E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret kushëririn për bagëtitë

KONFLIKTI/ Pas një sherri me një motiv mjaft banal, një person ka vdekur dhe një tjetër është i plagosur rëndë

I vënë në pranga nga policia, autori i vrasjes ka rrëfyer se qëllimi i tij ka qenë trembja dhe jo vrasja e të afërmve

VLORË - Krimi brenda rrethit fisnor ka ngritur krye dje në fshatin Armen. Një motiv mjaft banal ka shënuar një viktimë dhe një të plagosur rëndë, të dy nga e njëjta familje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në fshatin Armen të Vlorës, ku gjithçka ka filluar për bagëtitë duke përfunduar në gjakderdhje. Reiz Haxhiaj ka mbetur i vdekur, ndërsa djali i tij është plagosur rëndë për shkak të plumbave të shkrepura nga Luan Haxhiaj. Para policisë, autori deklaroi se nuk kishte pasur si qëllim vrasjen, por nga ana tjetër është zbuluar se grindjet për çështjen e përkatësisë së tokës kanë qenë të vazhdueshme mes dy familjeve nga i njëjti fis.

Ngjarja

Disa nga bagëtitë e familjes së Reiz Haxhiajt janë futur në tokën që i përkiste kushëririt, Luanit. Një gjë e tillë ka bërë që këta të dy të përfshihen në një sherr. Në debatet mes tyre ka hyrë edhe djali i Reizit, Çajupi, por pa mundur të lehtësojë situatën, por vetëm ta rëndojë atë. Kështu kushërinjtë kanë arritur deri në sharje dhe në përleshje. Pasi janë rrahur me njëri-tjetrin, Luan Haxhiaj ka shkuar në shtëpi, e cila ndodhej fare pranë për të marrë çiften dhe ka hapur zjarr mbi dy kushërinjtë e vet, babë e bir. Si pasojë e plagëve të shkaktuara nga çiftja, ka gjetur vdekjen e menjëhershme Reiz Haxhiaj, 74 vjeç, dhe është plagosur rëndë i biri 33-vjeçar. Me të dëgjuar krismat, të afërm të tjerë kanë nxituar t’i japin ndihmë Çajupit. Ai është dërguar në spitalin ralonal të Vlorës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe, sipas mjekëve, ka dalë nga gjendja kritike.

Hetimi

Ngjarja është raportuar në policinë e Vlorës. Efektivë të saj dhe specialistë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Efektivët kanë nisur kërkimet për autorin e ngjarjes, të afërm me viktimën, dhe pas dy orësh është bërë e mundur kapja e tij. Sipas burimeve nga policia, nga deponimet e para që Luan Haxhiaj ka bërë në komisariatin e Vlorës, ka pohuar se nuk ka dashur aspak vrasjen e të afërmve. Ai është shprehur se ka qëlluar për t’i trembur, por saçmet kanë vepruar në zonë më të gjerë. Luani e ka pranuar vrasjen me shkakun e sherrit që ka lindur pas futjes së bagëtive të kushëririt në arë. Po sipas burimeve nga blutë, nga të dhënat që kanë marrë për vrasjen, rezulton se dy të afërmit kanë pasur debate të vjetra për shkaqe të ndryshme, kryesisht pronësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›