E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Vlorës, peticion Ministrisë së Arsimit

Rektori Tanush Shaskaj dhe pedagogët kanë dalë kundër vendimit për rikthimin në punë të dekanes Arta Musaraj

VLORË- Ministria e Arsimit ka kërkuar nga universiteti i Vlorës që të rikthejë në punë dekanen Arta Musaraj por kjo ka sjellë reagime të ashpra. Sipas shkresës së dërguar nga ministria, kompetenca për shkarkimin e dekanes i takon ministrit, pas një propozimi të rektorit, procedurë kjo që është shkelur nga universiteti i Vlorës. I pari që ka reaguar është rektori Tanush Shaskaj, i cili duke qenë larg Vlorës u është drejtuar dy zëvendësve të tij me anë të e-mail-i. Kaq ka mjaftuar që deri në orët e vona në universitetin e Vlorës të mblidheshin urgjent përfaqësues të stafit akademik.

Pasi është njohur me shkresën e dërguar nga ministria, Shaskaj ka njoftuar kolegët, se do të japë dorëheqjen nëse znj. Arta Musaraj do të rikthehej në detyrën e dekanes së fakultetit të Ekonomisë dhe Drejtësisë. Të njohur me vendimin e Shaskajt, drejtues departamentesh dhe pedagogë kanë shprehur vendosmërinë për të mbështetur rektorin e tyre, duke nënshkruar një peticion për Ministrinë e Arsimit. Zëvendës rektorja, Pranvera Resuli, pohon se deri në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme, janë mbledhur 150 firma nga stafi akademik, që përkrahin rektorin për ndryshimin e vendimit të Ministrisë së Arsimit. “Është një reformë që ka nisur Universiteti i Vlorës dhe nuk duam që ajo të mbetet në mes. Aktualisht nuk bëhet fjalë për dorëheqje nga ana e rektorit, por një qëndrim të tij ndaj kësaj situate”,- tha Resuli. Mbështetja e dhënë në takimin e djeshëm ka arritur deri në dorëheqje edhe të pedagogëve të tjerë së bashku me Shaskën, nëse ministria vepron sipas shkresës së dërguar së fundmi. Në një nga deklaratat e botuara në sitin zyrtar nga departamenti i fizikës thuhet se “jemi mbledhur ne përkrahje dhe në mbështetje të qëndrimit dhe veprimit tuaj për largimin nga puna të Arta Musarajt dhe në kundërshtim të veprimit zyrtar për rikthimin e saj”. Me anë të peticionit, kërkohet ndryshimi i këtij qëndrimi dhe pranimi i vendimit të rektorit Shaskaj për largimin e Musarajt. Pedagogët thanë se nuk kanë pse të vuajnë pasojat e këtij vakuumi ligjor, por vendimi të merret parasysh, pasi ka qenë pjesë e reformave. Konflikti Musaraj – Shaskaj është bërë i dukshëm qysh në mbylljen e vitit të mëparshëm akademik. Disa javë më parë dekania Arta Musaraj u pushua nga detyra që mbante në universitetin e Vlorës. Vendimi u firmos nga Shaskaj dhe këshilli i etikës. Dita e djeshme përkonte me ditën e fundit të afatit akimues nga ana e ish-dekanes. Ankimimi i saj ka gjetur përgjigje në Ministrinë e Arsimit, e cila ka kërkuar rikthimin në punë.

KËRKESA

Stafi akademik dhe drejtuesit e Uiversitetit të Vlorës i kërkojnë ministrit Beja rishikimin e vendimit mbi kthimin e Arta Musarajt në detyrë. Pedagogët kanë firmosur peticionindrejtuar Ministrit të Arsimit dhe Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, ndërsa kanë kërkuar nga ministri Beja rishikim të vendimit të marrë. Në peticion firmëtarët shkojnë edhe më tej, pa dhënë afate ministrisë ata kanë deklaruar se do të japin të gjithë dorëheqjen në rast se Arta Musaraj rikthehet në detyrë, çka përcakton paralizim të jetës universitare në Vlorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›