E Diel, 1 Nëntor 2026

Perfaqesuesi i FMN-se: Qeveria te beje kujdes me shpenzimet ne kohe krize

Godina e FMN-se ne Uashington

Tiranë, 25 shkurt, 12:09, NOA – Qeveria duhet t’u kushtojë më shumë vëmendje shpenzimeve që do të kryejë tani e tutje, në një kohë kur flitet se bota është e përfshirë në krizë të fortë financiare.

Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, Gerwin Bell gjatë një konference në të cilën bëri me dijeni gjendjen më të fundit që ky institucion konstaton për situatën ekonomike në Shqipëri.

Sipas Bell, është e vërtetë se Shqipëria nuk ka një prekje realisht nga kriza financiare ndërkombëtare si vendet e tjera të rajonit.

Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet treguar kujdes që efektet e saj të mos jenë shumë të ndjeshme edhe këtu.

“Qeveria duhet të ndjekë politika të matura dhe të mos e përdorë fondin e kontigjencës. Ajo duhet të vijojë me mbledhjen e taksave në buxhet, pasi i duhen të ardhurat në kohë krize. Këto paratë duhet të përdoren vetëm për financimin e deficit buxhetor dhe jo për shpenzime të tepruara, duke mos harruar as fondin nga privatizimet”, tha Bell.

Më pas, ai shtoi se pritet gjithsesi një rritje e madhe e papunësisë në Shqipëri dhe se do të ketë një ngadakësim të rritjes ekonomike si edhe vështirësi në kredi, punësim dhe investime.

Duke sqaruar situatën e nënvlerësimit të monedhës vendase, ai tha se gjithsesi kjo situatë krijon një avantazh për eksportet dhe prodhuesit vendas, por ka edhe anët e këqija, sidomos për ata që kanë marrë kredi në valutë.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›