 shtator të vitit 2003 dhe pas shtatë vitesh, Gjykata e Elbasanit ka vendosur që të njohë masën e dhënë ndaj tij nga Drejtësia italiane e qytetit të Viçencas.
Arrestimi
Shtatë vjet pas dënimit është vënë në pranga i dënuari për disa akuza në Itali dhe që në Shqipëri punonte si polic burgu. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se nga ana e efektivëve të Seksionit Kundër Personit është bërë e mundur kapja e personit të shumëkërkuar Dritan Maçi, 44 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Peqinit, në lagjen “Teqe”, i cili ishte punonjës policie në Burgun e Peqinit. Arrestimi tij është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në bazë të vendimit të dhënë, ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" me qëllim njohjen e një vendimi penal të një shteti të huaj. “Ky person është dënuar në shtetin italian me tetë vite burg për veprat penale të "trafikimit të të miturve me qëllim shfrytëzim prostitucioni", "shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese" dhe "marrëdhënie seksuale me dhunë më të mitura të moshës 14-18 vjeçe", thanë gjatë ditës së djeshme burimet zyrtare të Policisë së Elbasanit.
Krimet
Policia e Elbasanit ka shpjeguar gjatë ditës së djeshme se veprat për të cilat akuzohet Maçi i ka kryer në shtetin italian në periudhën e viteve 1999-2001. Në këtë vit rrjeti i tij ishte shkatërruar dhe policia e shtetit fqinj kishte mundur të kapte disa prej anëtarëve duke i dënuar. Ndër ta ishte dhe Dritan Maçi, i cili ishte arratisur. Por, për akuzat e mësipërme ai është dënuar në vitin 2002 në Itali me tetë vite burg. Pas vendimit të dhënë nga Drejtësia italiane i ka ardhur radha dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin e mësipërm, me qëllim njohjen e vendimit të dhënë nga Gjykata e shtetit italian (Viçenca) dhe që ka marrë formë të prerë në datën 23 shtator 2003, pasi këto vepra penale parashikohen nga të dyja kodet penale të shteteve. Policia ka bërë të ditur se i arrestuari aktualisht punonte në Institucionin e Riedukimit të Peqinit si punonjës policie shërbimi.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›