E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drino, në plazh mes lëndësh kimike e mbetjeve spitalore

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Drino, lumi i vetëm që përshkon qytetin e Gjirokastrës, prej kohësh lëngon nga tejngopja me mbeturina të çfarëdollojshme, të cilat në mjaft raste janë shndërruar në burim infeksionesh. Rritja e temperaturave dhe shndërrimi i lumit në plazh për banorët përkon dhe me dhënien e alarmit për ndotjen e tij. Vitin e kaluar specialistët dermatologë kanë konstatuar 12 raste me sëmundje të ndryshme lëkure, kryesisht fëmijë të moshave nga 10-14 vjeç. Sipas mjekëve, patologjia e hasur tek të prekurit me sëmundje të lëkurës ishte kryesisht e njëjtë, kruarje e trupit në të gjithë vendet, skuqje e shoqëruar me shenja të ndryshme. Në brezin horizontal të rrjedhës së Drinos me një gjatësi gati 3 km, lumi i përngjan një moçalishteje duke shndërruar vizualisht pamjen. Mbeturina të çdo lloji, duke filluar nga ato inerte, bujqësore, hekurishte, lëndësh të ndryshme kimike e deri pak muaj më parë dhe mbetje spitalore, vrojtohen me sy të lirë në shtratin e lumit, duke dëmtuar seriozisht ekosistemin e luginës së Drinos përgjatë gjithë rrjedhës së tij, deri ku mbaron zona urbane. Specialistët e epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Qarkut të Gjirokastrës të gjendur në këto kushte, kanë dhënë alarmin pasi baseni i lumit Drino është tërësisht në gradën e infektimit. Ata pohojnë se disa herë ky institucion ka kryer raporte të ndryshme rreth problematikës që mbart lumi, kryesisht në këtë periudhë që është favorizuese ndaj infeksioneve të ndryshme si pasojë e temperaturave të larta të ajrit. Sipas specialistëve, deri tani nuk ka pasur raste të infeksioneve, pasi falë kushteve të motit deri ditët e fundit nuk ka pasur fluks. Më të ekspozuar karshi infeksioneve të ndryshme janë fëmijët, të cilët nuk përzgjedhin zonën ku lahen. Megjithëse shumë herë raportet kritike për gjendjen e trashëguar prej vitesh janë përcjellë tek Inspektorati i Mjedisit apo në Prefekturë, këto të fundit kanë qenë të pafuqishme për të ndërhyrë. Evitimi i gjendjes së krijuar do të kërkonte një fond të jashtëzakonshëm, çka është mision i pamundur në kushtet aktuale dhe mungesës së kontrollit në të gjithë basenin e rrjedhës së lumit. Në vitin 2006 ish-prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, ndërmori një hap mjaft të rëndësishëm për evadimin e mbetjeve inerte nga i gjithë baseni. Pothuajse të gjitha firmat e ndërtimit iu përgjigjën apelit të Kserës për të çliruar Drinon nga "kthetrat" e bimësisë dhjetëra vjeçare dhe e materialeve inerte të degdisura aty me shumicë gjatë viteve '90. Mirëpo kjo iniciativë ngeli përgjysmë, pasi nuk u evaduan apo nuk u pastrua rrjedha e lumit nga mbetjet kimike mjaft të dëmshme. Stefan Rapi, ish-shefi i Inspektoratit të Mjedisit në Gjirokastër, thotë se në Drino, gjatë katër viteve të fundit janë hedhur aq shumë mbetje të dëmshme kimike, saqë do të duhen miliona lekë për të pastruar me durim të gjithë lumin në zonën e infektuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›