Update - Zbardhen detajet dhe shkaqet e vrasjes brenda familjes qe ndodhi sot ne kryeqytet
Tiranë, 25 shkurt 14:10 NOA – Policia e Tiranës ka kryer hetime mbi ngjarjen që ndodhi sot rreth orës 03.30 në vendin e quajtur Sharrë, dhe ka zbardhur detajet e krimit brenda familjes.
Strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës, konstatuan në vendngjarje se 78-vjeçari Qani Sherri lindur në Pogradec dhe banues në Tiranë, gjatë orëve të mbasdites ka filluar të grindet me bashkëshorten e tij 69-vjeçare Zenepe Sherri, pasi kjo e fundit ka kërkuar me këmbëngulje që të largohej nga Tirana, për në fshatin Losnik të qytetit të Pogradecit.
Më pas gjërat janë qetësuar, ndërkohë që rreth orës 02.00 të ditës së sotme, ka filluar sërish grindja mes bashkëshortëve.
Kjo ka ardhur pasi Zenepe Sherri ka filluar të bëjë gati valixhen meqenëse kishte marrë vendim për tu nisur për në Pogradec në fshatin Losnik.
Gjatë këtij momenti 78-vjeçari Qani Sherri, duke mos duruar situatën ka kryer krimin e rëndë, duke shtrënguar prej fyti viktimën Zenepe Sherri deri në arritjen e asfiksisë mekanike dhe si rezultat i këtij veprimi e moshuara, ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Policia tha se nga tërësia e provave materiale të mbledhura u bë arrestimi i Qani Sherrit, nën akuzën e konsumimit të veprës penale Vrasje me dashje.
e.l/NOA