E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti, kuotat e reja për specializimet e mjekëve

Specializime afatgjata për të diplomuarit në mjekësinë interne. Ky është programi më i ri i studimit që do të hapet në Fakultetin e Mjekësisë. 

 Kandidatët mund të jenë të shumtë në numër, por kuotat për këtë vit do të jenë vetëm 23. Qeveria mori dje vendimin që u jep shansin të mjekëve të rinj për të pasuruar dijet e CV-në e tyre. Propozimi për këtë cikël studimesh e bëri Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. "Këshilli i Ministrave dha ok për "Hapjen e Programit të Studimit Specializues Afatgjatë, për Mjekësi Interne, pranë Fakultetit të Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës dhe për miratimin e kuotave të pranimit në këtë program për vitin akademik 2007-2008", bëri dje me dije Ministria e Shëndetësisë.    
Sipas këtij vendimi, kohëzgjatja e kryerjes së programit do të jetë 4 vite dhe me kohë të plotë. Pas kryerjes së programit lëshohet diploma "mjek specialist për mjekësinë interne. Kuota e pranimit për vitin akademik 2007-2008 do të jetë 23, për sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kandidatët duhet të plotësojnë një sërë kriteresh që do të vendosen nga vetë universiteti i mjekësisë. Edhe për këtë program studimi do të jenë në fuqi udhëzimet e fundit të ministrisë. Sipas këtyre udhëzimeve, studentët duhet të grumbullojnë për një vit akademik mesatarisht 60 kredite. Pra, në total, studentëve që do të përfitojnë nga programi i ri i studimeve do t'u duhet të grumbullojnë 240 kredite. Një krediti të formimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore punë të studentit. Sasia mesatare e punës së kryer gjatë një viti studimesh universitare nga një student me kohë të plotë është 60 kredite, apo 1500 orë mësimore punë të tij, që përfshijnë orë në auditor dhe orë për punë të pavarur të tij. Orët për punë të pavarur të studentit zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1500 orëve mësimore. Ndërkaq, përcaktohet se ngarkesa javore në auditor për leksione, seminare, ushtrime dhe laboratorë është në intervalin e 20-25 orëve mësimore 60-minutëshe.           z.ll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›