Aquila, hapet Samiti i 35-të i ‘gjigandëve’ industrialistë të botës
Në Aquila, Itali, ka nisur sot punimet samiti i 35-të i G8-ës, tetë vendeve më të industrializuara të botës. Gjatë ditës së djeshme, e cila ishte edhe dita e parë e samitit, u takuan të tetë liderët e gjigandëve të Industrisë: Italisë, SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës, Rusisë, Kanadasë e Japonisë. Gjatë programit të ditës së djeshme u diskutua për ekonominë, klimën, ndihmat për zhvillim dhe politikat ndërkombëtare. Nga tetë liderët, atij kinez, Presidentit Hu Jintao, iu desh të merrte vendimin të kthehej në Kinë për shkak të krizës etnike në këtë vend, ku prej ditësh po vazhdojnë protestat e ujgurëve. Liderët e pranishëm aprovuan deklaratën ekonomike globale. Mes pikave më të rëndësishme janë kundërshtimi i proteksionizmit, rëndësia e punës, dhe lufta kundër parajsave fiskale. Banorët e qytetit të tërmetit, Aquila, i kanë pritur liderët e G8 dhe Presidentin Obama me sloganin “Yes we camp!” (Po ne kampojmë). Manifestuesit kishin veshur bluza ku shkruhej “Jemi të fortë e të sjellshëm, por jo budallenj” të shoqëruar me tromba. Masat e sigurisë ishin të larta. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, mes të tjerash ka deklaruar se marrëveshja mbi klimën ekziston, por pritet që sot, në ditën e dytë të samitit, të verifikohet në detaje edhe me Kinën dhe Indinë. Miratimi i marrëveshjes së plotë të klimës pritet të arrihet në muajin dhjetor në Kopenhagen në konferencën e OKB-së. Ata kanë në plan të arrijnë në dy gradë centigradë ftohjen e planetit; uljen në 50 për qind të rrezatimeve të Co2 brenda vitit 2050 për ekonomitë e industrializuara dhe përpjekjet për të arritur në 80 për qind në vendet e tjera. Masa merret kundër ndryshimeve klimatike që po rrezikojnë Tokën. U aprovua edhe deklarata mbi zhvillimin e Afrikës dhe vendeve të varfra deri në vitin 2015. Liderët e G8-ës kanë në plan t’i dërgojnë një mesazh të fortë Koresë së Veriut kundër testeve të saj raketore.